Nuk mbaj mend se kush saktësisht e quajti dhjetorin muaji i dritave, por unë do ta quaja muaji i reflektimit. Plot 356 ditë kanë ecur nga ky vit. Plotë 365 ditë të mbushura me rutina të përditshme paksa monotone, momente gëzimi dhe domosdo momente trishtimi. Ky vit më gjeti pak më ndryshe nga vitet e tjera që lamë pas: zbutja e masave të pandemisë (sërish takimi e përqafimi nga afër me të dashurit tanë), por as momente të pakëndshme nuk munguan (lufta Rusi-Ukrainë)… Vazhdoj e besoj që për fat të keq njeriu është krijes që përshtatet me çdo rrethanë, qofshin edhe me ato më absurdet! Pezmatohem, bërtas, por fjala ime, hidhërimi im nuk çojnë peshë. E bota e ka rrapsh! E çka është një luftë më shumë, disa mijëra jetë që nga qielli duken thjesht si gogla! Në fillim u bë bujë pastaj bota ra në heshtje si përherë, e ne u përshtatem me idenë se diku në një cep të botës luftojnë përditë. E mbaj mend se kur filloi lufta më pyetën nxënësit se pse luftojnë? Nuk u zgjata u thashë për mend të kokës që si kanë!
Edhe dhjetë ditë dhjetori kanë ngelur deri te Viti i Ri. Pastaj sërish plot 365 ditë të reja ose faqe të bardha për të shkruar histori të reja, për të plotësuar listen e synimeve që duam t’i arrijmë në vitin që vjen: blerja e makinës, fillimi i palestrës, udhëtime nëpër botë, mësimi i gjuhës së re, mësimi i gatimit etj. Harrojmë se për shumicën nga ne kjo listë do të mbetet e papërfunduar, se këto 356 ditë nuk i arrijnë të gjithë, çdo kush ka orën e vet e kundër saj nuk ecen dot! Do ta quaja dhjetorin muaji i falënderimeve, që jam duke marrë frymë, që kam një shtëpi të strehohem nga i ftohti, një pjatë dreke ushqim, e mbi të gjitha dashurinë e njërëzve të afërm, sepse e di që diku më larg meje, në një vend, shtet, a kontinent tjetër jo çdo kush ka fatin tim! Andaj ky vit mos të na ikë pa falur ata që na kanë lënduar, mos të na ikë pa ndihmuar sado pak ata që kanë nevojë, të dhurojmë një buzëqeshje, një fjalë mirësie nganjëherë kaq mjafton t’ia ndreqim e zbukurojmë ditën dikujt.
Donika Lulgjuraj
