Krijimtaria artistike e poetit Haxhi Shabani dhe e piktorit Edin Kapllani janë prezantuar të hënën mbrëma (11 shtator 2023) në mbrëmjen kulturore të titulluar “Kultura, nyjë e miqësisë”, që është mbajtur në Institucionin Publik “Mbrëmjet e Poezisë së Ratkoviqit” (Ratkovićeve večeri poezije) në Bijello Pole.
Mbrëmja kulturore është organizuar në kuadër të programit të shkëmbimit të nxënësve “Ura e partneritetit” që realizohet nga Shkolla e Mesme Profesionale në Bijello Pole dhe Shkolla e Mesme Profesionale – Kamëz (Shqipëri).
Koordinatori i projektit Rafet Muliq, mësimdhënës në Shkollën e Mesme Profesionale në Bijello Pole, ka thënë se kjo mbrëmje kulturore përbën kurorëzimin e projektit.
“Sonte është kurorëzimi i projektit kur së bashku me IP Mbrëmjet e Poezisë së Ratkoviqit kemi organizuar këtë program me titull ‘Kultura, nyjë e miqësisë’, në kuadër të të cilit kemi promovuar krijimtarinë artistike të qytetarëve tanë me kombësi shqiptare nga Ulqini. Kështu janë prezantuar Haxhi Shabani, poet, dhe Edin Kapllani, piktor, ku nxënësit tanë, vijues të këtij shkëmbimi nga të dy qytetet, në gjuhën shqipe dhe malazeze të pranishmëve ua kanë përafruar krijimtarinë e dy artistëve”, ka thënë ai.
Muliq ka treguar se në muajin maj, nxënësit nga Shkolla e Mesme Profesionale në Bijello Pole ishin mysafirë në Kamëz, kurse tani nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale në Kamëz ishin për gjashtë ditë mysafirë në Bijello Pole, ku nga bashkëmoshatarët e tyre janë njohur me këtë trevë dhe bukuritë e saj natyrore.
(Kohapress)
