Kultura L

“Vendet ku flakët janë më të mëdha në ferr janë të rezervuara për ata që janë neutralë në kohën e krizave të mëdha morale” Dante Aligieri

Anton Gjuravçaj

I
Tungjatjeta
përshëndet njeriu pran meje një njeri tjetër
dhe shton diçka
të kuptueshme keq si nëpër dhëmbë
//njëqind dollarë i thashë
mund të jetë ai ma ktheu njëqind euro
çmimet janë të ndryshme…
pas asaj përshëndetjeje
që ti mendoN se nuk e ka kush aq të bukur në botë
s’ka më djalë i vendit… i fisit… i shtëpisë… filan filanit
… mos e kërko emrin tim
mund ta kem të shumë kujt si dhe fytyrën
dikur në dymbëdhjetë persona kërkohej një i keq
e sot një i mirë
populli thotë se qeni i keq
e bjen ujkun në vathë…//

II
Sa më të mëdha karriget
aq më të vegjël njerëzit
/me ndjenjë dhimbjeje mendoj
se si do të dukeshin këto këmbë të varura e të pafuqishme
kur të prekin tokën/
nisëm drejt një tryeze
por para më del njeriu që e takova më parë
//kujdes
këto që të duken si njolla në dysheme
në të vërtetë janë botët… malbotët
(mundemi lirisht t’i quajmë
“banorë të ri” të këtij vendi
kategori që se njeh as Kanuni i Lekës…)
… i quajnë edhe gjysmë njeri e gjysmë makinë
më shumë për shkak të instinkteve…
paguhen për përhapjen e shpifjeve dhe të gënjeshtrave…
shtrembërimin e realitetit… shitjen e mjegullës…
fshirjen e gjurmëve të pronarëve…
me qëllim që në shoqëri të formojnë konfuzion… pasiguri
… logjikën e grigjës…
(e vërteta dhe dashuria janë bazamenti i përparimit)
rrethi i dytë i njollave që duken më qartë
janë ata apo paraardhësit e të cilëve
me pasion kanë puthur këmbën e çdo kujt
që shkeli në këtë vend
e tani vetëm se nuk varen
për shtyllë të flamurit të kombit
duke u munduar të mbështillën në të apo të valëvitën në vend të tij
rrethi i tretë i njollave
më i largëti por jo edhe më i madhi
janë ata që mendojnë se mund ta blejnë
jo vetëm historinë e vet
por edhe të parëve të tyre…
edhe një tempull gënjeshtrash//

III
// Kjo do të ishte si ekuivalencë e rrugës kryesore
nëse merret si toponim
në fillim janë ata që blejnë vullnetin
dhe kështu pa nevojë i përulin të afërmit e vet
e në fund ata që shesin tokën që nuk shitet
kjo formë shitjeje s’ka ekzistuar në kohën e Aligierit
(si përmend nëntë nëmët e saj)
… e quajnë tregu i njerëzve
(jo se nuk ka ekzistuar edhe përpara
disa janë shitë me themel…
por për herë të parë e ndërtojnë vetë)
nëpër të ecin si kore
thonë se hyrët më të shkelur keq
e nuk dihet si dilet…
apo a është e mundur një gjë e tillë
në të vërtetë ky është zanat…
(pa përgatitje paraprake)
sikur disa njerëz lindin me të
parajsë për matrapazët e injorantët…

IV
Në mesin e atyre
prej të cilëve pritet mendimi kritik
/poetë… shkrimtarë… gazetarë… studentë… shkencëtarë
intelektualë
për fat të keq edhe pse i vetëdijshëm për kundërthënien
që ka në vete
detyrohem të përdori edhe termin intelektualë të pavarur/
gjej përsëri njeriun e panjohur që ka përgjigje për gjithçka
//këta njerëz në të cilët ti beson
edhe balta e filxhanit të tyre mjafton që
t’u lidhë këmbët…
gjuhën
disa mbrapsht kanë veshur
fanellën me shkrimin Kultura L
(shkurtesë që do të thotë Kultura e Lekut)
disa janë mësuar dhe ende pranojnë që t’i përdorin
nëpër manifestime të ndryshme në statusin e setrave
të shlyera…
e disa nga frika se do t’u lëshojnë botët
(“gjahu i malësorëve” me bota)
heshtin
edhe pse të vetëdijshëm se janë mëkatarët e Dantes //

V
Ta kishin ditur se pluralizmin dhe demokracinë
do t’i kuptojmë si kore që zgjasin pafund
dhe çka jemi në gjendje t’i bëjmë vetes…
me shekuj përpara
ishin munduar t’i hedhin
nëpër fortesat tona
në vend të minjve të ngordhur me mortajë…
njeri i panjohur qeshet
sikur mi lexon mendimet
//shpenzoni energji
shumica edhe të pa vetëdijshëm
në ndarje të rreme… kurdisura…
tradhtarë… përçarës e patriotë
e rrota bluan për idiotë//
e merr një lëmsh dheu e ma vendos në dorë
//dheu nuk fal
çdo copë e shitur
ua shkurton hapin… frymën… ardhmërinë
të mos flasim për qitjen e historisë nën këmbë…
koha do të tregojë
a të shoqëroi sot Mefistofeli… Diogjeni… apo një ëngjëll roje i pa punë
që pret një lindje të re//

Të fundit

më të lexuarat