Nën organizimin e Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) dhe IP “Mbrëmjet poetike të Risto Ratkoviqit”, në Bjello Pole, më 26 korrik 2024 u bë përurimi i numrit 23 të revistës KOD.
Revista KOD është organ i CEKUM-it dhe brenda kapakëve të vet përmbledh tekste dhe artikuj që kanë të bëjnë me kulturë, letërsi dhe shkencë. Numri më i ri, i 23-ti me radhë, e që u bë edhe përurimi i tij ndahet në pesë kapituj ku ka të përfshirë kritikë letrare, ese, punime shkencore letërsi dhe art.
Në rolin e nikoqirit, z. Gëzim Hajdinaga drejtori i CEKUM-it, bëri hapjen e mbrëmjes dhe foli për punën e deritanishme dhe rëndësinë e ekzistimit të kësaj qendre. Falënderoi dhe çmoi punën e bërë nga drejtorët paraardhës dhe mes tjerash theksoi se “kultura është themeli i ruajtjes së identitetit të një populli” dhe vazhdoi “duke ditë se një e katërta e popullsisë vijnë nga pakicat, Malin e Zi e bën një shtet i cili krenohet me këtë veçanti të vet” kështu që drejtori i CEKUM-it edhe premtoi përkrahje për çdo gjë që është e çmueshme dhe që kthen në jetë vlerat e çdo minoriteti që padyshim se janë begati këtij shteti.
Në mbrëmjen që iu kushtua revistës KOD nën drejtimin e Edin Smajloviqit (historian dhe poet) panelistë ishin dr.Drashko Doshlak, Kemal Musiq (shkrimtar) dhe Gazmend Çitaku (shkrimtar dhe botues). Panelistët folën lidhur me përmbajtjen e revistës, rolin dhe domosdoshmërinë e botimeve të këtij lloji, si dhe për sfidat e përkthyesve për përkthime sa më kualitative për gjuhë që fliten brenda Mal të Zi.
Revista hapet me poezinë në dy gjuhë “Lakoonti” të shkrimtarit më të madh shqiptar Ismail Kadaresë, poezi e cila është përkthyer mjeshtrisht nga Dimitrov Popoviqi e që njëherit me këtë edhe i bëhet homazh shkrimtarit Ismail Kadare meqë kohë më parë u nda nga jeta. Në këtë numër mund të lexojmë punimet e: Zuvdja Hoxhiqit, Kemal Musiqit, Ruzhdja Ruso Sejdoviqit, Ibrahim Berjashit, Gazmend Çitakut, Zerin Muriqit, Munevera Sutoviqit, Valbona Mulajt, Mirsad Rastoderit, Vesna Deliqit, Mustafa Cankës, Anton Nikës, Aleksandar Lakoviqit, Mirash Martinoviqit, Ana Vuksanoviqit dhe Bozhidar Proroçiqit. Këtë numër e kanë begatuar ilustrimet e piktorit akademik Abaz Dizdareviqit.
Kryeredaktor i revistës KOD është Zuvdija Hoxhiqi, redaktor përgjegjës Gëzim Hajdinaga, sekretar i redaksisë Izedina Axhoviq Shkrel kurse dizajni i revistës i nënshkruhet Adela Zejniloviqit.