Kulla e Begut në Bukmirë të Shasit

Sami Flamuri

E diela përveçse është ditë pushimi, për mua zakonisht ka të bëjë edhe me aventurat në natyrë.
“A je për kafe në Anë të Malit”? – shkruante në mesazhin që më mbërriti herët në mëngjes në celular nga miku im Gazmend Çitaku.
E si mos ta pranoja këtë propozim? Kësisoji së bashku u nisëm rrugës piktoreske për në Katërkollë (20 km larg Ulqinit), kaluam Pistullin, Zogajt, Gaçin, Urën e Klleznës, ku na pret rrethërrotullimi i Krythës, dhe ja kryeqendra e Anës Malit, Katërkolla na mirëpret.
“Dodona” është vendtakimi me miqtë tanë Muho Dushkun, Shefqet Lucën dhe Amir Taganin. Kafja e parë e mëngjesit na jep një shtytje ta bëjmë edhe zbulimin e rradhës.
Amiri dhe Muhoja ngulin këmbë se ia vlen të bëjmë një vizitë tek “Kulla e Begut” jo larg Liqenit të Shasit, mu tek ndarja e rrugës që të çon për në Lisën Bore, Shtodër, Fraskanjel dhe Amull…
Nëndaja ime e ndjerë Feridja, shpesh herë më porosiste ”rruga vade ska” dhe kjo edhe më doli në realitet, sepse isha fare i papërgatitur të ballafaqohem me rrugën deri te Kulla e Begut!
Shkurrat, kaçubat dhe balta që mu ngjite si një lugat nate, më beri të dyshoj se gabova që pranova ftesën e miqve të ngazëlluar, që po na jepet rasti të prekim me dorë një pjesë historie e cila ka të bëjë me pronat tona por edhe një trillim të flliqët të diktaturës komuniste në Shqipëri (1945-1992).
Pasi e kalova sfidën e rradhës, para na u shfaq një akvadukt i viteve 50-ta ku shteti i asaj kohe e ndërtoi për ujitjen e tokave. Për çudi ende ishte në këmbë dhe kjo për mua përbënte misterin e parë, kurse rrënojat e objektit të parë ishin misteri i dytë. Askush se dinte se kujt i takonte dhe sa të vjetra ishin kto mure tani fare të mbuluara me vegjetacion sikurse edhe e gjithë e kaluara e jonë!
Këto mure ishin një prelud i vogël, sepse jo larg tyre do na dalë si vigan Kulla mbresëlënse e Begut…
Qëndronin murinjet e saj me frëngji. Ruante me besnikëri edhe pjesët e traut ku dikur kishte gjallëri, jetë dhe ku fare lehtë u dukeshin tokat pjellore të Anës së Malit.
Po begu, a kishte emër? Këtu në ndihmë na vjen Muho Dushku, i cili na rrëfen se këto toka dikur i takonin fisit të Sykajve (Syku)…
Kjo familje e pasur kishte qindra hektarë tokë nga të dy anet e kufijve. Nga kjo histori mu mor inspirimi për veprën e Kol Jakovës ”Toka Jonë” si dhe filmin artistik me po të njëjtin emër.
Kush ishte me të vërtetë Tuç Maku do ju shpalosim ne vijim, por le të na lejohet së paku të shohim se çka na thotë Harullah Hajdari rreth pronave dypalëshe Shqipëri-Mali i Zi:

Sa i përket aneksimit të trojeve shqiptare pas Luftrave Ballkanike, duhet cekur se ky veprim u krye vetëm pas një proklamate të Krajl (mbretit v.a.) Nikollës, të datës 8 nëntor 1913, menjëherë pas përfundimit të Luftrave Ballkanike, sipas së cilës shqiptarët formalisht u bënë nënshtetas malazezë.
Po themi në mënyrë formale pasi Proklamata për aneksimin e trojeve shqiptare nuk u zyrtarizua asnjëherë sipas kushtetutës në fuqi të Malit të Zi, e cila në nenin 73 të saj parashikon: “Asnjë ligj nuk mundet të nxirret, të abrogohet, (prishet, rrëzohet v.a.), të përshtatet ose në mënyrë obligative (detyrohet, shtrëngohet v.a.) të interpertohet (përkthehet v.a.) pa pëlqimin e Kuvendit Popullor”, çka do thotë se Krajli (mbreti v.a) nuk e dërgoi Proklamatën për aneksimin e trojeve shqiptare për marrrjen e pëlqimit në Kuvendin Popullor.
Thënë thjesht, Kuvendi Popullor nuk solli asnjë vendim apo akt me të cilin edhe juridikisht territoret shqiptare do të bëhen pjesë e territorit dhe jurisdiksionit (qark veprimi v.a.) malazez. [Hajrullah Hajdari, “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi” fq;72].
“Fisi i Sykajve (Syku) është një ndër fiset më të mëdha të Bregut të Matit, të ardhur nga Shkreli i Malësisë së Madhe nga fundi i shek. XVIII. Nëpërmjet punës ata arritën të krijonin pasuri të madhe, të përbërë kryesisht nga mijëra krerë bagëtish dhe disa qindra hektarë tokë, duke u radhitur kështu ndër fiset më të pasura dhe të zëshme të veriut.
I pari i këtij fisi, Gjon Nik Syku (1872-1950), të cilin banorët e zonës por edhe gjithë familjarët e tij e mbanin si njeri të zgjuar, të urtë (ishte ai që në familjet e mëdha mbahej si i pari i fisit), kishte miqësi me familjet më të mëdha të asaj kohe, si dhe me njerëz të shquar si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Prëk Cali, Zef Koka, Shuk Sarreqi, Ded Gjo’ Luli etj.
Me ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri, nisi edhe perëndimi i periudhës së begatë të kësaj familjeje, pasi regjimi u konfiskoi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre. Konfiskimi i qindra hektarëve tokë që iu bë fisit të Sykajve, u bë edhe frymëzim për shkrimtarin Kolë Jakova që të shkruante veprën e tij “Toka Jonë”. Kjo vepër më vonë u realizua edhe film, ku personazhi i Tuç Makut personifikonte Gjon Nik Sykun.
Konfiskimet e mëdha që iu bënë Sykajve, erdhën edhe për shkak të damkosjes së këtij fisi si fis “kulakësh”, për të vijuar më pas me persekutime dhe burgosje që do t’i shoqëronin deri në kapitulimin e regjimit komunist. Njëri nga djemtë e spikatur të kësaj familjeje, ishte Prelë Syku, i cili ishte i pari që u shënjestrua nga regjimi që në rini si antikomunist”.
Ska se si kjo histori e hidhur mos t’i prekte edhe pronat e Sykajve te Ana e Malit ku sot kjo kullë e rrënuar na tregon se po hulumutohet e kaluara jonë. Ka shumë për t’u thënë, sepse çdo gurë ka peshën e vet, po me heshjen e vet nganjëherë flet më tepër se çdo gjë.
Kaluam një ditë të këndshme në Kullën e Begut në Bukmirë të Shasit, gjegjësisht në uKllën e Sykajve alias Tuç Markut të Kolë Jakovës.

Të fundit

më të lexuarat