Kujtohet shkrimtaridhe albanologu i shquar

“Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, Martin Camajn e kujtojmë jo vetëm si një shkrimtar të madh por si një njeri të dritës dhe ruajtës të fjalës shqipe dhe si një misionar të kulturës sonë kombëtare në Evropë”, u shpreh Nikaj, duke vijuar më tej me jetëshkrimin e shkrimtarit Camaj

Shoqata e Intelektualëve dhe Artistëve “MalësiaArtTuz”, me një orë letrare në 100-vjetorin e lindjes së tij kujtoi shkrimtarin e njohur dhe një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe letërsisë shqipe të shekullit XX – profesorin, poetin, studiuesin dhe albanologun e shquar Martin Camaj.
Ky aktivitet, i moderuar nga Leonora Vulaj, u mbajt në shtëpinë e Zef Gjokë Berishajt, e cila nga organizatorët u quajt edhe si “galeria e skulpturave prej gurit nga natyra”.
Shkrimtarja Nevila Nikaj bëri një përshkrim të jetës dhe veprës së Camajt, e cila tha se ai, edhe pse jetoi larg Shqipërisë për gati gjithë jetën e tij, e deshi atë me gjithë shpirt.
“Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, Martin Camajn e kujtojmë jo vetëm si një shkrimtar të madh por si një njeri të dritës dhe ruajtës të fjalës shqipe dhe si një misionar të kulturës sonë kombëtare në Evropë”, u shpreh Nikaj, duke vijuar më tej me jetëshkrimin e shkrimtarit Camaj.
Ndërkohë, pjesë nga krijimtaria e shkrimtarit Martin Camaj interpretoi Valentina Gjolaj.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve dhe Artistëve “MalësiaArtTuz”, Rrok Gjolaj paraqiti një fragment nga një punim më i gjatë mbi romanin “Rrathët” të Martin Camajt, të titulluar “Simbolika mitike në romanin ‘Rrathë’ si shprehje e botëkuptimit të malësorit shqiptar”.
Ai tha se romani “Rrathë” përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të prozës moderne shqiptare.
“Është thjesht një roman i shkrimit të ngjarjeve apo një udhëtim mitik i shpirtit shqiptar në kërkim të rrënjëve dhe të kuptimit. Në romanin ‘Rrathë’ Martin Camaj përdor simbolikën mitike si një mjet kyç për të shprehur dhe interpretuar botëkuptimin tradicional të malësorit shqiptar, i cili karakterizohet nga një lidhje e ngushtë me natyrën, ritualet dhe historinë kolektive”, u shpreh Gjolaj.
Ai shtoi se përmes elementeve të tilla, si: ritet e zbritjes së bagëtive nga bjeshka, këngët kreshnike dhe ritualet e vajtimit, Camaj riprodhon një univers ku koha dhe hapësira nuk ndahen, por përjetohen nëpërmjet një cikli të përhershëm e të lidhur ngushtë me natyrën dhe trashëgiminë shpirtërore.
“Universi mitik i malësorit është një botë e ndërtuar mbi ciklin jetësor të lidhjes mes brezave, ku ngjarjet, veprimet, legjendat bashkëjetojnë me identitetin kulturor të malësorit”, tha Gjolaj.
Ai më tej theksoi se shtëpia-muze e “Bacit”, e cila ripërtërihet në roman përmes ritualeve dhe kujtesës kolektive, simbolizon një ngërthim të sfidave të përjetshme të njerëzve për liri, dinjitet dhe vetëmbrojtje.
Sipas tij, “për malësorin kjo shtëpi muze është më shumë se një objekt arkitektonik. Ai është simbol i rrënjëve të thella dhe forcës shpirtërore, i lidhjes së pandërprerë me të parët”.
“Baci”, ose folkloristi, tha ai, përballet me një maskë që ka fituar përmasën e një etniteti gjallues, dhe ajo nuk është më vetëm një objekt etnografik, por një figurë e mbinatyrshme dhe një lloj kulti që kërkon të adhurohet, por edhe të përballet me të vërtetën e origjinës së saj.
“Në këtë përballje Camaj na jep një pamje të ndërtuar të ndërgjegjes shqiptare përballë historisë dhe përmasës etike të kujtesës”, u shpreh Gjolaj.
Ndërkaq, nikoqiri Zef Berishaj falënderoi organizatorët për këtë aktivitet, ndërsa shprehu nevojën e organizimit të sa më shumë aktiviteteve të tilla kulturore, të cilat i ofrojnë publikut njohjen me veprat e njerëzve të aftë të penës dhe mendjes së ndritur, të cilët nëpërmjet veprave të tyre kanë pasqyruar me vepra sakrificat, vuajtjet shpirtërore e materiale të paraardhësve të tyre.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti letrar, të pranishmit patën rastin të ndjekin disa inserte nga një video-mesazh i ish-nxënësit të Martin Camajt, Pjetër Gorvokaj, i cili bashkëndau kujtime e përvoja interesante për mësimdhënësin e tij.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat