Kujtim, mirënjohje dhe nderim për kontributin në shumë fusha

Botimi i kësaj vepre letrare vjen në shenjë kujtimi të përjetshëm dhe mirënjohjeje nga familjarët e të ndjerit, për miqtë, dashamirët dhe shokët e tij. Siç theksohet edhe në hyrjen e librit, familja e botoi atë për ta shpërndarë me respekt në rrethin familjar, miqësor e shoqëror. Libri është botuar në vitin 2020, në njëvjetorin e ndarjes së autorit nga jeta, ndërsa promovimi u bë tani

Të dielën në mbrëmje, më 17 gusht 2025, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit u bë përurimi i librit të autorit Pjetër Gjokë Dreshaj, me titull “Përmes vitesh”.
Fillimisht, në emër të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM), e cila mundësoi promovimin e këtij libri, përshëndeti drejtori Gëzim Hajdinaga.
Ai, duke folur për kontributin që jep kjo qendër në promovimin e vlerave kombëtare në drejtim të identitetit tonë, tha se vlera e të gjitha vlerave janë personat që janë dhe që nuk janë më mes nesh, e që kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare dhe për arsimin në veçanti, duke e vlerësuar lart kontributin që ka dhënë Pjetër Dreshaj.
“Ne si popull specifik në Mal të Zi kemi çfarë të themi dhe jemi vlerë e vetvetes, e kombit tonë dhe në përgjithësi edhe e shtetit të Malit të Zi, në këtë mozaik të trashëgimisë kulturore me bagazh kaq të fuqishëm që shqiptarët kanë”, u shpreh Hajdinaga.
Për jetësimin e këtij libri foli Dimitrov Popoviq, i cili është kujdesur për mbledhjen e materialeve dhe përgatitjen për botim. Ai shpalosi idenë dhe rrugëtimin që çoi në realizimin e tij, një ide dhe diskutim që e kishin pasur me Pjetrin qëkur ai ishte gjallë.
Popoviq tha se libri ndahet në gjashtë kapituj, si diskutime dhe ese, ndërsa në kapitullin “Kulla e shpresës sime” janë poezitë e përkthyera në shqip nga serbishtja të vëllezërve Martin e Mirash Ivanaj.
“Ne një kapitull ka poezi të tjera të Ismail Kadaresë, Lasgush Poradecit, Bardhyl Londos e Xhevahir Spahiut, të përkthyera në gjuhën malazeze, siç ka edhe më pas përkthimet e poetëve malazezë Risto Ratkoviq, Vitomir Nikoliq e Dushan Kostiq etj. në gjuhën shqipe. Një kapitull të veçantë kemi në libër për çfarë kanë shkruar të tjerët për Pjetrin”, u shpreh Popoviq.
Ai shtoi se një vend të veçantë zënë mirënjohjet për meritat dhe dekorimet, si “Qytetar Nderi” i Komunës së Tuzit, mirënjohja për veprimtarinë në arsim etj.
“Librin e bëjnë më të dashur edhe shumë foto të autorit dhe familjes së tij të afërt. Për Pjetrin mund të flitet shumë dhe kurrë s’do të arrijmë t’i themi të gjitha”, tha Popoviq.
Ai, ndër të tjera, shtoi se “ne, duke mos e vlerësuar veten, kujtojmë se vetëm të tjerët dinë të bëjnë gjëra të mëdha dhe harrojmë se edhe mes nesh ka pasur e do të ketë emra që do t’ia shtojnë nderin dhe krenarinë kombit e atdheut.”
Ndërkohë, Rrok Gjolaj, në kumtesën e tij “Kontributi i Pjetër Dreshajt në fushën e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi”, tha se Pjetër Dreshaj me elegancën, pedanterinë, kulturën dhe njohuritë e tij la mbresa të jashtëzakonshme në Malësi dhe në mbarë trevat shqiptare në Mal të Zi, dhe kudo që ai ka shkuar.
“Pjetri është një emblemë e Malësisë, një pasaportë e jona për kulturën, për arsimin, për përkthimin e për të gjitha gjërat që lidhen me kulturën shqiptare në Malësi dhe më gjerë”, theksoi ndër të tjera Gjolaj.
Ai e cilësoi Dreshajn ndër figurat më të shquara të arsimit në gjuhën shqipe në Malësi, por edhe në të gjitha vendet ku zhvillohet mësimi në këtë gjuhë në Malin e Zi.
“Fillimet e punës së tij shumëvjeçare në këtë drejtim janë që nga vitet ’60 dhe vazhduan deri në dekadat e para të shekullit XXI. Pjetër Dreshaj është ndër figurat më të angazhuara dhe të gjithanshme në fusha të shumta të dijes”, u shpreh Gjolaj.
Ai u ndal veçanërisht te kontributi i Dreshajt si përkthyes, që ai e quajti të lindur.
“Sepse jo vetëm që i shqipëroi vëllezërit Ivanaj nga gjuha serbokroate në gjuhën shqipe, por ai i përktheu në mënyrë të shkëlqyer”, tha Gjolaj.
Ndërkaq, gazetari Senad Gilaj, duke shpalosur një kontribut të gjerë të veprimtarisë së çmuar të Dreshajt në shumë sfera të jetës, veçoi atë në fushën e medias, ku ai kishte punuar.
Gilaj tha se për pakicat, ruajtja e identitetit është arma për mbijetesë dhe se Pjetër Gjokë Dreshaj e ka shtruar udhën që ta bëjë këtë identitet të trashëgueshëm dhe të vazhdueshëm, duke ngulitur gjurmët e bashkëvendësve të vet në kohë dhe si rrjedhojë t’i rezistojnë edhe vetë kohës.
“Dëgjuesi gjithmonë mban mend kur për herë të parë goditet nga një lajm nga bota e rajoni ose siç themi ne kur lajmi merr dhenë, sapo lidhet me frekuencat e duhura të radios. Me siguri, të gjithë që ishim të pranishëm nuk do e harrojmë sa jehonë bënte nëpër radio zëri i Nusret Pllanës me fjalët ‘Ju flet Kosova e lirë’. Kështu edhe dëgjuesi shqiptar në Mal të Zi, i etur për të dëgjuar shqip, mirëpriti në radio fjalët ‘Dëgjues të nderuar, mirëdita’ të Pjetër Dreshajt”, u shpreh Gilaj.
Ai ka shpalosur edhe kontributin dhe vlerësimin e Dreshajt si përkthyes i spikatur, si mësimdhënës i përkushtuar dhe i dalluar i gjuhës shqipe, çmimet që ka marrë etj.
Botimi i kësaj vepre letrare vjen në shenjë kujtimi të përjetshëm dhe mirënjohjeje nga familjarët e të ndjerit, për miqtë, dashamirët dhe shokët e tij. Siç theksohet edhe në hyrjen e librit, familja e botoi atë për ta shpërndarë me respekt në rrethin familjar, miqësor e shoqëror.
Libri është botuar në vitin 2020, në njëvjetorin e ndarjes së autorit nga jeta, ndërsa promovimi u bë tani.
Libri “Përmes vitesh” është një rrëfim i thellë mbi përvojat, ndjenjat dhe kujtimet që autori ka përmbledhur me dashuri e kujtesë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat