Kthimi tek esenca e gjuhës kinematografike

Filmi “Palma”, pasqyron një familje tipike ballkanike ku prindërit, gjeneratë e vjetër, e rritur në kohën e komunizmit, përpiqen të kontrollojnë jetën e fëmijëve të vet, ashtu siç mendojnë ata se është më së miri. Përtej kësaj, filmi zhvillon një konflikt më të thellë dhe më personal për personazhet e tjerë; Babai, që e ka mishëruar i madhi Enver Petrovci dhe e bija “Ana”, që e luan, e talentuara, Flaka Latifi

Tuz – Në Qendrën Kulturore- Informative “Malësia”, të martën mbrëma më 12 dhjetor 2023, u shfaq premiera e filmit me metrazh të shkurtër, “Palma”, i prodhuar nga Radio-Televizioni i Malit të Zi, me skenar dhe regji nga regjisori profesionist i filmit, Gabriel Camaj, ndërsa producente ekzekutive është Farah Laleviq. Rolin kryesor në film e luan aktori i njohur nga Kosova, Enver Petrovci, ndërsa luajnë dhe aktorja e njohur, Flaka Latifi e aktori malazez, Llazar Dragojeviq.
I pranishëm në shfaqje të këtij filmi, përveç një publiku të konsiderueshëm, ishte ekipi i produksionit të Radio-Televizionit të Malit të Zi, që realizoi filmin, në krye me drejtorin e përgjithshëm, Boris Raoniq.
Në emër të organizatorit të shfaqjes së këtij filmi, përshëndeti sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, Marina Ujkaj, e cila tha se është kënaqësi që t’i ndihmojnë regjisorit të ri nga Tuzi, Gabriel Camaj, në krijimin e karrierës së tij.
“Sepse karriera e tij është mënyra më e mirë për të promovuar vendlindjen e vet. Ne si institucion, do të jemi gjithmonë pranë të rinjve tonë. Jam e sigurt se Gabrieli do të na bëjë krenarë me veprimtarinë e tij në të ardhmen”, u shpreh Camaj.
Në emër të produksionit që realizoi filmin, përshëndeti redaktori i programit të dramës në RTMZ, Ognjen Radulloviq i cili vlerësoi punën e regjisorit të ri të talentuar Gabriel Camaj në realizimin e këtij filmi me metrazh të shkurtër, duke thënë se “Palma” është filmi i parë i luajtur në gjuhën shqipe, i realizuar nga produksioni i Radio-Televizionit të Malit të Zi. Ai u zotua se nuk do të ndalen vetëm me këtë film.
Publikun e pranishëm e ka përshëndetur edhe producentja ekzekutive e filmit, Farah Laleviq e cila gjithashtu foli rreth jetësimit të këtij projekti artistik.
Aktori i njohur, Enver Petrovci u shpreh se teksa për herë të parë është kontaktuar nga regjisori Camaj për të luajtur në film, ai tha se ka pranuar me kënaqësi që të bëhet pjesë e filmit, për faktin se siç u shpreh, ky projekt në gjuhën shqipe u mbështet dhe u realizua nga institucionet shtetërore të Malit të Zi.
“Ky do të ishe njëherësh edhe filmi i parë shqip, në produksionin e institucioneve shtetërore të Malit të Zi. Dhe kjo ka qenë kryesorja pse kam ardhur në këtë film”, u shpreh Petrovci.
Në të njëjtën kohë, skenaristi dhe regjisori i filmit “Palma” Gabriel Camaj, duke përshëndetur dhe falënderuar të gjithë të pranishmit, theksoi se qëllimi i tij në jetësimin e këtij projekti artistik ka qenë, kthimi tek esenca e gjuhës kinematografike.
“Dialogu në film përdoret zakonisht për të përcjellë mesazhin e filmit më lehtë. Por, fotografia, kuadri që shikoni në ekran, ngjyra, hija dhe drita janë ato që përbëjnë gjuhën kinematografike. Unë mendoj se kemi arritur që të tregojmë një ngjarje shumë interesante duke e përdorur pikërisht këtë gjuhë” u shpreh Camaj.
Filmi “Palma”, pasqyron një familje tipike ballkanike ku prindërit, gjeneratë e vjetër, e rritur në kohën e komunizmit, përpiqen të kontrollojnë jetën e fëmijëve të vet, ashtu siç mendojnë ata se është më së miri. Përtej kësaj, filmi zhvillon një konflikt më të thellë dhe më personal për personazhet e tjerë; Babai, që e ka mishëruar i madhi Enver Petrovci dhe e bija “Ana”, që e luan, e talentuara, Flaka Latifi.
Skenari i filmit “Palma” është shpërblyer nga Festivali i Skenarëve të Filmit “Koha e krijimit” i organizuar nga Radio-Televizioni i Malit të Zi, në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Malit të Zi dhe me Komunën e Shavnikut.
Xhirimi i filmit “Palma” ka filluar në fillim të vitit 2023, dhe është xhiruar në Malësi- Tuz. Premiera botërore e filmit “Palma” u shfaq këtë verë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, “Pri fest”. Ky film gjithashtu ka marrë pjesë në disa festivale të rëndësishme ndërkombëtare.
Regjisori Gabriel Camaj ka realizuar si student, edhe dy filma të tjerë me metrazh të shkurtër, “Paqja” dhe “Fija e fundit”, ku ishte shqiptari i parë nga Malësia që i shfaqi ata në Kinotekën e Podgoricës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat