
Shtypja në relievin në drugdhendje është një nga metodat më të vjetra të printimeve nga sipërfaqja me reliev. Teksti ose vizatimi i gdhendur në reliev në dru mbulohej me ngjyrë dhe më pas shtypej mbi një copë letre ose pëlhure. Fillet e saj gjenden në Kinë, të përdorura për dekorimet e tekstileve qysh në shekullin V e.s.. Ndërsa, në Evropë, printimi nga blloqet e drurit në tekstile ishte i njohur nga fillimi i shekullit XIV, duke u zhvilluar ngadalë deri në prodhimin e letrës në Francë e Gjermani në fund të të njëjtit shekull. Ilustrimet e printuara merrnin pamje me kontura të rënda dhe me pak hijezime nëpër to. Në këtë teknikë të riprodhimit ilustrues ekzistojnë shkrime historike, vizatime hartash e qytetesh mesjetare, paraqitje të ndryshme nga imagjinata e autorit, si qenie mitologjike, biblike, mbinatyrore, të cilat shprehnin kreativitetin popullor në art.
Humanisti gjerman, Hartmann Schedel (1440-1514), fizikan dhe historian, u angazhua të shkruajë veprën mbi historinë e botës, e njohur si “Kronika Botës e Schedelit” ose “Kronika e Nurembergut” ose vetëm si “Kronika e Botës” (në gjermanisht: “Schedelsche Weltchronik” etj.). Rëndësi sasiore kjo vepër merr për shkak të 652 prerjeve të drurit, ndërsa rëndësi historike dhe kulturore kjo vepër merr se në të mendohet se mund të ishte përfshirë në gdhendjet e ilustrimeve në dru edhe Albrecht Dürer, në atë kohë ende i ri dhe nxënës. Edhe pse ende e padëshmuar plotësisht, ka hollësi të dukshme, si vizatimet e tij të Diellit dhe Hënës, që gjenden në këtë botim dhe e vërtetojnë përfshirjen e tij të drejtpërdrejt. Dürer më vonë bëhet printuesi më i famshëm i drugdhendjes. Edukimi dhe zhvillimi i tij intelektual dhe profesional, do ta bëjnë Dürerin përfaqësuesin dhe artistin më të madh të Rilindjes gjermane.
Modelet e shkruara me dorë, nuk paraqesin vetëm të dhëna të jashtëzakonshme për kërkimin e librit, sepse ato përfshijnë skica të gdhendura në dru, mbase nga vet stilolapsi i piktorit Wohlgemut, mësues i Dürerit. I përbërë nga 1804 drugdhendjeve në vetëm 441 pjesë druri, libri paraqet përsëritje të disahershme të vizatimeve, si të portreteve ashtu edhe të paraqitjeve të qyteteve. P.sh. drugdhendja për paraqitjen Papës, u ripërdor 17 herë; drugdhendja për paraqitjen e doktorit Bartolus, u përdor edhe për paraqitjen e profetit Semeias, filozofit Alpharabius etj. Këto figura dhe të tjera si këto, fillimisht u përgatiten me skica, duke zënë vend proporcionalisht në fletë, në mënyrë që ilustrimi në drugdhendje të vendosej në vendin e duhur. Prandaj, edhe në paraqitjen e qyteteve, kishte riprodhime. Përpos ndonjë ndërtese me arkitekturë të veçantë, disa qytete thjesht u riprodhuan me të njëjtën drugdhendje, si Napoli, Bolonja, Lyon etj. Përmban disa elemente themelore të qyteteve mesjetare: qyteti është i mbrojtur me mure rrethuese; kishte tregti të shpejt që zinte vend të përshtatshëm për anë të lumit apo detit; dhe, gjithherë ajër të pastër, të cilin e mundëson një kodër malore në afërsi. Për paraqitjen e një qyteti të tillë, rivizatuesit e gjetën te Erhard Reuwich në “Peregrinatio in terram sanctum” (1486) në paraqitjen e ishullit të Kretës. Paraqitjet autentike të qyteteve mund vërehen te qytetet Augsburg, Bamberg, Basel, Breslau, Budapest, Eichstätt, Ensisheim, Erfurt, Firence, Gjenevë, Heraklion/Kreta, Jeruzalem, Köln, Konstantinopol, Rhodos, Roma, Salzburg, Strasburg, Ulm, Venedik, Vjenë dhe Würzburg. Këto paraqitje të qyteteve, përpos që u bazuan në shembuj të mëparshëm, ato kishin bazë të mirë edhe nga burimi pamor i drejtpërdrejt i Schedelit. Qytetet nga Anglia, Spanja, Hollanda apo Flandra mungojnë plotësisht.
Kompozimi i historisë botërore të Schedelit, e paraqitur për herë të parë në gjuhë latine dhe gjermane, nuk përmbante tituj të veçantë tradicional të fletave, por vetëm një titull ksilografik të regjistrit: “Register des buchs der Croniken vnd geschichten mit figuren vnd pildnussen von anbeginn der welt bis auf dise vnsere Zeit”. Regjistri hyrës mund të thuhet se është çelës i seleksionimit dhe përdorimit të mëvonshëm të Kronikës. Që në fillim përmenden regjistrat e emrave nga “Aaron” te Papa Zosimus, pastaj emërvendet nga “Achaia” te “Würtzburg”, e deri te historia e kishës që gjendet afër historisë sekulare, historia e Romës antike dhe të Greqisë antike afër Mesjetës dhe mbretër, perandorë, princër të kishave dhe poashtu përmenden filozofët, mjekët dhe “Meister in grammatica”. Ndër të tjera, mund të gjenden të dhëna interesante, si “Druckerey, die in teutschen Landen erfunden” (Shtyprshkonja, që u shpik në tokat gjermane”), deri te shpallja “Venediger mit den Türcken frid gemacht” (“Venedikasit bënë paqe me Turqit”). Për orientim të mëtejshëm në kronikë, secila faqe shënohet me numra romak dhe nje titull që ndërron për çdo kapitull, që fillon nga “erst alter” (“mosha e parë”) deri te “sibend alter” (“mosha e shtatë”), që ndiqet edhe pas një kapitulli të fundit që përfshinë moshën e fundit të botës, që nga gjykimi i fundit dhe fundi i botës.
Mosha e parë Botës fillon me krijimin e botës, por jo drejtpërdrejt sipas rrëfimeve fetare, por duke i përshtatur edhe me të dhënat, diskutimet dhe teoritë e krijimit të botës që nga antika. Puna e veçantë e Schedelit u bazua nga përzgjedhja e burimeve të ndryshme dhe kundërthënieve të tyre. Mosha e dytë e Botës fillon me një riprezantim të punëtorisë së prerjes së drurëve gjatë ndërtimit të Arkës së Noas. Ky kapitull mbyllet me shkatërrimin e Sodomit dhe Gomorrës, ku në drugdhendjen e këtij ilustrimi paraqiten Engjulli, Loti i shoqëruar nga dy bijat e tij, të cilët nuk kthehen pas për ta shikuar qytetin derisa shkatërrohet. Mosha e tretë e Botës fillon me lindjen e Abrahamit deri te Mbreti David. Në të përfshihen histori biblike dhe profane nga Asiria, Egjipti, Greqia dhe Evropa Perëndimore me mitologjinë e botës së hyjnive greke. Ka përshkrime të qyteteve të Rodosit, Trojës, Parisit, Napolit, Venedikut etj. Mosha e katërt e Botës fillon me historinë e mbretërve David dhe Salomon dhe përfundon me shkatërrimin e Jeruzalemit. Përshkruhen qytetet Peruxhia, Roma dhe Gjeneva. Mosha e pestë e Botës fillon me robërinë babilonike dhe rindërtimit të Tempullit të Salomonit. Tani, në vend të profetëve do të përmenden diktatorët romak, filozofët dhe politikanët, rendi perandorak nga Cezari e deri te fushatat e Aleksandrit të Madh. Përshkruhet qyteti i Firencës, Kölnit dhe Augsburgut. Derisa kapitulli paraprak përfundon me fejesën e Maries me Jozefin, Mosha e gjashtë e Botës fillon me lindjen e Jezusit dhe vazhdon deri pas 1500 vjetëve, diku në bashkëkohësinë e autorit. Përshkruhen qytetet Regensburg, Vjena, Nuremberg etj., e deri te Rregullat dhe të Shenjtit, letrarët, e të tjerë. Mosha e shtatë e Botës përshkruan shkurtimisht rreziqet përmes kërcënimeve të ardhjes së Antikrishtit dhe vendimeve të Gjykimit të Fundit. Me perspektivën e shpërblimit të përjetshëm, kronika mbyllet me fjalë plot mirënjohje për krijimin dhe Krijuesin dhe përshkrimin e Gjykimit të Fundit. Me Moshën e fundit të Botës përfundon përmbledhja e Hartmann Schedel.
“Kronika është historia e parë botërore humaniste dhe skolastike në Gjermani. Që përpos temave fetare, laike dhe mitike, kjo vepër është në thelb një ripërmbledhje e historive antike dhe kronikave mesjetare, Në këtë kronikë botërore të vitit 1493 përmendet edhe Shqipëria. Sipas Robert Elsiet, kjo kronikë e ilustruar, me përjashtim të Biblës së Gutenbergut (1454), ishte libri më i lexuar i shekullit të pesëmbëdhjetë. Pra, një “bestseller” botëror i asaj kohe. E njohur edhe si “Kronika e Nurembergut”, sipas Elsiet, mund të përmbajë ndoshta përshkrimin më të hershëm të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Evropën Qendrore.
Pasi i përfundon kapitujt mbi Moshat e Botës, autori i kronikës së botës përshkruan edhe vendet tjera, të cilat në një mënyrë apo tjetrën, i lë jashtë kapitujve kryesor. Në këtë kapitull të fillimit të fundit dhe fundit të fundit të epokës botërore, Schedel përqendrohet mbi Thrakinë, mbi Turqit, mbi Maqedoninë, mbi Akean, mbi Epirin me rrethinë, mbi Shqipërinë me rrethinë, mbi Ilirinë apo siç e quan ndryshe “tokat sllave”, mbi Kroacinë, por përshkruan edhe Austrinë, Poloninë, Norvegjinë, Francën, Portugalinë e të tjera vende. Robert Elsie ka bërë përkthimin në gjuhën angleze të tre kapitujve me interes kombëtar të shqiptarëve, të cilët janë të qasshme lehtë për publikun dhe për shfrytëzimin si literaturë të mëtejshme. “Mbi Maqedoninë”, “Mbi Regjionin e Epirit” dhe “Mbi Regjionin e Shqipërisë”, janë shkrimet të cilat Elsie iu ka ofruar lexuesve. “Maqedonia, ishte dikur sunduese e botës, që shtrihej ndërmjet deteve Egje dhe Adriatik,… dhe që kufizohej me Epirin dhe Ilirinë. Në brigjet e Adriatikut gjendet qyteti i vjetër i Dirachium von Cheroneso… dhe jo shumë larg gjendet edhe qyteti i Apollonisë…” “Regjioni i Epirit gjendet në perëndim të Maleve të Vetëtimës duke u shtrirë në lindje mbi luginën e Ambrakisë dhe kufizohet me Maqedoninë në veri, ndërsa me Akean në lindje. …Dikur kishte fortesa dhe kala të forta, por pas revoltimit të popullsisë kundër romakëve, krahina u shkatërrua.” “Shqipëria ishte pjesë e Maqedonisë. Ka dy qytetet, dikur të njohura, Dirachium (Durrësi) dhe Apollonia. Gjuha e atij populli nuk kuptohet as nga grekët dhe as nga sllavët… Chamusa (Hamzai) është nga ky vend. I lindur nga prindër të krishterë, u konvertua në muhamedan, pastaj ashtu lehtë si e refuzoi kristianizmin e refuzoi lehtë edhe besëtytninë muhamedane dhe u kthye në zakonet e të parëve dhe vdiq në Konstantinopojë. U ndjek pas Georgius Scanderbechus (Gjergj Skënderbeut), i lindur nga prindër fisnikë, që kaloi pothuajse tërë jetën e tij me armë dhe në beteja… Ai mundi dhe asgjësoi shumë ushtri të mëdha të turqve dhe, i vetëm, e mbajti këtë rajon besnik ndaj Ungjillit të Krishtit. Ai mori në kontroll qytetin Croya (Kruja) dhe e mbrojti atë nga turqit…
(Vijon)
(Vijon nga numri i kaluar)
Mbi proporcionin estetik dhe kompozicional të librit mund të thuhet se është libër i trajtuar kujdesshëm. Pozicionimi i tekstit me llojin e shkronjave gotike, të cilat u përdoren në masë të madhe në atë kohë dhe me stilin e vizatimit, përbëjnë një dokument interesant edhe për nga ana pamore. Këto cilësi veprës i shtojnë edhe vlerat estetike, të cilat japin një pasqyrë mbi kohën dhe modën e zhvilluar në mesjetën e vonë, se si librat me rëndësi të posaçme u duken, apo si ato do të duhej të dukeshin. Edhe sot, Enciklopeditë e ilustruara, ku paraqitet pasqyra botërore dhe njohuritë e lloj lloj fushave dhe temave të ndryshme, janë të ilustruara, të shpjeguara dhe përbëjnë një zhvillim kronologjik dhe një kompozim të këndshëm në radhitjen e grafikës në letër.
Secili kapitull, më në fund, secili nënkapitull që përbën përshkrimin e ndonjë qyteti a shteti, personaliteti a besëtytnie, ka për qëllim shfaqjen e njohurive të përgjithshme që veç se ishin të njohura në atë kohë. Madje, Schedel shkon dhe më tutje, i cili bën krahasime edhe të teksteve dhe burimeve më të hershme, që mbase edhe mund të ishin harruar në kohën e tij. Mund të thuhet se edhe varësisht për nga rëndësia që i është dhënë ndonjë vendi, mund të ketë zënë vend më të madh apo më të posaçëm në historinë e tij botërore.
Kështu për shembull përshkrimi mbi Shqipërinë përbëhet nga 16 rreshta. Fillon me emrin Albania, ku shkronja “A” është pak më e dekoruar dhe zë dy rreshta në kryerreshtin e tekstit. Secila shkronjë e madhe është pak më e veçantë se shkronjat e vogla, jo vetëm për nga dekorimet stilistike, por edhe për nga efekti i ngjyrës së kuqërremtë që është përdorur për zbukurimin e shkronjës së madhe. E prodhuar me metodën e shtypjes së shkronjave në letër, përmes ngjyrës dhe teknologjisë mekanike të kohës, shkronjat gotike, i japin veprës një dimension madhështor, jo vetëm për nga vjetërsia e saj 530 vjeçare dhe jo vetëm për nga përmbajtja e saj enciklopedike, madje as për nga vlera e saj e jashtëzakonshme kulturore e historike, por i japin asaj një karakter të veçantë në gurthemelin e qytetërimit monumental të njerëzimit. Për literaturën dhe historiografinë shqiptare, është burim reference dhe mbështetje historike mbi përnjohjen e dimensionit shqiptar dhe të Shqipërisë së asaj kohe. Pavarësisht, se përshkrimi i Shqipërisë apo i Ilirisë nuk shoqërohet me ilustrim, vet rëndësia e shkrimit si e dhënë në këtë dokument me përmasa botërore të botës mesjetare, përbën ilustrim më vete. Sa i përket ilustrimit, ka figura njerëzish, secili më i rëndësishëm se tjetri, për të cilët janë përdorur drugdhendjet e njëjta, e po ashtu e njëjta vlen edhe për qytetet: ilustrimi që paraqitet për Maqedoninë në faqen CCLXXIII, i njëjti ilustrim është i përdorur edhe për Portugalinë në faqen CCLXXXV.
Sot, “Kronika Botërore” konsiderohet si vepër madhore me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore. Është një histori universale e përpiluar nga burime më të vjetra dhe bashkëkohore nga mjeku, humanisti dhe bibliofili të Nurembergut, Hartmann Schedel. Është një nga veprat më dendësisht të ilustruara dhe më të avancuara teknikisht të shtypjeve të hershme. Mbi 500 vjet para Google, siç do ta theksojë studiuesi i veprës, Stephan Füssel, ishte Enciklopedia e famshme e Hartmann Schedel e vitit 1493.
(Fund)
