Kronikani i ditëve tona

Sintagma “Ulqini florini” përdoret zakonisht për të treguar bukuritë natyrore dhe pasuritë e mëdha të Ulqinit, por “florinj” për Karamanagën janë ata njerëz të mirë dhe të shtrenjtë, me vlera të larta njerëzore dhe morale, mbi të gjitha, të cilët Ulqinin e tij e bëjnë më të bukur

Ismet Kallaba

Libri i ri i Ismet Karamanagës “ULQINI FLORINI – Portrete – In memoriame” është vazhdim i dy librave të mëparshme të këtij autori, “KALAJA – Legjendë dhe art” dhe “ULQINI – Monumente – Portrete – Ngjarje”. Ai vjen si rezultat i dashurisë së autorit ndaj vendlindjes dhe qytetit të tij Ulqinit.
Libri përbëhet nga dy pjesë kryesore: portrete dhe in memoriame, që së bashku përbëjnë një tërësi.
Me bagazhin e njohurive mbi të kaluarën e Ulqinit, Karamanaga na sjell atë pjesë të figurave të harruara që kanë shënuar një epokë të caktuar, me të vetmin qëllim për t’i nxjerrë nga harresa e kohës dhe që të kujtohen nga brezat e ardhshëm. Në përgjithësi, personazhet e portreteve të tij janë njerëz të thjeshtë, por që me punën dhe veprën e tyre në fusha të ndryshme shquhen sepse kanë bërë diçka të veçantë për qytetin dhe popullit e vet. Autori i pëshkruan ata si “markantë, të mirë, të butë, të cilët nuk e kanë ngritur kurrë zërin…” Ndërkaq In memoriamet janë dedikim ndaj atyre njerëzve që nuk jetojnë më.
Karamanaga, ky kronikan i ditëve tona, vrojton dhe regjistron me kujdes, kurse me aparatin e tij fotografon çdo gjë që ndodh në Kala, Ranë dhe në pjesët tjera të qytetit të Ulqinit. Vëzhgimet e tij, që përbëjnë memorjen e kohës së shkuar dhe të sotme, i publikon në profilin e tij në facebook dhe në gazetën “Koha javore”, duke i ndarë me miqtë e tij dhe lexuesit.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “827” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat