Ulqin – Filmi dokumentar “Trashëgimia kulturore përmes filmit dokumentar”, me autor gazetaren Hatixhe Nelaj, e cila është njëherazi drejtoreshë e SOS Telefonit për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës në Ulqin, është promovuar të martën (13 qershor 2023), në mjediset e Hotelit “Nobel” në Ulqin.
Në qendër të këtij dokumentari janë krojet e Ulqinit, që dikur përdoreshin për qëllime të ndryshme, si një pasuri dhe trashëgimi e rëndësishme, por edhe shkatërrimi i tyre dhe i mjedisit përreth, duke bërë që vetëm një pjesë e tyre të jenë funksionalë në ditët e sotme. Përmes bisedave me njohës të së kaluarës, traditës dhe trashëgimisë kulturore, vihet në pah rëndësia e krojeve në jetën e popullsisë në të kaluarën dhe si një potencial me vlera për zhvillimin e turizmit kulturor.
Autorja e filmit dokumentar Hatixhe Nelaj ka thënë se SOS Telefoni ka 22 vite që ekziston në Komunën e Ulqinit dhe merret kryekëput me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve viktima të dhunës, mirëpo prej dhjetë vitesh ka filluar të realizojë dokumentarë.
“Ky është dokumentari ynë i tetë. Pa modesti, por unë jam autore e të gjitha këtyre dokumentareve”, është shprehur ajo.
Nelaj ka falënderuar ekipin realizues të dokumentarit – gazetarët Bekim Çoba dhe Dafina Teliqi, kameramanin Shaban Bajraktari dhe montazhierin Amir Suka.
“Po të mos kisha një ekip të mirë, sigurisht që dokumentaret nuk do të mund të realizoheshin”, ka theksuar ajo, duke shtuar se në të ardhmen do të vazhdojë të punojë “edhe më fort vetëm që të rinjve tanë t’u lëmë, të kenë të shënuar ato çfarë kanë hequr nënat tona, gjyshet tona dhe mos të harrojmë trashëgiminë tonë kulturore”.
Disa nga bashkëbiseduesit në dokumentar kanë shprehur po ashtu mendimet e tyre për vlerat e krojeve të Ulqinit dhe të dokumentarit.
Dr. Maksut Haxhibrahimi ka thënë se krojet janë trashëgimi kombëtare, pasuri e çmuar jo vetëm e vendit ku ato ndodhen por edhe e gjithë njerëzimit.
“Krojet si monumente arkitektonike janë pjesë e monumenteve të kulturës që ruajnë vlera të veçanta të konceptimit dhe realizimit arkitekturor, vlera historike, kulturore dhe artistike”, ka thënë ai.
Sipas Haxhibrahimit, “detyra jonë është t’i njohim dhe t’i mbrojmë ato nga dëmtimi, t’i vëmë në shërbim të zhvillimit dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm”.
Ai ka nënvizuar problemet e mëdha dhe shqetësuese që lidhen me shkatërrimin e krojeve pothuajse në të gjitha zonat ku ato ndodhen në Komunën e Ulqinit.
Ilijaz Beci, njëri ndër bashkëbiseduesit në dokumentar, ka thënë se ky dokumentar mbase dikujt mund t’i duket shumë i vogël, por vlerën e ka shumë të madhe.
Ai ka thënë se gjeneratat e reja duhet të shohin dhe ta dinë se si është jetuar në atë kohë, në çfarë kushtesh, si është mbajtur pastërtia në kohën kur nuk ka pasur as ujë, as rrymë.
“Nanat tona na kanë rritur me shumë zor. Të gjitha gratë e kanë pasur peshën më të madhe në familje dhe punën më të madhe në familje në ato kohë. Shumë shtëpi në Ulqin kanë pasur edhe pusa. Ata e kanë pasur kollaj të mbajnë pastërtinë e shtëpisë dhe pastërtinë e teshave, kurse ata që nuk kanë pasur është dashur të shkojnë të mbushin ujë ose te kojshia në pus, ose ndër kroje. Dhe ujë për të pirë vetëm prej krojeve të burimeve që kanë qenë”, është shprehur ai.
Publicisti Gazmend Çitaku, i cili merret me hulumtimin e trashëgimisë historike dhe kulturore, ka falënderuar paraardhësit të cilët, sipas tij, “na kanë lënë trashëgimi të gjitha këto gjëra, të gjitha këto begati”.
Duke folur për krojet e Ulqinit, ai ka thënë se ato “janë ruajtur si janë ruajtur”.
“Ka dashur fati dhe janë ruajtur vetvetiu deri në ditët e sotme, sepse ne nuk kemi ditur t’i ruajmë, ne kemi ditur vetëm t’i shkatërrojmë”, ka theksuar Çitaku.
Ai ka thënë se aty ku ka prekur dora e njeriut, krojet janë shkatërruar.
“E them këtë me keqardhje, por ky është realiteti”, ka potencuar Çitaku.
Në fund të promovimit, SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin ka ndarë mirënjohje për protagonistët e dokumentarit Ilijaz Beci, Ismet Karamanaga, Dr. Maksut Haxhibrahimi, Gazmend Çitaku dhe Qazim Hoxhiq, për përkrahje dhe kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë gjuhësore, trashëgimisë kulturore, vlerave dhe traditave më të mira kombëtare të Ulqinit.
Filmi dokumentar është prodhuar nga SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.
