Kriza e librit, pasojë edhe e politikës tatimore

Të premten është bërë përurimi i përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh” i poetit Haxhi Shabani, botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Malit të Zi

Tiranë – Edicioni i 20-të i Panairit të Librit në Tiranë, i cili vlerësohet si veprimtaria më e madhe e librit në hapësirën shqiptare, është mbajtur nga data 15-19 nëntor në Pallatin e Kongreseve në kryeqytetin e Shqipërisë.
Sipas organizatorit, Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, 97 botues nga vendi dhe rajoni, kanë marrë pjesë në edicionin e këtij viti, i cili qoftë për nga numri i pjesëmarrësve, por sidomos nga numri i titujve të rinj ka qenë më i varfër se vitet e kaluara.
Kriza e librit për shkak të mungesës së politikave kulturore stimuluese ka qenë kryefjala e botuesve, të cilët kanë shprehur brengosjen e tyre se janë të detyruar që të botojnë libra në një tirazh shumë të vogël, që nganjëherë nuk i kalon 200 kopje.
Për këtë arsye, edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Tiranë u hap me afishet që bënin thirrje për zbritjen e tatimit mbi librin dhe honoraret e shkrimtarëve. “Tatimi mbi librin nga 20 për qind në 5 për qind, për të gjithë, pa përjashtim” e “Tatimi mbi honoraret nga 15 në 5 për qind”, ishte afishuar në muret e Pallatit të Kongreseve.

Dy ekspozues nga Mali i Zi
Në mesin e botuesve pjesëmarrës në Panair ishin dy nga Mali i Zi – Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Malit të Zi, i cili merr pjesë për të tretën herë në këtë panair, dhe Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi, që u prezantua për të parën herë me botimet që janë mbështetur nga ky institucion.
Drejtori i Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi, Safet Kurtagiq, shprehet i kënaqur me paraqitjen e tyre duke thënë se interesimi për botimet e ekspozuara në stendën e tyre ka qenë i madh.
Ai konsideron se ky institucion ka obligim që produksionin e vet, atë çfarë kanë mbështetur me mjetet e tyre financiare, kurse botuesit tjerë kanë botuar, t’ia prezantojnë jo vetëm opinionit malazez, por edhe vendeve të rajonit, “në mënyrë që të afirmojmë politikën e pakicave të Malit të Zi, sidomos politikën kulturore të bashkësive të pakicave në Mal të Zi të cilën ne e mbështesim”.
Sipas Kurtagiqit, Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave ka mbështetur botimin e më shumë se 600 titujve në gjini të ndryshme, të pjesëtarëve të pakicave në Mal të Zi.

Përurohet libri i poetit Haxhi Shabani
Para stendës së Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Malit të Zi, të premten është bërë përurimi i përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh” të poetit Haxhi Shabani.
Botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, libri është një zgjedhje nga tërë krijmtaria e këtij poeti.
Redaktor i librit është poeti dhe studiuesi Dimitov Popoviq, kurse recensentë poeti e studiuesi dr. Basri Çapriqi dhe Ma. Liridona Sinishtaj, e cila ka shkruar edhe parathënien e librit.
Redaktori i librit Dimitrov Popoviq ka thënë se ky libër është përmbledhje nga poezitë më të bukura që autori ka shkruar gjatë jetës së tij, prandaj është mirë që ta keni në bibliotekën tuaj.
Duke folur për vlerat e librit, ai ka thënë se ky libër nuk është i rëndësishëm vetëm sepse e botojnë ata, por siç ka thënë ai, “sepse botojmë njeriun, poetin, shkrimtarin e vërtetë”.
Ndërsa vetë autori mr. Haxhi Shabani ka thënë se ndjehet i nderuar që libri i tij përurohet në Panairin e Tiranës, pasi që ky panair këto ditë është bërë një kult i librit jo vetëm te shqiptarët, por edhe në rajon.
Ai ka thënë se “libri është ai që dëshmon se edhe shqiptarët në Malin e Zi shkruajnë letërsi shqipe, dhe nuk duhet harruar që pikërisht fillet e letërsisë shqipe të shkruar në Malin e Zi janë në trevën e Ulqinit dhe Tivarit”.
Shabani ka theksuar se letërsia shqipe që krijohet nga shqiptarët në Malin e Zi ka nevojë të integrohet.
“Kjo letërsi, e cila bëhet sot aq sa bëhet, te shqiptarët në Malin e Zi, është një letërsi e cila ka nevojë që të integrohet edhe brenda letërsisë kombëtare shqiptare, por ka nevojë të integrohet edhe brenda letërsisë së Malit të Zi”, është shprehur ai, duke falënderuar botuesin dhe redaktorin e librit për përgatitjen e librit.
Autori ka nënvizuar se “edhe me këtë botim, edhe me disa botime të tjera, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore po dëshmon se Mali i Zi është i përgatitur që të integrojë edhe pakicat, normalisht duke ruajtur specifikat e tyre”.
Në përurim morën pjesë një publik i gjerë, si poetë, studiues e mësimdhënës nga Tirana, Podgorica, Tetova, Ulqini e Tuzi, si dhe nxënësit dhe mësimdhënësit e Gjimnazit “Drita” nga Ulqini. Të gjithë pjesëmarrësve në përurim poeti Haxhi Shabani u dhuroi nga një libër nga krijimtaria e tij.
Edicioni jubilar i Panairit të Librit në Tiranë është mbyllur të dielën me ndarjen e çmimeve për autorë e shtëpi botuese. i. k.

Të fundit

më të lexuarat