Krijuesi që jeton dhe frymon me Krajën e tij

“Publicistika është krijimtari e veçantë e Ali Gjeçbritajt, përmes së cilës tregon ngjarjet, rrëfen të kaluarën, kujdeset që e ardhmja të ketë udhëzues dhe ushtron me profesionalizëm rolin e mësuesit edhe për ne nxënësit e rritur, që përmes këndvështrimit të tij dhe perceptimit të tij intelektual, të kujdeset të na lërë në mendjen tonë gjurmë të pashlyeshme të trashëgimisë sonë materiale dhe jomateriale”, ka thënë studiuesi Korab Kraja

Ostros – Në prani të personelit mësimor, nxënësve dhe adhuruesve të kulturës, në bibliotekën e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros, të mërkurën (14 shkurt 2024) është bërë përurimi i librit “Gjurmë” të autorit Ali Gjeçbritaj.
Përurimi është organizuar nga shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, e cila e ka botuar librin. Për autorin dhe librin kanë folur në emër të organizatorëve drejtori i shkollës, Sami Doda dhe kryetari i SHAI “Art Club” dhe redaktori i librit, Ismet Kallaba.
Drejtori i SHF “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Sami Doda, ka thënë se kjo shkollë i ka gjithmonë dyert e hapura për aktivitete kulturore dhe është e gatshme për bashkëpunim.
“Por kur është fjala për Aliun, gjithsesi e ndiejmë edhe obligim dhe e presim edhe më me dëshirë dhe kënaqësi dhe me shumë emocion, duke pasur parasysh punën e tij mbi 40-vjeçare në këtë shkollë. Dhe ashtu siç titullohet libri i tij që po e promovojmë sot, ‘Gjurmë’, ashtu edhe Aliu ka lënë gjurmë të pashlyeshme në këtë shkollë, duke edukuar dhe arsimuar breza dhe gjenerata me radhë”, është shprehur ai.
Kryetari i SHAI “Art Club” dhe redaktori i librit, Ismet Kallaba, ka thënë se Ali Gjeçbritaj është një autor produktiv, pena e të cilit nuk pushon kurrë.
“Kraja është një gurrë e pashtershme. Ali Gjeçbritaj jeton dhe frymon me Krajën e tij. Ai gjurmon, dëgjon, regjistron dhe shkruan për të mos harruar. I pajisur me kulturën gojore nga më të moshuarit, rrëfimet e tyre ai i përdor shpesh për krijimet e tij duke i bërë ato (rrëfimet) të pavdekshme”, është shprehur ai.
Kallaba ka theksuar se “kush do ta njohë më mirë Krajën, historinë, trashëgiminë, kulturën, shpirtin e banorëve të saj, le të lexojë librat e Ali Gjeçbritajt”.
Studiuesi Korab Kraja ka thënë se “publicistika është krijimtari e veçantë e Ali Gjeçbritajt, përmes së cilës tregon ngjarjet, rrëfen të kaluarën, kujdeset që e ardhmja të ketë udhëzues dhe ushtron me profesionalizëm rolin e mësuesit edhe për ne nxënësit e rritur, që përmes këndvështrimit të tij dhe perceptimit të tij intelektual, të kujdeset të na lërë në mendjen tonë gjurmë të pashlyeshme të trashëgimisë sonë materiale dhe jomateriale”.
Ai ka thënë se libri “Gjurmë” përmban një korpus të madh shkrimesh të vlerave tona të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
“Trashëgimia kulturore bëhet trashëgimi e tillë, pra kulturore, sepse në të është i përmbajtur koncepti i universales. Shumë nga trashëgimitë tona kulturore, qofshin ato materiale apo jomateriale, mund të shpallen si Vlera të Jashtëzakonshme Universale. Vetëdija e autorit për këto vlera të jashtëzakonshme universale, të quajtura ndryshe edhe si vlera botërore, ka bërë që të rreket me to dhe të bëjë për to dokumentim të jashtëzakonshëm prej publicisti”, ka thënë Kraja.
Në fjalën e tij, autori Ali Gjeçbritaj ka thënë se libri nuk ka pretendime shkencore dhe se ai ka bërë përpjekje që të mbesë diçka nga kujtimet e të parëve.
“Të gjitha këto unë nuk i kam marrë nga arkivi, por nga goja e të moshuarve”, ka theksuar ai, duke i porositur të rinjtë që të mbjellin arsim, kulturë dhe mos ta harrojnë trashëgiminë kulturore “që të na e shkruajë dikush tjetër gabim”.
Gjatë përurimit fragmente nga libri kanë lexuar nxënëset e klasës së tetë të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Medina Draga dhe Alvina Perashi, kurse përurimi është udhëhequr nga mësimdhënësja e kësaj shkolle, Naile Tahiri.
Në fund të përurimit, autori ka ndarë libra falas për pjesëmarrësit.
Libri “Gjurmë” është përmbledhje e artikujve të botuar në organet e shtypit si “Koha javore”, “Buzuku” etj., e kumtesave, fjalimeve të mbajtura në aktivitete dhe manifestime të ndryshme si dhe e recensioneve. Ai paraqet një kronikë të jetës së banorëve të Krajës ndër shekuj. Libri është dëshmi e pasurisë së madhe natyrore, historike dhe trashëgimisë kulturore të Krajës.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat