Duke e çmuar aq lart krijimtarinë letrare dhe publicistike të Dritëro Agollit, studiuesit e letërsisë në të vërtetë çmojnë lart njëkohësisht dhuntinë aq të gjithanshme krijuese të popullit shqiptar; dhe duke e lexuar aq shumë e duke e dashur aq shumë krijimtarinë e gjithanshme letrare e publicistike të Dritëro Agollit lexuesit shqiptarë njëkohësisht e duan krijimtarinë e popullit të vet
Rexhep Qosja
Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të krijuesit të madh të letërsisë shqipe, Dritëro Agolli.
U nda nga jeta sot për të mbetur përgjithmonë krijues i madh në jetën shpirtërore historike të kombit të vet.
Dritëro Agolli tashmë është klasik i letërsisë shqipe. Vendi i tij në këtë letërsi është i përcaktuar dhe i qëndruar përgjithmonë.
Dritëro Agolli është shumë i çmuar prej historianëve të letërsisë dhe, njëkohësisht, shumë i lexuar dhe shumë i dashur prej lexuesve.
Fat të këtillë nuk kanë shumë shkrimtarë. Një numër i shkrimtarëve janë shumë të çmuar prej studiuesve të letërsisë, por nuk janë shumë të lexuar e të dashur prej lexuesve. Të këtillë janë shkrimtarët e mëdhenj botërorë Marsel Prusti, Xhems Xhojsi, Virxhinia Ulfi, Uiliem Fokneri. E të tjerë. Një numër i shkrimtarëve janë shumë të lexuar e të dashur prej lexuesve, por nuk janë aq të çmuar prej studiuesve të letërsisë. Të këtillë janë shkrimtarët e letërsisë zbavitëse, të letërsisë kriminalistike, të letërsisë politike, të bestselerëve të ndryshëm, ndër të cilët hyjnë Agata Kristi, Zhorxh Simenoni, Den Brauni i famshëm. E të tjerë.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “751” të revistës Koha Javore