Krijimtaria gojore – poezia e popullit

Luljeta Avdiu – Cura

Shënime jetësore bibliografike për autorin
Ismail Doda u lind në fshatin Arbnesh të Krajës, Komuna e Tivarit në maj të vitit 1940 ( i regjistruar pas Luftës së Dytë Botërore me hamendje më 22.12.1939). Rrjedh nga prindërit nëna Emine Mustakolaj-Doda (10.8.1910 – 10.3.2012) dhe babai Elezi (1903-1974), i lindur në Stamboll (Turqi).

  1. Punësimi dhe studimet
    Dr. Ismail Doda në Arbnesh kreu shkollën fillore katërklasëshe (1951/52), tetëvjeçaren (gjimnazin e ulët) në Ostros (1955/56) si gjenerata e parë e gjysmëmaturantëve në Krajë.
    Në Prishtinë Normalen pesëklasëshe (7.2.1962). U shpërblye për suksesin e arritur nga bursëdhënësi – Komuna e Tivarit. Diplomoi në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe (7.10.1974), regjistroi studimet pasuniversitare dhe mbrojti magjistraturën (26.4.1985).
    Në Tiranë në Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA) doktoroi në shkencat etnografike dhe folklor pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Më 22.1.2015 mbrojti disertacionin me temë “Baladat popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” dhe fitoi gradën shkencore Doktor.
    Më 23 tetor 2003 doli në pension pas dyzet viteve punë kryesisht në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Ostros. Për dy mandate ishte edhe drejtor (3.7.1968 – 31.8.1977). Si student (janar- gusht 1965) dha gjuhë shqipe si lëndë fakultative në klasë paralele me mësim në gjuhën serbo-kroate, ku mësonin edhe shumë nxënës shqiptarë në Shkollën Fillore “Vuk Karaxhiq” të Prishtinës.

Botimet
“Në prehër të jetës së re”( doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën e VIII), përpiluar në bashkëautorësi me Lucë Lucaj, Gjergj Gjokaj dhe Gjergj Berishën.
“Balada popullore të shqipëtarëve në Malin e Zi” (Përmbledhje), I – është libri i dytë.
Ismail Doda po ashtu përgaditi për shtyp si redaktor shkencor librin “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar”, me përmbledhje të punimeve nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar, Ulqin 2011.
Dr. Ismail Doda ka pasur ndër vite një fushëveprim dhe bashkëpunim të gjerë shkencor.
Vlen të theksohet se nga datat 20-25 nëntor 1972 në Shqipëri ka qenë delegat në Kongresin e Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe. Ka përshëndetur në emër të shqiptarëve në Malin e Zi, ka mbajtur kumtesë dhe ka nënshkruar dokumentin përfundimtar të shqipes së njësuar.

21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga”- Katërkollë me mysafirin e veçantë
Këtë vit në Ditën Botërore të Poezisë, vendosa ta titulloj takimin “Krijimtaria gojore – poezia e popullit”, në nderim të paraardhësve tonë që me fanatizëm e kanë ruajtur krijimtarinë gojore të trevave shqiptare në përgjithësi, dhe të trevave shqiptare në Mal të Zi në veçanti.
Letërsia gojore ndryshe quhet edhe letërsi popullore. Kjo letërsi ka qenë më prezente në kohën kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe lexim, kështu që gjërat e shkruara kanë qenë të rrëfyera gojarisht. Kjo krijimtari shpirtërore na jep një pasqyrë afërsisht të saktë të jetës shpirtërore të një populli duke e vështruar atë nga aspektet shoqërore, ekonomike, familjare, mitologjike, kanonore, ndërnjerëzore dhe moral, por ndonjëherë përdoret edhe trillimi (zanat, orët, sibilat, etj). Populli i këtyre periudhave edhe pse i pa formuar intelektualisht për ta zhvilluar një jetë të pasur shpirtërore, ketë jetë ka ditur ta paraqesë dhe përfytyrojë artistikisht.
Letërsia gojore ka një periudhë historike shumë të gjatë. Fillimet e saj janë që në kohën e egërsisë kur njeriu ka pasur nevojë t’i komunikojë tjetrit përvojën e fituar në luftë me kafshët apo natyrën, dhe duke ua transmetuar të tjerëve në fillim me gjeste e më vonë edhe gojarisht. Bartësit e kësaj veprimtarie krijuese nuk e kanë nxjerrë veten në sipërfaqe, prandaj dhe janë quajtur krijues anonim.
Të gjitha krijimet gojore i përshkon një optimizëm i çiltër, një shpresë e madhe për një të ardhme të lumtur, një besim i paluhatshëm në fuqinë e popullit për ta transformuar të keqen në të mirë, vuajtjen në lumturi, robërinë në liri, etj. Krijuesit popullor kanë një imagjinatë të bujshme dhe e paraqesin realitetin e kohës në mënyrë besnike dhe përmes të kaluarës dhe të tashmes ndërtojnë vizionin për një të ardhme të mirë apo të lumtur.
Pasi që folklori bën pjesë në jetën e gjallë të popullit, ai është ngusht i lidhur me zakonin dhe besimet e popullit dhe kjo bën që shkenca e folkloristikës të këtë nevojë për disiplinat shkencore ndihmëse si: etnografi – shkencë e mënyrës së jetesës së popullit, muzikologji – shkencë mbi kulturën e muzikës, ortografi – shkencë mbi drejtshkrimin e saktë dhe dialektologji – shkencë mbi të folurin e popullit sidomos këngët lirike/epike.
Në këtë letërsi hyjnë krijimet si: legjendat, përrallat, gojëdhënat, këngët, ninullat, gjëegjëzat, etj. Krijimtaria gojore ka lindur më herët sesa krijimtaria e shkruar. Asaj nuk i njihet autori. Në të vërtetë, secili krijim popullor ështe krijim i mendjes së një njeriu, por me kohë ai zakonisht shkon duke u plotësuar dhe duke u përshtatur varësisht nga mjedisi ku përhapet. Pra, krijimtaria gojore nuk krijohet përnjëherësh nga turma, por duke u shtrirë gjithnjë e më gjerë dhe duke pësuar ndryshime, përshtatje dhe modifikime ajo humb autorësinë e saj dhe bëhet krijim popullor. Madje në letërsinë gojore ekzistojnë edhe variantet e ndryshme të të njëjtit krijim, të njohura si motërzime.

“Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (Përmbledhja I)
Në lidhje me librin e fundit “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, autori shprehet:
“Këtë visar të rrallë u përpoqëm ta përjetësojmë në përmbledhjen e përsosur – përmendoren madhështore në krijimtarinë gojore popullore, falë 72 këngëtarëve që i ushtruan, i ruajtën me përkushtim, duke na i kënduar a deklamuar me atë zë të bukur dhe na mundësuan t’ua lëmë breznive – kombit trashëgim. Baladat e këtyre viseve janë dëshmi e një folklori të lashtë ilir dhe në vijim arbër e shqiptar, si ndikim në folklorin e trevave që më vonë u sllavizuan: në Dalmaci, Bosnje e Hercegovinë, në Malin e Zi e gjetkë. Kësodore u vërtetua dukuria dhënëse e kësaj pjese të kulturës sonë popullore tek fqinjët, si dhe ndikimet e ndërsjella. Tekstet e baladave me gjithë përbërësit e tyre etnofolklorikë përmbajnë e reflektojnë edhe fuqi magjike për të paraqitur, gjallëruar dhe mbrojtur tradita e identitet kombëtar në vendlindje, atdhe dhe jashtë tij, duke depërtuar në mërgatë tek një pjesë e madhe e popullatës shqiptare. Kudo këndohen, recitohen dhe interpretohen. Madje edhe në valle. Forcojnë gjuhë e vetëdije kombëtare. Pa këta faktorë qenësorë rrezikohet identiteti kombëtar që ka filluar të venitet shkallë-shkallë. Qëllimi ynë përmbushet me daljen në dritë të përmbledhjes me vlera të dëshmuara. Ajo iu bëhet ndihmë dhe iu hyn në punë nxënësve, studentëve dhe studiuesve për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë për baladat dhe folklorin shqiptar, duke i tërhequr dhe bërë për vete lexuesit që do ta kenë në dorë këtë xhevahir folklorik”.

NA I RA MJEGLLA BUNARIT
(Shas – Ana e Malit, 14.2.1987)
Na i ra mjeglla Bunarit
Vajt e ra ner Vardanas-e.
Nej tri ditë e nej tri net-e Ku punojnë tre ustallar-e

  1. vjen nji plak-o njatyparna:
  • Puna mar-o ustallar-e!
    Të marë paç, o plak bunjar-e!
    Ku p’ e sheh të marën ton-e?
    Na gjidh ditën po punojmë
  1. e gjidh natën pa rranojnë.
    A din plak nej hall për ne-e?
  • Unë po dij, po m’ vjen gjynah-e.
    Se gjynahin e bajmë na-e.
  • Ju tre vllazen çi po jeni,
  1. ju të tre çikat i keni.
    Lidhni besë e lidhni fe-e.
    Çikave mos u kallxoni.
    Kanë lidhë besë e kanë lidhë fe.
    Ma i pari qen-vëlla-e-
  2. ka çartë besë e ka çartë fe.
    Ma i dyti qen-vëlla-e
    -ka çartë besë e ka çartë fe.
    – Ma i treti tem-vëlla-e
    s’ çarti besë as s’ carti fe,
  3. çikës ti s’ i ka kallxue.
    Thrret katnana: o gjelin-e!
    O gjelinë, para gjelin-e!
    Ustallartë pa dojshin buk-e.
  • Besa sot nanë jam e lig-e…….

Përveç temave bukur të shtjelluara nga doktori, vëmendjen ta tërhiqte edhe kurioziteti i nxënësve për të dëgjuar shtjellimin e temës në fjalë dhe pse jo edhe për të lexuar me emocion pjesë nga krijimtaria gojore. Ngjarja në fjalë emocionoi nxënësit, por edhe mësimdhënësit e tjerë të cilët morën pjesë në orën letrare.
Pyete gjyshin/gjyshen do të ishte detyra e shtëpisë e radhës!
Përfundim
Ndoshta Gjon Buzuku gjatë qëndrimit në Krajë e ka bekuar këtë trevë, që aty të rriten njerëz të penës e dijes dhe puna e mundi i tyre të manifestohet me vepra të shkruara që i shërbejnë breznive, sot e mot!
Njerëzit si Dr. Ismail Doda duhet të kenë përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve tona. Po ashtu, në data të caktuara duhet të nderohen dhe duhen marrë shembull për punën dhe aktivitetin e tyre.
Rrno për me tregue!

Të fundit

më të lexuarat