Krijimtari e pasur artistike

Tuz – Pas qytetit të Podgoricës ku veprat e tyre u ekspozuan para një jave në Shtëpinë e Kulturës “Budo Tomoviq”, piktorët nga Ulqini e prezantuan krijimtarinë e tyre të pasur artistike edhe në Tuz, të hënën në mbrëmje.
Ekspozitën “Reflektim i mediteranit” e përbërë nga afro dyzetë piktura të piktorëve të njohur nga Ulqini, Vahida Hasanaga-Nimanbegu, Bilal Nikeziq, Brigita Antoni, Edin Kapllanit, Jozo Kocoviq, Mersiha Rasulbegoviq- Mavriq dhe Naser Hasa e vizituan përfaqësues të pushtetit vendor, diplomatë, figura politike në vend, dhe personalitete të fushave të ndryshme jetësore.
Motivi dhe frymëzimi që ngjall fryma mesdhetare është e përbashkëta e pamjeve dominante të këtyre punimeve artistike të realizuara nga piktorët në fjalë. Në këto punime, secili artist e trajton temën frymëzuese në mënyrën e vet specifike e unike të ekspozimit të objektivit të veprave. Artistët nëpërmjet këtyre veprave artistike përcjellin atmosferën që sjell bregdeti me dukuritë e tij dhe diversiteti natyror.
Në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, piktori nga Ulqini, Jozo Kocoviq, tha se tematikë kryesore e opusit të tyre artistik është mediterani, por edhe inspirim kryesor i tyre për të krijuar.
“Pikturat përbëhen nga një diversitet punimesh, ku disa konsistojnë në rryma apo frymëzime të tjera, mirëpo pjesa më e madhe janë ato ngjyrat, format dhe inspirimi mediteran”, shprehet Kocoviq.
Ai mendon se nevojiten organizime më të mira artistike në mënyrë që këto aktivitete të jenë më të konsoliduara dhe të krijohet njëfarë kontinuiteti.
“Sepse nëse ka shkëputje atëherë edhe auditori krijon shkëputje dhe nuk e ka atë shprehi që të frekuentoj ekspozita dhe galeri. Është shumë e nevojshme që të krijohet vazhdimësia e aktiviteteve artistike”, përfundoi piktori Kocoviq.
Ekspozitën “Reflektim i mediteranit” e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, ndërsa është organizuar nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 16 shkurt nga ora 8 deri në orën 16.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat