Krijimi i artit dhe shprehjes unike përmes kolazhit

“Artistja krijon artin i cili nuk tenton të paraqesë njeriun dhe botën në mënyrë tradicionale, por e paraqet në mënyrën e saj të lirë, në mënyrë hulumtuese, ku ekzistojnë mënyra të shumta për të paraqitur emocionet, mendimet dhe qëndrimet”, është shprehur piktorja Vahida Hasanaga - Nimanbegu

Ulqin – Në kuadër të programit të festivalit Skena Verore “Ulqini 2024”, të premten mbrëma (30 gusht 2024) është hapur ekspozita e piktores nga Prishtina, Luljeta Rama – Muçaj, në të cilën ajo është prezantuar para artdashësve me vepra të punuara me teknikë të kombinuar.
Piktorja ka thënë se disa prej punimeve të saj i ekspozon për herë të parë në Ulqin dhe se një pjesë e tyre do t’i prezantojë edhe në ekspozitën e radhës në Galerinë MCM në Nju Jork gjatë muajit tetor.
Ajo ka falënderuar Qendrën e Kulturës për organizimin e ekspozitës dhe ka thënë se shpreson që ekspozita t’i lë përshtypje të mirë publikut.
Duke folur për artin e Luljeta Rama – Muçajt, kuratorja e ekspozitës, piktorja vendase Vahida Hasanaga – Nimanbegu ka thënë se ai i takon artit modern, abstrakt, joformal.
“Artistja krijon artin i cili nuk tenton të paraqesë njeriun dhe botën në mënyrë tradicionale, por e paraqet në mënyrën e saj të lirë, në mënyrë hulumtuese, ku ekzistojnë mënyra të shumta për të paraqitur emocionet, mendimet dhe qëndrimet”, është shprehur ajo.
Përkundër faktit se veprat e piktores Rama – Muçaj krijohen në mënyrë spontane dhe duken të rastit, sipas piktores Nimanbegu ato janë shumë të menduara.
“Në këtë mënyrë artistja hulumton teksturën, kontrastin, ngjyrën, dritën dhe në mënyrë të formës së hapur, në mënyrë direkte bën gjestikulimin e këtij pozicioni të menduar. Me anë të kolazhit, Luljeta krijon artin e saj personal, shprehjen e saj unike, duke bashkuar kështu format, pozicionet, duke mos harruar dritën, drejtpeshimin, harmoninë në pikturë”, ka thënë ajo.
Artdashësit dhe turistët kanë mundësi ta vizitojnë ekspozitën deri më 6 shtator 2024.
Me këtë ekspozitë dhe koncertin e këngëtares së njohur shqiptare të muzikës etnoxhaz, Elina Duni është përmbyllur programi i edicionit të sivjetshëm të festivalit Skena Verore “Ulqini 2024”. Përpos kësaj ekspozite, pjesë e programit të Skenës Verore kanë qenë edhe ekspozitat personale të piktorëve pejanë Xhevdet Spahija dhe Liridona Gjuka – Bogu.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat