Kraja – vlerë me peizazh të rëndësishëm natyror

Rëndësi me vlera të përgjithshme, pra universale, paraqet fakti se veshja është trashëguar, pothuaj e pandryshuar me shekuj të tërë dhe përbën një element specifik të trashëgimisë kulturore që karakterizon ruajtjen me fanatizëm dhe konservatorizmin e popullatës. Kjo tregon se ky popull diti të ruajë, nëse jo në masën sa më burimore, atëherë së paku me shtesa minimale, gjendjen zanafillore të petkut që e barti për t’u veçuar nga krahinat tjera

Korab Kraja

(vijon nga numri i kaluar)

Vlerat estetike
Në vlerat estetike mund të përfshihen të gjitha ato vlera, të cilat do të konsideroheshin të rëndësishme kulturalisht, historikisht dhe shpirtërisht. Në këtë përfshihet veshja krajane, në të cilën paraqiten vlerat etnografike të popullit që i ka ruajtur duke i paraqitur stilistikisht në mënyrë simbolike e abstrakte. Kjo veshje ka dy lloj ndarjesh kryesore, të cilat përkojnë edhe me ndarjen krahinore të Krajës – veshja krajane dhe veshja e shestaneshës. Duke cituar Andromaqi Gjergjin, në “Veshjet shqiptare në shekuj” nga profesor Hajrullah Koliqi, ai thekson se: “më vete qëndron edhe veshja e Krajës, krahinë shqiptare në Mal të Zi”.
Dëshmi e tillë është sidomos veshja e shestaneshës, e cila për nga përmbajtja, strukturimi dhe formësimi i saj, përbën kështu një vazhdimësi të kulturës ilire. Dhe, në këtë mënyrë, dëshmitë e vazhdimësisë iliro-shqiptare tashmë janë të shumta e të parrëzueshme.
Kështu, gratë ilire veshnin një tip fustani që ishte i prerë në brez, ku dallohej pjesa e sipërme e pëlqyer për trup, ndërsa pjesa e poshtme e rrudhur dhe me formë të kambanës. Nga kjo, si dëshmi e asaj kohe, mund të krahasohet shtatorja e femrës ilire e gjetur në Krotinë të Beratit (Dimali antik), e shekullit II p.e.s. Te busti në fjalë shihen qartë, si format e “llabanës” së vjetër, ashtu edhe mënyra e mbajtjes së saj, gjë që paraqet rëndësi të veçantë, sepse është një dëshmi e rrallë që paraqet karakteristikën e këtij elementi të veshjes ilire. Në këtë kontekst vlen të citohet artikulli i cili sqaron gjetjet në këtë qytet dhe përshkruan skulpturën hollësisht, e cila përshkruhet si “bust gruaje, kushtuar, ndoshta ndonjë hyjneshe ilire.” Autori i këtij teksti thotë se kjo veshje përbën diçka të rrallë dhe të huaj për skulpturën greko-romake dhe që është e ngjashme me ato veshje që mbajnë gratë fshatare në shumë krahina malore të vendit tonë.
“Veshja përbëhet nga një këmishë me mëngë të shkurtra dhe të qepura nga sipër me tegel të trashë, element ky mjaft i ngjashëm me qëndisjet në gajtan që përdoren edhe sot e kësaj dite në disa veshje krahinore… Kjo këmishë, në pjesën e sipërme të saj, paraqitet me jake të hapur në formë të rrumbullaktë. Nga gjoksi e poshtë ajo shpërndahet në pala të dendura që vijnë duke u zgjeruar gradualisht. Elementin e dytë të veshjes e përbën petku mbi këmishë që mbulon një pjesë të vogël të gjoksit dhe zbret diku në bel. Ana e përparme e petkut është e hapur dhe ngjitet pas trupit me anën e një brezi, kindat e të cilit lëshohen përpara mbi këmishë.”
Më tej, shkrimi sqaron edhe elementin e tretë të rëndësishëm dhe mjaft karakteristik, atë të kapuçit. “Për sa i takon elementit të tretë të veshjes, ky përbëhet nga një mantel po prej cohe të trashë, që mbulon krejt shpinën, krahun e majtë dhe përfundon në kryet e femrës me formën e një kapuçi.”
Dekorimet fragmentare në analizën etnografike të bërë përmes shkëputjes së elementeve të veçanta, si dhe paraqitjes së zbukurimoreve lineare, segmentare, rrethore në mënyra qoftë zigzage qoftë paralele, mund të paraqesin elemente të kulteve të ndryshme të besimeve pagane, si të kultit të gjarprit, të kulteve magjike, apo thjesht të ornamentikës zbukuruese. Ndërthurja e këtyre elementeve përbëjnë veçanti të rëndësishme etnografike të veshjes së gruas në Krajë. Po ashtu, analogjia krahasimore ndërmjet bustit të gruas me veshje ilire mbi 2000 vjeçare dhe veshjes së sotme në Krajë, mund të thuhet se përbën një vlerë të shtuar në kompleksin e interpretimit etnografik dhe kulturor.
Rëndësi me vlera të përgjithshme, pra universale, paraqet fakti se veshja është trashëguar, pothuaj e pandryshuar me shekuj të tërë dhe përbën një element specifik të trashëgimisë kulturore që karakterizon ruajtjen me fanatizëm dhe konservatorizmin e popullatës. Kjo tregon se ky popull diti të ruajë, nëse jo në masën sa më burimore, atëherë së paku me shtesa minimale, gjendjen zanafillore të petkut që e barti për t’u veçuar nga krahinat tjera.

Vlerat natyrore
Sipas UNESCO-s, peizazhi kulturor asociativ, si njëra nga tri kategoritë kryesore të peizazhit kulturor, e adoptuar edhe nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore (UNESCO, 1992) thuhet se, është i definuar si kategoria e fundit. Përfshirja e peizazheve të tilla në Listën e Trashëgimisë Botërore është e justifikueshme në sajë të asocimeve të fuqishme fetare, artistike ose kulturore të elementit natyror, sesa të dëshmive materiale kulturore, të cilat mund të jenë të parëndësishme ose të mangëta.
Kraja, po të shikohet në tërësi, mund të konsiderohet se e tërë treva do duhej të konsiderohet si vlerë me peizazh të rëndësishëm natyror. Por, në këtë rast, në këtë kategori do të futen vlerat të cilat kanë rëndësi të jashtëzakonshme për banorët, të cilat lidhen me peizazhin dhe natyrën. Vlerë me rëndësi të veçantë natyrore ka liqeni i Shkodrës, Mali i Rumisë, Rrasa e Malit të Gjanë, Kraliçi, Gvozdi i Krajës, Shtegvasha e shumë të tjera. Gvozdi i Krajës është një pyll i madh dhe i dendur gështenjash, i cili shtrihet përgjatë fshatrave Ostros dhe Kështenjë. Ky pyll gështenjash me lloje të ndryshme të kësaj bime, të cilat arrijnë vjetërsinë shekullore, mund të quhet edhe si monument natyror.
Rast i veçantë mund të konsiderohet ndërtimi i kasolleve dhe mënyra e formimit të tyre. Inspirimi për ndërtimin e tillë të ngrehinave, mund të ketë ardhur nga vetë natyra e Krajës dhe konfiguracioni i terrenit të saj, përkatësisht maleve dhe kodrave.
Njerëzit gjithmonë iu drejtuan natyrës për inspirime dhe zgjidhjen e problemeve. Këto raste mund të përmenden te Leonardo da Vinçi, i cili studioi zogjtë me shpresën që t’i mundësojë njerëzimit fluturimin; sistemet fotovoltaike, të cilat thithin energjinë solare, janë hapi i parë i imitimit të gjethes, e cila po ashtu ngreh energjinë e njëjtë; gjethja e zambakut të ujit reagon në vetëpastrimin e ndyrësirave nga kontakti me ujin, prej së cilës doli inspirimi i materialeve të ndërtimit si ngjyra, pllakat, pëlhurat dhe qelqi, të cilat zvogëlojnë nevojën e pastrimit etj.
Sipas shkencës, ky fenomen quhet biomimetikë, e cila është një qasje ndaj inovacionit që kërkon zgjidhje të qëndrueshme për sfidat njerëzore, duke stimuluar modelet dhe strategjitë e testuara me kohën e natyrës dhe strategjitë e saj. Natyra e ka shoqëruar historinë njerëzore në mënyrë intime dhe njerëzit në këtë mënyrë e kanë zhvilluar një kulturë që frymëzohet nga ajo. Dhe, njerëzit, me këtë frymëzim, e gjejnë të bukurën dhe të mistershmen e natyrës duke e prekur dhe duke e shikuar atë.
Kështu, p.sh. shtresat urbanistike të Koresë janë të bazuara në një peizazh gjeografik oriental, ashtu si disa ndërtesa që u inspiruan nga hojet e bletëve, breshka, rrjeta e merimangës, guaska etj.
Këto duhet të kenë ndikuar në inspirimin në natyrë dhe në ndjenjat psikologjike që një inspirim i tillë mund të ketë. Nëse do duhej të bëhej një krahasim i tillë, në këtë kategori të vlerave, atëherë kjo mund të bazohet në formësimin vëllimor të të dyjave: kodrës dhe kasolles. Planimetria e kasolles nuk është në formën drejtkëndore, por i ka këndet e harkuara, që mund të formojë kështu një formë elipsi (ovale). Kjo formë bazamentale ndërtohet vetëm nga gurët, në këtë rast nga muratimi i gurëve në të thatë, pa mjete lidhëse. Ndërsa, përfundimi i saj bëhet me bashkimin e lëndës së drurit, të cilat formojnë kështu një kulm të pjerrët, i cili është mbuluar me kashtë, ndërsa kohët e fundit me pllaka metalike. Nëse vështrohen malet e kodrat nëpër Krajë, ato kanë të njëjtin konfiguracion formësues. Bazamenti i tyre i përket së njëjtës formë, pra asaj ovale – elipsës. Ndërtimi i muratimit në të thatë të bazamentit të kasolles mund të argumentohet me dy arsye: e para lidhet me kushtet ekonomike dhe ndërtimore, të cilat kushtëzonin ndërtimin me llaç lidhës. Por, kjo nuk mund të argumentojë pse ndërtimet tjera u ndërtuan me muratim me lidhje të llaçit. Ngase, ndërtimi i kasolleve ishte i atypëratyshëm, i shpejtë dhe nuk kërkonte ndonjë mjeshtëri të veçantë, atëherë mund të thuhet se rëndësia e tyre nuk ishte aq sa e shtëpive për banim; e dyta, mund të jetë shprehja e vlerës shpirtërore mbi malet e kodrat, të cilat në thellësinë e tyre, ashtu si e tërë Kraja, ishin të thata, pa burime të ujit dhe në këtë rast, respektimi i natyrës dhe përulja ndaj saj dhe konfiguracioneve të saj, ishte i jashtëzakonshëm, duke bërë kështu interpretimin dhe imitimin në formë dhe në material. Kështu, mbi kodra u ndërtuan shtëpitë apo kasollet, të cilat ishin të përkohshme për stinë të ndryshme të vitit. Dhe, në të njëjtën mënyrë, ndërtimin mbi to, populli e shprehu edhe me ndryshimin e materialit dhe formës, të cilat do ta mbulojnë ndërtimin e tyre. Në këtë rast krahasimi, bazamenti i kasolles mund të interpretohet si vetë mali apo kodra, ndërsa mbulesa sipër saj do duhej të ishte vetë ndërtimi që banorët bënin mbi këto male e kodra.
Pa dyshim, trashëgimi e rëndësishme e peizazhit natyror është edhe vargmali i Taraboshit, i cili fillon nga qyteti i Shkodrës që përcillet duke u lartësuar gradualisht dhe shtrihet deri te vendi i quajtur Shtegvashë, apo Shtegu i Vashës. Pamja e peizazhit që ofrohet nga ky vend strategjik, mund të kategorizohet si ndër vlerat më të veçanta dhe nga bukuritë më të ralla natyrore, ngase, nga ky vend, mund të shihet tërë liqeni i Shkodrës, një pjesë e bregliqenit të Krajës, Shkodra, si dhe malet përtej të Malësisë së Mbishkodrës. Karakteristikë të ngjashme ka edhe pamja nga bregu pamor i Qafës së Ljares dhe nga bregu mbi Muriqin Poshtë. (Fund)

(Artikulli është shkëputur nga libri “KRAJA – Rehabilitimi dhe promovimi kulturor. Vështrim historik, kulturor dhe arkitekturor”, ff. 103-130)

Të fundit

më të lexuarat