Kraja, një trevë piktoreske dhe misterioze

Vetëm tridhjetë kilometra nga qendra e Ulqinit, mes Detit Adriatik dhe Liqenit të Shkodrës, gjendet një trevë sa misterioze aq edhe piktoreske. Është e njohur me gështenjat dhe ublat mijëvjeçare e mbi të gjitha historitë e shumta që vendasit tregojnë

Teksti dhe fotografitë: Gazmend Çitaku

Besoj se menjëherë ia qëlluat se për cilin vend bëhet fjalë? Po. Kemi të bëjmë me trevën e Krajës e cila lehtë lëshohet shpatijeve të Malit të Rumisë (1.593m) dhe shtrihet përgjatë bregut jug-perëndimor të Liqenit të Shkodrës, duke filluar nga fshati Shirokë e deri në Cërmnicë. Kjo trevë edhe pse jo shumë e madhe në territor përbëhet prej dy mikroregjioneve: ana e sipërme, apo e njohur te populli si Shestani me 14 vendbanime dhe ana e poshtme apo Kraja me 8 vendbanime. Ne në këtë rast do t’i trajtojmë si një tërësi, ashtu siç edhe janë, duke i ikur grackave të ndasive rajonale, fetare, kombëtare e çfarëdo ndasie që pjell mendja e ligë.
Kraja si rajon gjithmonë më ka zgjuar kureshtjen, e kohëve të fundit mundohesha të përmbledhi diçka karakteristike në mënyrë që të bëj një shkrim. Por, të shkruash për Krajën shumë informata njëkohësisht të imponohen saqë është shumë e vështirë të vendosësh se çka është më shumë e çka pak më pak e rëndësishme. Kranjanët (të gjithë shqiptarë me gjysh, stërgjysh e katragjysh) edhe pse çdo ditë në numër më të pakët janë shumë mikpritës. Sapo të kalosh kthesën rrugore që ndodhet në Shtegvashë hyn në territorin e Krajës ku hapet pamja mahnitëse e liqenit. Duke u lëshuar teposhtë fshatit Arbnesh fillon pylli i dendur me drunjë mijëvjeçarë të gështenjave për të cilët vendasit nuk dinë të tregojnë se sa të vjetër janë, mirëpo duke u bazuar në trashësinë e trungut, afro dhjetë metrash, arrijmë në përfundim se secili prej tyre ka më shumë se njëmijë vjet. Këtë trevë e mundon mungesa e ujit. Por, kranjanët kanë hapur puset apo siç i quajnë ata – ublat për depozitimin e ujit të pijshëm dhe lerat që kanë të njejtin qëllim por për pojitjen e bagëtisë. Secili vendbanim i Krajës ka ublat e saj por më të njohurat janë Ubla e Krajës të cilën mendohet se e ka ndërtuar princi Gjon Vladimiri dhe bashkëshortja e tij Kosara rreth vitit 1001. Kjo ubël, pra që e ndërtoi Gjon Vladimiri, është e vetmja ubël e cila gjatë gjithë vitit ka burim uji të gjallë dhe mbushet falë saj, andaj edhe supozohet se kjo krahinë edhe e ka marrë emrin nga ky krua i rrallë. Pra, Krajë=Kroj=Krue prej nga shohim edhe një gjasim me Krujën e Skënderbeut. Pastaj kemi Ublat e Ljarës (gjithsejt 12 sosh) për të cilat tregohet se të parën ubël në Ljarë, duke parë hallin e vendasve, e ndërtoi mbretëresha Helena (Anzhuine) në vitin 1290. Vazhdojmë me Ublat e Bolajve (gjithsejt 12 sosh), në Arbnesh (5 ubla) dhe të tjera që i ka secili fshat por në numër më të vogël. Ostrosi është një njësi administrative, qendra e të cilit është realtivisht e re, pasi që është e ndërtuar sipër varreve të tjetërsuara pas Luftës së Dytë Botërore me vendim të regjimit të atëhershëm komunist. Dikur ky vend quhej Vorri Kurt.
Në Krajë, prej objekteve të kultit, më e vjetra është Kisha e Shën Mërisë së Krajës. Supozohet se e ka ndërtuar Pjetri, babai i Gjon Vladimirit rreth viteve 970-980 por që padyshim se ai e ka ngritur në themelet e një kishe më të vjetër që ka ekzistuar po aty. Pastaj Kisha e Briskut (1550) ka supozime se këtu ka shërbyer dhe e ka shkruar Mesharin, Gjon Buzuku (1555), Kisha e Thtjanit (1603), dy Kishat e Ljares (1635) këtu një periudhë kohore transferohet Arqipeshkvia e Tivarit, Kisha e Pinçit (1639) etj. Prej xhamive më të vjetrat janë Xhamia Plakë e Qyrjanit dhe Xhamia e Muriqit të ndërtuara në vitin 1602.
Interesante janë shumë emërtimet e fshatrave. P.sh. Arbnesh është emër tipik shqiptar, Kështenjë, Brisk, Pinç, Ljare, Thtjan. Secila prej tyre përplot mistere dhe histori. Në fshatin Kështenjë është lagja Dragoviq që në formën e sodit padyshim se si emër është i sllavizuar mirëpo rrjedh nga emri Dragovol, Dragovojë (mbiemër në Ulqin) e që baza është Dragua. Këtë mendim e forcon edhe toponimi aty afër e që quhet Shpella e Dragonit. Pastaj në vitin 1726-1735, të ndihmuar nga Arqipeshkvi i Tivarit Vinçenc Zmajeviqi bëhet shpërngulja e popullsisë nga fshatrat Ljare, Brisk dhe Thtjan dhe vendosen në afërsi të Zarës (sot Kroaci) duke formuar vendbanimin e quajtur Arbanas e që edhe sot e gjithë ditën pasardhësit e tyre krenohen me origjinën e tyre shqiptare. Mua më ngacmon pak mendimi se ndoshta më i saktë do të ishte pohimi se këta të shpërngulur ikën nga fshati jonë Arbnesh andaj edhe vendbanimin e ri të tyre e quajtën Arbanas duke dashtë që përveç identitetit të ruajnë edhe kujtimin e fshatit të origjinës, përndyshe emri i kompromisit të vendit të ri do ishte Shestan. Por kjo sot ka pak rëndësi, më e rëndësishme është se ata janë krenarë me origjinën e tyre shqiptare. Si për ironi, miku im Shefqet Luca më tregon një anekdotë lidhur me fshatin Ljare. Ai tregon se nga ky vend ka origjinën aktori i madh Rikard Ljarja. Kur ai për herë të parë, para disa vitesh, kishte vizituar Ljaren dhe ishte takuar me njërin nga kusherinjtë e tij të afërm por sot i sllavizuar e që nuk dinte shqip aspak, ata nuk kishin mundur të kuptohen pa përkthyes dhe se pastaj që të dy kishin shpërthyer në lot. Ja pra sa i pamëshirshëm është fati. Ljarja si vendbanim është shumë e vjetër. Këtë e vërteton ekspedita e vitit 2011 kur konstatohet se në kodrën Gradishtë dikur kishte pasë një vendbanim të hershëm e që kjo së bashku me Fushën e Mogilës në Thtjan ku janë gjetur tumat ilire si dhe sopata ilire të tipit dalmato-shkodran , përbëjnë dëshmitë se kjo trevë është e banuar që nga neoliti.

(vijon nga numri i kaluar)
Në të vërtetë deri më sot kemi trashëguar veshjen tradicionale të gruas shestanase e cila është identike me bustin e gruas ilire nga shek. II p.e.r e gjetur në Krotinë afër Beratit (Dimali antik). Po ashtu deri në ditët e sotme ka mbijetuar Festa e Rrëshajave (Potecostes) e cila festohet nga të gjithë banorët e Krajës pa dallim feje dhe në mënyrë simbolike para se të lindë dielli ngjiten në majën e Malit Rumi me çrast në logun atje lart këndojnë, hedhin valle dhe zhvillojnë lojëra popullore.
Gjithashtu fshati Pinç emri i të cilit, sipas studiuesve dikur ishte quajtur Binç, rrjedh nga ilirishtja gjegjësisht hyu Bind. Unë më shumë parapëlqej që Pinçi të jetë derivat i fjalës së sotme Përbindësh apo siç i thonë banorët lokal Përpinç. Në këtë fshat gjenden edhe disa toponime të vjetra e interesante si Zana (mal), Vorret e grave, Guri birë etj.
Duke ecur në drejtim të Kishës së Ljarës, miqve të mi Shefqetit dhe Samir Ismailit u dha një informatë interesante që ka të bëjë me zonën e Krajës e që daton nga mesjeta. Kjo informatë ka të bëjë me faktin se nga ky fshat është edhe Konti i parë shqiptar i çertifikuar me dokumente vërtetësie. Ky dokument i përket familjes Junku dhe origjinali i cili edhe sot gjendet në arkivën familjare të Mark Junkut. Sipas dokumenteve, familjes Junku këtë titull fisnik ua ka dhënë Helena (Anzhuine në vitin 1290) pasi që ajo u strehua në këtë familje për një kohë pothuaj dy mujore me rastin e një moti të keq që e kishte zënë gjatë rrugës së saj për në Tivar. E mahnitur me mikpritjen dhe duke dëshiruar që t’i shpërblejë sadopak ajo u jep titullin Kont dhe nga ajo kohë stemë e familjes ka qenë Muzati. Po ashtu pas pushtimit të këtyre anëve nga Perandoria Osmane një periudhë kohore Arqipeshkvia e Tivarit ka qenë e detyruar që selinë e vet ta zhvendosë përkohësisht në Ljarë prej nga me vite të tëra ka ushtruar veprimtarinë e vet fetare.
Ditën që vizituam Ljaren në varret lokale Shefqeti vërejti se unë kërkoja diçka nëpër emrat e gurëvarreve dhe normalish se më pyet se çka po kërkoja. I them atij se kam dëgjuar për një shestanas që është i mbijetuar i tragjedisë së mbytjes së anijes Titanik në vitin 1912, e ka varrin dikund këtu u them. Por, informata kishte një të dhënë mangu sepse unë kisha ngatërruar fshatin. Kishim të bënim me fshatin Gjuraç i cili ishte edhe disa kilometra më larg. Morëm veturën dhe vazhduam rrugëtimin tonë drejt varrit të të mbijetuarit të rrallë të Titanikut. Nga rruga kryesore vërejtëm poshtë Kishën e Gjuraçit dhe menjëherë u drejtuam atje. Parkuam para kishe dhe hapëm derën e oborrit. Menjëherë ma zuri syri pllakën e varrit të cilën e kisha parë vite më parë në një artikull të revistës Gjon Buzuku të cilën e redaktonte Nderi i kombit dr.Simë Gjon Dobreci. U afrova dhe kot mundohem të gjej shkrimin që të marr të dhënat. Atëherë edhe një herë i falënderohem plakut të urtë, doktorit tonë të nderuar Simë, ai na jep informatat nga revista e tij Buzuku dhe lexojmë Preçi Gjoks Nils Vuks-Gjuronj nga Gjuraçi është i mbijetuari shqiptar nga tragjedia e Titanikut më 1912. Ka jetuar një kohë në SHBA, mirëpo kthehet në vendlindje dhe vdes në vitin 1963 në moshën 75 vjeçare. Duke ikur nga Gjuraçi para se të futemi në makinë ia behu një djalë i cili nuk kishte më shumë se 30 vjet. E ndala dhe e pyeta në gjuhën shqipe për varrin që e kërkoja sepse dëshiroja të vërtetohem por ai më thotë se nuk di shqip. Atëherë unë në gjuhën sllave ia parashtroj sërish pyetjen dhe ai pa përtuar ma tregon varrin e të ndjerit Preç dhe me këtë rast më vërteton se unë kisha gjetë të duhurin. Në pyetjen time pasuese për emrin e të ndjerit, djali nuk diti të më japë informata më shumë dhe në fytyrë ia lexoja refuzimin për dhënien e informatave për shkak se e dinte se shkrimi im për këtë trevë do jetë në frymën kombëtare shqiptare. Atëherë ai më udhëzoi që të pyes tri gratë që kishte në veturën e tij e që ishin më të vjetra dhe me siguri se do dinin më shumë. Pa përtesë shkoj kah vetura e djalit dhe ai hap derën e kishës dhe futet brenda. Unë ia parashtroj pyetjen në gjuhën shqipe grave. Për disa sekonda nuk u përgjigjen, por pastaj si me magji të trija njëkohësisht fillojnë të flasin shqip. Njëra jep emrin, tjetra diç ankohet e treta pyet nga jemi. Por unë jam i vendosur të vërtetoj të dhënat që kam, njëra më e vjetra thotë së ai është Preçi Gjuroviq por që nuk e di vitin se kur ka vdek. Unë i falënderoj, duke mos dashtë t’i besdis me pyetjet e mia sepse ndjeja një tension pakënaqësie në ajër, por ndjej vërejtjen e njëres nga to e cila më këshillon: “Mos shkruaj edhe ti si ai Gjon Buzuku sepse i ka shtrembëru ato që kemi thënë”. Unë duke e ditë se ku e ka fjalën e marr me sportivitet vërejtjen duke u thënë se unë jam më i ri se Buzuku dhe me siguri se dëgjoj më mirë. Besoj se edhe ju e kuptoni të gjithë prapavinë e kësaj vërejtje. U përshëndetem me zonjat dhe djalin që i shoqëronte dhe vazhduam udhëtimin tonë. Pasi dolëm në rrugën kryesore pas 1-2 minutash poshtë në pyll vërejtëm një këmbanare të bukur kishe dhe shumë shtëpi të vjetra e të rrënuara. Nuk dinim ku ishte rruga për atje apo si quhet vendi. Duke thënë se po e lëmë për herën tjetër ta vizitojmë dhe eksplorojmë, vazhduam përpara dhe vetëm më vonë në mbrëmje unë mora informata se ajo ishte gjithashtu kisha tjetër e Gjuraçit.
Atë ditë vizituam edhe fshatin Muriq i poshtëm i cili është i njohur me plazhin shumë të mirë dhe që verës është shumë i vizitueshëm dhe i pëlqyer nga turistët e shumtë që e frekuentojnë. Shefqeti mundohej ta kontaktonte një mik të tij nga po ky fshat por që nuk kishte qasje në rrjetin telefonik. Vazhduam rrugën tonë drejt Virpazarit dhe morëm magjistralen e Adriatikut që të kthehemi prapë në Ulqinin tonë legjendar.
Kësisoji kaluam një ditë përplot me impresione shumë pozitive nga aspekti kulturo-historik, sepse patëm mundësi të vizitojmë shumë gjëra interesante, por tragjedia më e madhe është se kjo zonë ishte pothuaj e zbrazët. Për çdo vit ka banorë më pak dhe shumë lehtë vërehej se rrugët që çojnë në fshatra ishin të pamirëmbajutra, që sinjalizonte se aty nuk kishte banorë apo ndoshta vetëm disa të moshuar të cilët edhe nuk i lëshojnë vendbanimet e tyre.
Kjo zonë ka shumë mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm jo vetëm turistik por edhe bujqësor. Sot edhe pse në mungesë të ujit mundësitë janë shumë të mira që me teknikën e re të rregullohet dhe të mos ndjehet mungesa e tij. Eko fshatrat turistike me prodhime bio, pastaj shtigjet përmes pyllit të gështenjave mijëvjeçare, pushtimi i majave më të larta, liqeni, monumentet e shumta kulturo-historike, e bëjnë që kjo trevë të ketë një potencial të madh për zhvillimin e turizmit aktiv.

Të fundit

më të lexuarat