Kontribut për ndriçimin e rrjedhës së identitetit shqiptar

Gjatë periudhës komuniste, sanxhaku mbeti ekonomikisht i pazhvilluar. Kështu, në vitin 1960, janë dëbuar 30 mijë banorë myslimanë nga Pazari i Ri për në Turqi. Në këtë periudhë kemi asimilimin masiv të shqiptarëve, thekson autori Azgan Haklaj, duke shtuar se të njëjtën politikë kanë zbatuar edhe në Kosovë

Shaban Hasangjekaj

(vijon nga numri i kaluar)
“Bashkimin e të gjitha vilajeteve në një vilajet të vetëm dhe mëvetësimin, pra pavarësinë dhe krijimin e Shtetit Komb të shqiptarëve”. Në betejat e Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare, luftuan me trimëri, jo vetëm qindra luftëtarë nga Sanxhaku i Pazarit të Ri, por edhe muhaxhirë të ardhur nga Nishi dhe rrethinat e tij. Luftërat shkatërrimtare ballkanike, Lufta e Parë Botërore, ku trojet shqiptare u shndërruan në fushëbetejë, rënia e Perandorisë Austrohungareze, e cila ishte aleate e garante e të drejtave të shqiptarëve, sollën tragjedi të reja për popullin shqiptar, shkruan në shënimin e vet autori Haklaj dhe shton: “Konferenca e Londrës në vitin 1913 dhe ajo e Versajës në Paris një shekull më parë, lanë më shumë se gjysmën e trojeve tona jashtë kufijve të Shqipërisë londineze”.
Konferenca e Versajës krijoi Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, e cila i goditi pamëshirshëm shqiptarët. Nishit dhe rrethinave ia ndryshuan strukturën e popullsisë. E njëjta histori u përsërit pas Luftës së Dytë Botërore ndaj Sanxhakut të Pazarit të Ri, megjithëse shqiptarët kishin luftuar me heroizëm të pashoq kundër nazifashistëve.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sanxhaku i Pazarit të Ri u nda mes tre shteteve. Nën tutelën fashiste u krijua Shqipëria e madhe, në të cilën u përfshinë Rozhaja e Tutini, nën pushtimin gjerman mbeti Pazari i Ri (Novi Pazari), kurse rrethet e Pribojit, Sjenicës, Dezhevës, Zllatarit, Maleshevës, Shtavicës nën Serbi, ndërsa Bolanica, Bjellopolisi, Llozani nën Malin e Zi. Çetnikët serbë, të udhëhequr nga Drazha Mihajlloviqi, shkretuan vendin si stërgjyshërit e tyre hunët e Atilës. Masakrat e tyre nuk rrëfehen e s’përshkruhen dot, shkruan autori Haklaj, dhe shton se në Masakrën e Bihorit në vitin 1943, të ndihmuar nga italianët, vranë 10 mijë vetë. Ata ndërmorën një ekspeditë rrënuese, rrafshuan 82 fshatra, si Sjenicën, Rozhajën, Tutinin, Beranën, Peshterin, Ribariqin e Kollashinin, vranë mijëra vetë, mes të cilëve gra, vajza e fëmijë, u morën qindra robër, dhe u dëbuan mijëra të tjerë përgjithmonë.
Barbarët ishin të frymëzuar nga doktrina e Vasa Çubrilloviqit për “nxjerrjen e shqiptarëve jashtë”, apo spastrimi i pykës shqiptare, publikuar në vitin 1937, si dhe filozofia e Dobrica Qosiqit: “Të gënjesh për Serbinë, është patriotizëm”.
Lumenjtë e Rashkës, Ibrit e Limit, u skuqën nga gjaku i shqiptarëve. Kjo masakër ia kalon përmasave të asaj të Srebrenicës. Forcat jugosllave pushtuan Sanxhakun në dimrin e viteve 1944-1945.
Autori Azgan Haklaj në këtë kontekst shkruan se marrëveshja e fshehtë Rankoviq – Popoviq synonte ndarjen e Sanxhakut mes Serbisë e Malit të Zi, taktikë e njëjtë kjo me atë marrëveshje që patën bërë Ribentropi me Molotovin për ndarjen e Polonisë. Në mars të vitit 1945, Aleksandër Rankoviqi ia arriti qëllimit në bashkëpunim me Gjillasin, si përfaqësues i Malit të Zi. Pas takimit Tito – Kyprylliu në Split dhe pas Paktit Ballkanik Turqi – Jugosllavi – Greqi, në shkurt të vitit 1953 u organizua dëbimi masiv i shqiptarëve. Gjatë periudhës komuniste, sanxhaku mbeti ekonomikisht i pazhvilluar. Kështu, në vitin 1960, janë dëbuar 30 mijë banorë myslimanë nga Pazari i Ri për në Turqi. Në këtë periudhë kemi asimilimin masiv të shqiptarëve, thekson autori Azgan Haklaj, duke shtuar se të njëjtën politikë kanë zbatuar edhe në Kosovë.
Në vitet 1951-1968, nga Kosova për në Turqi janë shpërngulur mbi 400 mijë shqiptarë dhe në Kosovë kanë sjellë mbi 60 mijë kolonë serbë. Sot sanxhaku ka shumicë boshnjake. Shqiptarët jetojnë në tri fshatra të rrethinës së Rozhajës.
Në vitin 1999, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, priten shumë vëllezër shqiptarë dhe dhanë kontribut për çlirimin e saj. Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe Nishit janë pjesë të trojeve tona, historisë, gjuhës, kulturës së kombit shqiptar, shprehet kah fundi i tekstit të shënimit të vet autori Haklaj dhe atë e përfundon me fjalët: “Kush mendon se jemi të vonuar, apo më keq akoma të gabuar, në të drejtën tonë historike, ju sjell në vëmendje historinë e hebrenjve, të cilët pas 2500 vitesh pa atdhe, valëvitën flamurin dhe yllin e Davidit në trojet e tyre biblike, apo spanjollët pas 6-7 shekujsh, dëbuan pushtuesit arabë nga atdheu i tyre”.
Autori Azgan Haklaj, shënimin e vet e përmbyllë me thënien se “Sanxhaku dhe Nishi, ashtu si Presheva, Ulqini, Plava-Gucia, Tivari, Shkupi, Tetova, Çamëria, janë sot e përgjithmonë pjesë e pandarë dhe e patjetërsuar e tokës së shqiponjave, me të drejtën historike e bekimin e vetë Zotit”.
Në fund të këtij vështrimi, pa ngurrim dhe me plot gojë konfirmojmë se veprimtari i denjë dhe i paepur i studimit dhe trajtimit shtjellues të çështjes së identitetit gjithëpërfshirës mbarëkombëtar shqiptar, Azgan Haklaj, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shpalosjen, ndriçimin dhe reflektimin e rrjedhës së identitetit shqiptar në trojet shqiptare ndër shekuj, me përkushtim dhe theks të veçantë në trevat e Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe të Nishit, shënim ky që vërtet ka peshë dhe vlerë të lartë në fushën e trashëgimisë shumëpërfshirëse kombëtare shqiptare, i cili pa dyshim në opinionin e gjerë publik shqiptar ka zgjuar interesim dhe është çmuar lart. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat