Kontribut për gjeografinë historike të popullit shqiptar

Në jetën e një populli nuk janë të rralla rastet ku disa personalitete kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarje të ndryshme të cilat janë bërë pjesë e historisë kombëtare. Në këtë gamë të çështjeve te shqiptarët në të kaluarën vend nderi zënë klerikët e nderuar si Buzuku, Bogdani, Bardhi, Budi et., ndërsa këtyre iu shtohet edhe teologu Vinçenc Zmajeviqi i cili veçohet me dy kontribute me peshë të veçantë. E para është roli i tij në organizimin e Kuvendit të Arbrit (14 janar 1703) dhe e dyta ka të bëjë me emigrimin dhe zhvendosjen e shqiptarëve nga krahina e Krajës dhe e Shestanit në Zarë të Dalmacisë në vitin 1726

Nail Draga

Ky personalitet i nderuar në saje të angazhimit jo vetëm teologjik ka mbledhur të dhëna me interes për shqiptarët që i ka shkruar në veprën “Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë (1702-1703)”, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e panjohur për opinionin e gjerë, por falë angazhimit të përbashkët në mes Institutit Shqiptar në St. Gallën në Zvicër dhe Shtëpisë Botuese ”Faik Konica”në Prishtinë, na vjen e botuar në shqip në vitin 2022.
Në saje të informacionit që disponojmë, Relacioni i ipeshkvit Vinçenc Zmajeviqit i vitit 1702/1703 është vepër e tre autorëve: Vinçenc Zmajeviq, Peter Bartl dhe Injac Zamputi. Zmajeviqi e ka shkruar këtë relacion nga vizita apostolike në ipeshkvitë e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë më 1702/1703. Këtë relacion e ka botuar në italisht (versioni i arkivit të Vatikanit) Peter Bartl më 1979 në librin “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte Im 17. Und 18. Jahrhundert“ fq. 1-186, përcjellë me shpjegime e shënime nga vet Bartli. Ndërsa në shqip është përkthyer nga Injac Zamputi më 1988, që ishte përkthim i pabotuar deri tani.

Autoritet i kohës së tij
Vinçenc Zmajeviqi u lindu në Perast (Mali i Zi i sotëm), më 23.12.1670 në një familje kroate e njohur në historinë e rajonit dhe më gjerë. Me ndihmen e xhaxhai i tij Andrija Zmajeviq, i cili ishte ipeshkëv i Tivarit (1671-1694), dërgohet në “Collegium Urbanum” në Romë ku përfundon studimet në filozofi e teologji, ku edhe doktoroi më 30.3.1695. Pas shugurimit meshtarak, më 1696 kthehet në vendlindje dhe emërohet famullitar në Perast. Më 1701 Papa Klementi XI e emëroi ipeshkëv të Tivarit me dekretin: “Vicentius Zmajevich, archiep. Antibarensis 8 Iulii 1702 deput. visit. apost. ecclesiarum et missionum prov. Epiri seu Albaniae iuxta decr. S. Congr. Prop. 13 Iun. 1702 emanatum et a S.S. 19 Iun. 1702 approbatum”. Vinçenc Zmajeviqi ishte ipeshkëv i Tivarit deri sa u emërua ipeshkëv i Zarës në Kroaci më 1713, ku edhe vdiq më 11.9.1745.
Pas emërimit të tij ipeshkëv i Tivarit më 1701, Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) emëroi Zmajeviqin Vizitator Apostolik në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bullgari dhe këtë vizitë e filloi në shtator të vitit 1702 dhe zgjati deri në shkurt 1703.
Pasi Zmajeviqi kishte vizituar si i dërguar i Vatikanit ipeshkvitë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Bullgari, kishte parë gjendjen e mjerueshme të katolikëve shqiptarë, jo vetëm materiale por edhe organizative, strukturore nën Perandorinë Osmane. Një situatë e tillë aspak e favorshme ndikoi që ai të ndërmarrë diçka konkrete për Kishën Katolike në trojet shqiptare. Kështu falë Zmajeviqit u thirr dhe u organizua Kuvendi i Arbrit i cili u mbajt më 14 dhe 15 janar 1703 në Mërçi në afërsi të Lezhës, ku u tubuan ipeshkvijtë e klerikët katolikë, apo më mirë të themi përfaqësuesit kishtarë shqiptarë për të diskutuar dhe vendosur rregulla për jetën kishtare në trojet shqiptare.
Gjatë historisë kishtare, organizime ipeshkvore apo ndëripeshkvore ka pasur edhe më parë por Kuvendi i Arbrit ishte me përmasa të mëdha, pasi për këtë ishte informuar mirë Papa Klementi XI dhe dokumentet e botuara pas Kuvendit ishin të shumta në latinisht e pastaj edhe në shqip, me interes studimi, si kishtare, historike, gjuhësore, gjeografike e etnografike, duke qenë i rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar.
Relacioni i vitit 1702/03 i Zmajeviqit nuk është me interes vetëm për historianët e shekullit XVII. Përmbajtja e tij do të mund të përshkruhet në pika të shkurtra si vijon: Faqet e para ia kushton gjendjes jo vetëm historike shqiptare, por edhe asaj ekonomike, pozicionit gjeografik, dioqezave në trojet shqiptare, gjendjes së mjerueshme të të krishterëve nën sundimin e Perandorisë Osmane, por as kritikat ndaj klerit katolik nuk mungojnë. Në këtë pjesë Zmajeviqi shkruan se duhet thirrur një koncil provincial shqiptar, çka edhe bëri më 1703 (Kuvendi i Arbrit).
Përshkrimet e Zmajeviqit në këtë relacion janë detaje për kohën, jo vetëm për jetën e besimtarëve apo të klerikëve, për hapësirën gjeografike që ai vizitonte, për shkatërrimin e kishave, tjetërsimet nëpër kisha, por jep edhe numra të saktë të besimtarëve katolikë nëpër famulli. Në këtë kohë, siç dihet, islamizimi kishte shtrirë rrënjët jo pak në popullin shqiptar dhe jeta ishte tejet e vështirë jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata që ishin islamizuar. Kishte edhe të tillë që në brendi mbaheshin të krishterë, kurse jashtë si myslimanë.
Relacioni trajton me nga një kapitull të veçantë dioqezat që ai vizitonte e ku jetonin katolikët si ato të Tivarit, Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës, Administratën e Durrësit, Budues, gjendjen e kishave të Serbisë dhe Administratën e Shkupit, gjendjen e të krishterëve në Bullgari. Jep po ashtu edhe ide për dalje nga kjo gjendje e mjerueshme, nevojat e misionarëve françeskanë etj. Kemi të bëjmë me një relacion të detajuar nga një indvid i përgatitur jo vetëm në aspektin teologjik që ishte model për kohën kur është shkruar, por e them pa hezitim se mund të shërbejë si model edhe për kohën tonë duke ofruar të dhëna me interes shumëdimensional.

Vendbanime të shpopulluara
Duke analizuar këtë botim ku ofrohen të dhëna për një numër të konsideruar të vendbanimeve, unë me këtë rast jam përcaktuar për disa vendbanime të cilat sot janë në kuadër të Malit të Zi. Pikërisht duke marrë parasysh të dhënat për vendbanimet e prezantuara në kuadër të famullive të tyre, del qartë se në ditët tona pas më shumë se tre shekujsh, disa vendbanime nuk ekzistojnë më. Ato janë shpopulluar për shkaqe të ndryshme të kohës qoftë në saje të emigrimit, sëmundjeve të ndryshme apo çështje të tjera sociale dhe si të tilla i takojnë gjeografisë historike. Në këtë aspekt na ndihmojnë edhe hartat e publikuara për kohën përkatëse për të deshifruar më saktë vendndodhjen e tyre.

Shasi – famullia kryesore në Anë të Malit
Me këtë rast dua të ceki disa të dhëna që kanë të bëjnë me famullitë në Anë të Malit, sepse kemi të bëjmë me disa të dhëna me interes gjeografik, historik e etnografik.
Kështu famullia kryesore e Anës së Malit është ajo e Shasit e cila përbëhej nga 9 vendbanime (Brija, Shasi, Milla, Krytha, Kllezna, Brajsha, Selita, Suma dhe Bukmira), të cilat gjithsej kanë 114 shtëpi me 923 banorë, ndërsa në aspektin fetarë ishin: 69 shtëpi katolike me 602 banorë, 41 shtëpi myslimane me 290 banorë si dhe 4 shtëpi ortodokse me 31 banorë.
Nga këto vendbanime më së shumti shtëpi katolike kishte Milla – 18 shtëpi me 171 banorë, duke pasuar nga Brija e Kllezna.Ndonëse ishte seli e famullisë,Shasi kishte 1 shtëpi katolike me 3 banorë, ndërsa kishte 12 shtëpi myslimane me 90 banorë, dëshmi e procesit të islamizimit të popullsisë shqiptare duke filluar nga viti 1571 në kohën kur Shasi është okupuar e shkatërrur nga Perandoria Osmane. Ndonëse para okupimit Shasi ishte ipeshkvi, nga ajo traditë kishtare tash kishte statusin e famullisë me numër minimal të banorëve.
Në Relacion Vinçenc Zmajeviqi për Shasin ofron të dhëna për të kaluarën e tij duke cekur disa kisha me emër, e në kohën tonë u dihet emri vetëm për dy prej tyre (Katedralja e Shën Gjonit brenda qytetit dhe ajo e Shën Mrisë jashtë mureve të qytetit).

Të fundit

më të lexuarat