Tuz – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Qendra Kulturore-Informative “Malësia” përuruan katër librat e autorit, Hajrullah Hajdari, “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”, “Ulqini në dokumentet malazeze nga viti 1880 deri më 1915”, “Pronat dypalëshe – të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi” dhe “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990”.
Për këto vepra letrare, në mënyrë të hollësishme, vështrimet e tyre i shpalosën: Dr. Nail Draga, Juristi, Robert Camaj, profesori i historisë, Mark Junçaj dhe vetë autori, Hajrullah Hajdari.
Në këtë mbrëmje letrare e cila u moderua nga Idiz Gjokaj, në prani të adhuruesve të fjalës së shkruar, u bë e ditur se objekt studimi i këtyre librave janë disa nga çështjet dhe periudhat më të dhimbshme dhe më vendimtare nëpër të cilat ka kaluar shqiptarët në trevat e tyre që sot i përkasin Malit të Zi.
Librat janë botime dokumentare që bazohen në burime arkivore dhe janë rezultat i kërkimeve të autorit në arkivat e disa institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Arkiva personale, biblioteka, etj.
Në emër të botuesit dhe bashkëorganizatorit të këtij përurimi, përshëndeti kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba i cili foli mbi qëllimin që ka shoqata që ai drejton dhe mbi historikun e shoqatës dhe botimet që ka bërë përgjatë tridhjetedy viteve ekzistencë.
Duke folur për autorin Hajrullah Hajdari dhe veprimtarinë krijuese të tij, Kallaba tha se Hajdari është një shembull i një njeriu të përkushtuar i cili kudo ku ka punuar, ka lënë gjurmë.
“Pas daljes në pension, ai i është përkushtuar pasionit të tij, studimit të çështjeve preokupuese që lidhen me shqiptarët në Mal të Zi. Fakti se për një periudhë të shkurtër prej pesë-gjashtë vitesh i ka sjellë lexuesit katër libra dëshmon se kemi të bëjmë me një studiues produktiv. Puna e autorit për këto katër libra ka filluar më herët por në këtë periudhë kohore (pesë-gjashtë) vjet, është kurorëzuar me botimin e librave” , u shpreh Kallaba.
Për të në këto botime, thelbësore janë përzgjedhja e temave apo e objektit të studimit “ të katër librat e Hajdarit, trajtojnë tema që janë thelbësore për historinë dhe identitetin e shqiptarëve që sot jetojnë në Malin e Zi”, tha ndër të tjera Kallaba.
Ai theksoi se Tuzi dhe Malësia si dy qendrat kryesore të shqiptarëve në Malin e Zi përpos që kanë nevojë të bashkëpunojnë më tepër me njëri-tjetrin, kanë obligim moral dhe kombëtar edhe në fushën e kulturës ndaj trevave tjera ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi.
Autori i librave, Hajrullah Hajdari duke falënderuar të pranishmit dhe panelistët për mundin dhe punën e tyre mbi librat e tij, përkatësisht mbi atë që librat reflektojnë për lexuesin, tha se publikimi i dokumenteve historike e në veçanti të atyre arkivore për të kaluarën e një populli, ka qenë, është dhe duhet të jetë detyrë e rëndësishme dhe obligim për çdo hulumtues apo studiues, historian apo jurist apo cilitdo individ tjetër, “i cili mund të jap kontributin e vet në zbardhjen e së kaluarës së popullit që i përket”.
Hajdari shtoi se kjo ka rëndësi veçanërisht për të kaluarën e shqiptarëve në Mal të Zi, pasi siç tha, historiografia shqiptare deri më tani e ajo malazeze jo se jo, nuk ka treguar interesim apo kujdes të veçantë për zbardhjen e ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme të cilat mund të kenë ndikuar dukshëm në jetën dhe zhvillimin e tyre arsimor, kulturor, social, etj.
“Interesimi im për ndriçimin e ngjarjeve me rëndësi në historinë e popullit shqiptar e ka zanafillën që në shkollën e mesme. I takoj asaj gjenerate e cila përjetoi padrejtësi dhe vuajtje të shqiptarëve. Të njëjtat padrejtësi apo edhe më të ashpra i kishin kaluar dhe përjetuar edhe paraardhësit e m’i. Gjatë punës time i përjetova drejtpërdrejte të drejtat e mohuara dhe padrejtësitë që në vazhdimësi i përjetojë dhe akoma po i përjeton populli shqiptar në Mal të Zi” u shpreh në mes tjerash autori i cili tha se këto e nxitën atë që të hulumtojë.
Të katër librat e autorit, Hajrullah Hajdari që u përuruan në Tuz, u botuan nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Hajrullah Hajdari ka lindur në fshatin Bobosht të Krajës, buzë liqenit të Shkodrës në vitin 1949, ku ka kryer shkollën fillore. Shkollën e Mesme Ekonomike e ka kryer në Gjakovë, ndërsa Shkollën e Lartë Administrative, pastaj Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Nga viti 1969 deri më vitin 1974 ka punuar në Krajë, Gjakovë e Prizren. Në vitin 1975 u kthye në Ulqin ku u punësua. Nga viti 1990 ka ushtruar detyrën e drejtorit në disa ndërmarrje publike në Ulqin. Për njëzetë vite rresht ka qenë këshilltar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. Ka qenë anëtar i disa trupave të punës dhe organeve juridike në kuvendin e Malit të Zi. Është autor i katër librave. Hajdari ka qenë pjesëmarrës i disa konferencave shkencore dhe bashkëpunon me gazetën “Koha Javore”.
Të katër librat e autorit, Hajrullah Hajdari, u botuan nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
t. u.
