Konspiracionisti është gjithmonë me popullin

“Ai që quhet autor i konspiracioneve mbron gjithmonë popullin dhe kërkon t’i thotë të vërtetat se çfarë një elitë e vogël përgatit për të sunduar shumicën”, ka thënë Cako

Ulqin – Në kuadër të “Odës së gjeopolitikës”, të shtunën mbrëma (2 dhjetor 2023) në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin është mbajtur takimi me studiuesin dhe botuesin Alfred Cako, i njohur për teoritë e tij konspirative.
Në bashkëbisedim me Gazmend Çitakun, ai ka folur për shumë çështje që i përkasin botës së interesimeve të tij.
Cako ka thënë se konspiracionin nga e vërteta e ndajnë vetëm gjashtë muaj.
“Konspiracionisti është gjithmonë me popullin. Ai që quhet autor i konspiracioneve mbron gjithmonë popullin dhe kërkon t’i thotë të vërtetat se çfarë një elitë e vogël përgatit për të sunduar shumicën”, është shprehur ai.
Sipas Cakos, historia njerëzore ka qenë gjithmonë e tillë, “ku një pakicë është përpjekur gjithmonë ta sundojë shumicën dhe për këtë bëjnë plane, hartojnë skema të ndryshme se si mund ta sundojnë”.
Ai ka dhënë një pamje të përgjithshme se si sundohen sot njerëzit në të gjithë botën, duke nënvizuar se dy janë mënyrat kryesore që përdoren sot në botë.
Sipas tij, ka (pasur) dy grupe njerëzish, ose një familje dhe një grup njerëzish që quhen bankierë, të cilët me disa manipulime sundojnë gjithë pjesën tjetër.
“Bankierët nëpërmjet prodhimit të parasë nga hiçi, që marrin letër dhe e prodhojnë dhe ua japin popujve borxh dhe popujt duhet t’ua rikthejnë prapë, dhe kjo para quhet pronë e tyre. Cilido shtet që nuk e pranon këtë kusht, ata bëjnë luftëra me pretekste të ndryshme t’i përmbysin qeveritarët derisa ta vendosin atë vend nën kontroll, ku paratë priten nga ta”, ka theksuar Cako.
Ai ka thënë se në krye të këtij grupi të vogël që kontrollon botën është familja mbretërore e kurorës britanike dhe se në krye të këtij grupi të vogël derisa ka vdekur ka qenë mbretëresha Elizabeta dhe paraardhësit e saj për 300 vjet.
“Kur paraja ishte monedhë, nuk kishe mundësi ta shtoje prodhimin e parasë sepse aq ishin kapacitetet për të nxjerrë nga minierat. Ajo që nxirrej prodhohej dhe jeta zhvillohej, sepse paraja është energji. Kurse kur u bë një marrëveshje e madhe nga bankierët që do pritnin letër dhe këtë letër e morën ata nën kontroll, atëherë sa më shumë para të priten, aq më shumë do të zhvillohet ekonomia dhe jeta”, ka theksuar Cako, duke shtuar se familja mbretërore nuk jeton siç jetojnë bankierët, por nga taksa mbi pronën që i shkon kësaj familjeje.
“Ata i gjejnë lekët në të gjitha vendet e Komonuelthit që ka pasur Britania, po edhe në SHBA që ka bërë revolucione, gjoja është çliruar nga Anglia. Ata paguajnë një taksë, që quhet taksa mbi pronën. Këtë taksë mbi pronën sot amerikanët nuk e dinë që e merr familja mbretërore britanike. Pra, me miliarda e miliarda lekë që paguajnë amerikanët taksën mbi pronën, atë taksë e merr në mënyrë të fshehtë familja mbretërore britanike. Pra, këto dy degë përbëjnë atë syrin gjithëpamës”, është shprehur ai.
Cako ka thënë se këto dy grupe “janë aq të fuqishme sa kanë mundësi të ndikojnë mbi çdo vend, sepse kanë krijuar gjithë këtë kapital dhe pasuri të madhe me të cilën ndikojnë mbi të gjitha politikat”.
Duke folur për të kaluarën, ai ka thënë se “ka pretendime nga historianët e konspiracionit që janë 200 vite në fund të viteve 1000 pas Krishtit, në kohën e Karlit të Madh të Francës, që janë zhdukur nga historia”.
Cako ka folur edhe për kabalizmin, një ndër besimet filozofiko-mitike.
“Kabala është një libër që nëpërmjet numerologjisë, shumë e sofistikuar dhe shumë e vështirë për ta kuptuar, kërkojnë që të parashikojnë të ardhmen. Ka të tjerë që thonë se nëpërmjet kombinimit të numrave këta bëjnë magji dhe hyjnë në lidhje me demonët, të cilët shikojnë pikturën e historisë, e cila është e pikturuar nga Zoti që më përpara. Ata janë në gjendje ta shikojnë dhe të parashikojnë ngjarje të ndryshme se çfarë mund të ndodhë”, ka theksuar ai.
Në takim Cako ka folur edhe për çështje të tjera, si për mesinë Sabataj Zevin, të kaluarën e Ulqinit, misteret e majave të shenjta etj.
Takimi është organizuar nga Qendra për Kulturë – Ulqin.

i. k.


“Helga’s Secrets”, e orientuar në botimin e librave non-fiction

Cako ka treguar se Shtëpia Botuese “Helga’s Secrets”, të cilën ai e ka themeluar dhe e drejton, është e vetmja shtëpi botuese ndër të gjithë botuesit shqiptarë që është e fokusuar në botimin e librave non-fiction. Ai ka treguar se në mes të viteve ’90 kishte rënë në kontakt me letërsinë non-fiction, përkatësisht me një fushë të saj – sektorin e teorisë që në atë kohë quhej konspirative. Kjo ka ndikuar në orientimin e filozofisë dhe politikës botuese të “Helga’s Secrets”.

Të fundit

më të lexuarat