Ulqin – Në sallën e koncerteve të Shkollës së Muzikës në Ulqin, të premten mbrëma është mbajtur koncerti i violonçelistes Dorina Laro dhe pianistes Kristina Petrollari – Laço, pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Në programin e tyre ato kanë interpretuar për publikun e pranishëm pjesë të përzgjedhura nga kompozitorët Ludwig van Beethoven, Cezar Frank, Ottorino Respighi dhe Frederic Chopin.
Dy artistet bashkëpunojnë me njëra-tjetrën prej vitit 2008, duke interpretuar në aktivitete të ndryshme muzikore në Shqipëri por edhe jashtë, si në Kosovë, Itali, Gjermani, Zvicër, Kore e Jugut etj.
Dorina Laro ka kryer Liceun Artistik dhe studimet në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve) në Tiranë, në klasën e Prof. Astrit Selita. Prej vitit 2002 është pedagoge në Akademinë e Arteve, kurse prej vitit 2012 mban titullin “Prof. i asocuar”. Një vend të rëndësishëm në aktivitetin e saj zë muzika e dhomës në festivale të ndryshme. Është drejtuese artistike dhe një prej organizatoreve të konkursit “Tempo” dhe festivalit “GjiroClassica”.
Ndërkaq pianistja Kristina Petrollari – Laço që prej vitit 2005 është pedagoge pranë Universitetit të Arteve në Tiranë, ku ka krijuar klasën e saj të studentëve në piano forte. Ajo ka kryer Liceun Artistik dhe ka diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, në klasën e prof. Margarita Kristidhi. Mban titullin profesor i asocuar. Ka një karrierë të spikatur, e ftuar në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Të dy artistet kanë interpretuar si soliste me orkestrat më të njohura shqiptare si Orkestra Simfonike e RTSH-së, Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit, Orkestra e Akademisë së Arteve etj.
i. k.
