
Të mendosh dhe të flasësh për letërsinë dhe kulturën në vitet ’90 të shekullit të kaluar, në kohën kur shqiptarëve në këto treva u rrezikohej edhe ekzistenca fizike, do të thoshte të jetosh jashtë realitetit. Për më tepër, me kulturë t’i rezistosh çmendurisë kolektive të kohës?! Por ajo ishte “arma” e vetme dhe më e fuqishme që kishin në dorë shqiptarët.
Në atë kohë të pakohë (1993), kur arti dhe kultura shqiptare në Malin e Zi ishin të anatemuara, një grup krijuesish, të tubuar në Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ideuan dhe krijuan një manifestim letrar në një cep të Ilirisë (Ulqin). Ideali i tyre ishte, para së gjithash, krijimi i hapësirës kulturore unike shqiptare dhe komunikimi i letërsisë shqipe me letërsitë tjera në një univers më të gjerë letrar – ballkanik dhe botëror. Koha ka dëshmuar se ata ishin largpamës.
Por kur ikin themeluesit, është sikur ajo shtëpia që mbetet pa të zotin! Por ashtu si letërsia shqipe duhet të jetojë dhe mbijetojë pas Kadaresë, edhe “Kalimera Poetike” duhet të jetojë pas vdekjes së dy prej themeluesve të saj. Ibrahim Berjashi dhe Basri Çapriqi na kanë mësuar se si duhet ta duam dhe të punojmë me ngulm për ta ruajtur atë që ke krijuar. Ata na e kanë lënë amanet, ndërsa ne ua kemi borxh që ta vazhdojmë, e një brez tjetër, pse jo, ta ngrejë në një stad më të lartë.
Sot “Kalimera Poetike” është imazhi letrar dhe kulturor i Ulqinit dhe i shqiptarëve në Malin e Zi. Ajo zë vend nderi në hartën e festivaleve letrare që organizohen në hapësirën shqipfolëse dhe në vetë Malin e Zi. Arma më e fuqishme është tradita dhe trashëgimia e saj. Kësaj trashëgimie nga ky edicion i shtohen edhe dy emra të përveçëm të letërsisë shqipe – shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi. Megjithëse secili krijon në mënyrën e vet, ajo që i bashkon është përpjekja e tyre, e kthyer pothuajse në një mision, që letërsinë shqipe përmes përkthimit në gjuhë të huaja ta bëjnë të njohur për lexuesin evropian dhe botëror. Krahas tyre, artistja multidisiplinare Zake Prelvukaj, arti eksplorues i së cilës flet me një gjuhë të veçantë, sepse gjithmonë është në kërkim të së resë.
Në kontekstin edhe të disa ngjarjeve të fundit në Malin e Zi, nëse nisemi nga premisa se letërsia është gjuhë, para së gjithash, “Kalimera Poetike” ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm për shqiptarët në Malin e Zi të sotëm – të mbajë gjallë gjuhën shqipe në një hapësirë ku ajo është e rrezikuar seriozisht dhe ndonjëherë edhe e padëshirueshme.
(Fjala e hapjes në manifestimin letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” 2025)
