Këngët e arbëneshëve të Zarës jehojnë në Kala

Tingujt e këngëve të vjetra arbëneshe jehonin nëpër ndërtesat e Kalasë, duke përcjellur emocionin dhe mallin 300-vjeçar nga Arbëneshi në Ulqin. Nën tingujt e thjeshtë të një vije melodike të përmallshme, të gëzueshme, të vrullshme dhe të hareshme, me thekse të veçanta të kumbimeve të takteve dhe ritmeve që spikatnin nëpër nota të larta të vijës melodike, jehona e këngëve kalonte nga sheshi qendror, nëpër rrugicat me kalldrëm, hynte në njërën dritare të shtëpisë dhe komunikonte me dritaren e shtëpisë përballë, nga shtëpitë e gurta përdridhej nëpër bedenet e kalasë dhe së bashku me ushtimën e detit, notonin këngët përmbi dallgët e detit dhe shkonin e zbarkoheshin në brigjet e Zarës, duke përcjellur edhe mallin tonë të këtejmë për shqiptarët e andejmë. “Sa kemi mall, s’ka deti valë...”

Korab Kraja

“Jam arbënesh, jam arbënesh!”, jehonte Kalaja e Ulqinit të hënën e 21 gushtit. Këngët interpretoheshin nga këngëtaret arbëneshe, populli i mbledhur në sheshin e kalasë këndonte pas tyre. Nga ritmi që muzikantët arbëneshë përçonin te publiku, ky i fundit i përcillte me duartrokitje. Tingujt e këngëve të vjetra arbëneshe jehonin nëpër ndërtesat e Kalasë, duke përcjellur emocionin dhe mallin 300-vjeçar nga Arbëneshi në Ulqin. Nën tingujt e thjeshtë të një vije melodike të përmallshme, të gëzueshme, të vrullshme dhe të hareshme, me thekse të veçanta të kumbimeve të takteve dhe ritmeve që spikatnin nëpër nota të larta të vijës melodike, jehona e këngëve kalonte nga sheshi qendror, nëpër rrugicat me kalldrëm, hynte në njërën dritare të shtëpisë dhe komunikonte me dritaren e shtëpisë përballë, nga shtëpitë e gurta përdridhej nëpër bedenet e kalasë dhe së bashku me ushtimën e detit, notonin këngët përmbi dallgët e detit dhe shkonin e zbarkoheshin në brigjet e Zarës, duke përcjellur edhe mallin tonë të këtejmë për shqiptarët e andejmë. “Sa kemi mall, s’ka deti valë…”
Dokumentet dhe shkrimet në Arkivin e qytetit të Zarës dëshmojnë proceset e hollësishme mbi ngjarjet e shekullit XVIII mbi vendbanimet e të shpërngulurve, rrethanat politike dhe shoqërore të kohës, procesin e organizuar të shpërnguljes dhe vendosjen në vendbanimin e ri. Të ikurit nga rrethinat e Shkodrës, më konkretisht nga fshatrat Shestan, Brisk dhe Ljare të trevës së Krajës, gjatë kohës së shpërnguljes ishin pjesë e Perandorisë Osmane dhe si popullatë e përkatësisë fetare katolike, iu nënshtruan dhunës nga nëpunësit lokalë turq. Duke iu referuar Kruno Kërstiqit, për këtë shpërngulje kanë ndikuar taksat e mëdha të bejlerëve, agallarëve dhe pashallarëve turq, që kërkonin haraç nga të krishterët; kanë ndikuar epidemitë e sëmundjes – murtaja, për të cilën pushteti turk nuk kujdesej të ndërmerrte masa për ta penguar atë; si dhe, rekrutimi ushtarak që kishte të bënte me luftën turko-persiane (1722-1736). Ikja e shqiptarëve ishte mirë e organizuar, duke kaluar nëpër territorin venedikas dhe në fund me anijet venedikase duke u transportuar në rrethinën e Zarës. Operacioni i shpërnguljes, duke i pasur parasysh kushtet dhe rrethanat që sundonin në hapësirën e liqenit të Shkodrës, ka zgjatur nga viti 1726 deri në vitin 1733. Në rrethinën e Zarës arritën 450 të shpërngulur në vendbanimin e ri i cili u quajt Arbënesh, sipas shqiptarëve të shpërngulur, ndërsa në kroatishte u quajt Arbanasi, kurse në italishte, që nga themelimi e deri sot, e ka emrin Borgo Erizzo. (Aleksandër Stipçeviq, 2012, Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës, f. 1 dhe 3)

Bërbili i kësaj nate vere jehon ende nëpër veshët e pjesëmarrësve të koncertit në Kalanë e Ulqinit, duke tingëlluar fjalët e vjetra shqipe si cicërimë bilbili


Përgjatë këtyre tre shekujve, edhe pse kohët e fundit duket më e zbehtë, u trashëguan gjuha, e folmja, doket, zakonet, veshja, kënga, antroponimet, toponimet, hidronimet dhe besimet popullore. Pra, u ruajt dhe u trashëgua në kushte jo të lehta kultura materiale dhe jomateriale. Për këto vlera dhe arritje në fushat e shkencës, filozofisë, historisë, artit, letërsisë, fesë, muzikës e sportit, që e pasuruan bibliografinë me literaturë dhe të dhëna të rëndësishme, si dhe me veprimtari të çmuar për komunitetin arbënesh në Kroaci dhe të shqiptarëve në përgjithësi, mund të përmenden Aleksandër Stipçeviq, Bozhidar Kallmeta, Ivan Prengja, Josip Rela, Kruno Kërstiq, Mario Kotllar, Shime Deshpali e të tjerë. Në Kalanë e Ulqinit, Dina e Mel me repertorin e tyre muzikor të titulluar “Bërbili: këngët e harruara të arbëneshëve të Zarës”, sollën këngët arbëneshe që komuniteti shqiptar i ka kënduar dhe ruajtur brez pas brezi. Kombinimi i përkryer i Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq, njëra muzikologe dhe soprano e muzikës klasike, ndërsa tjetra kitariste e shquar në kompozime dhe aranzhime muzikore, të dyja të diplomuara në Akademinë e Muzikës në Zagreb, kulmuan me ngjarjen kulturore ndër më të rëndësishmet te shqiptarët në Malin e Zi për vitin 2023. (Faqja zyrtare: https://dinaemel.com/hr/).
Karriera e tyre muzikore mund të thuhet se spikati nëpër qendrat e qyteteve historike të Kroacisë, Gjermanisë, Shqipërisë, Kosovës dhe tani së fundmi të Malit të Zi, duke bërë që kënga e “bërbilit” të dëgjohet në Zarë, Zagreb, Split, Köln, Shkodër, Prishtinë dhe Ulqin. Bërbili i kësaj nate vere jehon ende nëpër veshët e pjesëmarrësve të koncertit në Kalanë e Ulqinit, duke tingëlluar fjalët e vjetra shqipe si cicërimë bilbili.
Janë pikërisht këngët: “Arbëneši vendi tem”, “Bërbili”, “Ishjë një ditë të mojit majit”, “Me ofičala / Jam Arbëneš”, “Moj e bukura More”, “Netët”, “Ni merje kam Vana”, “So e dua nanen” dhe “Zogu i verës” që bënë bujë të madhe te pjesëmarrësit dhe duke i prekur thellë emocionalisht. Ishte pikërisht kënga e fundit, që i takon grupit të këngëve të vjetra burimore popullore në Arbënesh për vendlindjen, që është trashëguar deri sot, që e përmbylli programin.
Zogu i verës ko këndua
Në livadë në fusha jon,
E gji jeta ko diktua
Se ne jena Arbënesh.
Jam Arbënesh, jam Arbënesh!
Mo kanda ven, mo kanda ven,
Gjipër në brombje i de,
Në shpi po shkoj me flet.

Të fundit

më të lexuarat