Ulqin – Shkrimtari dhe analisti i njohur nga Shkupi, Kim Mehmeti, është shfaqur kritik ndaj shumë dukurive të sotme në fushën e arsimit ndër shqiptarët si dhe për shumë anomali të tjera të shoqërisë së sotme shqiptare.
Në takimin e hapur, që është zhvilluar të hënën mbrëma në Librarinë “Ulqini”, ai ka veçuar partizimin si një plagë të arsimit, por edhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, gjë që ka sjellë dëme dhe pasoja të pariparueshme në sistemin arsimor dhe vlerat shoqërore.
“Shkurt e shqip, jo vetëm në arsim, por në çdo sferë të shqiptarisë, ne nuk shpëtuam nga partizimi i shoqërisë. Ne ende më besnik i jemi partisë sesa edhe kombit. Ne më shumë i përkulemi asaj leckës partiake sesa shqiponjës me dy krena”, ka thënë Mehmeti.
Si një ndër problemet e arsimit shqip, ai ka përmendur fenomenin e diplomave dhe doktoratave të blera, saqë nuk mund të dallosh të mençurit nga budallenjtë me diploma dhe doktorata.
“E shohim që ata si ne u bënë doktora shkencash dhe shtrojmë pyetjen: Si mundet ky? Se e dimë, njihemi: budallenjtë njihen mirë me njëri-tjetrin, të mençurit njihen mirë. E tani u përzie puna te ne. Doktorët e shkencave dhe budallenjtë shkojnë bashkë. Dhe ti nuk mundesh më ta dallosh se ku nis e vlefshmja, ku përfundon e pavlefshmja. Ky është problemi i arsimit”, ka theksuar shkrimtari.
Ai ka bërë një krahasim ndërmjet bukurisë, që është e dukshme, por që me kohë kalon, dhe mençurisë si pjesë e padukshme e njeriut, që mbetet e përhershme, dhe ku arsimi luan rol vendimtar.
“Arsimimi është ai që e përpunon te njeriu pjesën e padukshme, bukurinë e padukshme tek ai, që ka të bëjë me vlerat njerëzore, ndjesinë e tij, imagjinatën e tij. Arsimimi ka të bëjë me bukurinë e përhershme që nuk plaket, se bukuria tjetër harxhohet. Arsimimi është ai që e forcon bukurinë e brendshme, se bukurinë e jashtme mundet sot edhe me ndërhyrje kirurgjike të bëhemi më të bukur. Mirëpo, nuk mund të të bëjë më të mençur”, ka thënë Mehmeti.
“Jo vetëm në arsim, por në çdo sferë të shqiptarisë, ne nuk shpëtuam nga partizimi i shoqërisë. Ne ende më besnik i jemi partisë sesa edhe kombit. Ne më shumë i përkulemi asaj leckës partiake sesa shqiponjës me dy krena”, ka thënë Mehmeti
Sipas tij, mungon kujdesi i dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë këtyre shteteve, ku ai ka veçuar shqiptarët në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës.
“Ne dalëngadalë kemi filluar të ndjehemi si popull pa atdhe, thuajse askush nuk kujdeset për ne, nuk ekziston as ai kujdesi që e tregonte dikur Kosova ndaj ne shqiptarëve që jetonim jashtë Kosovës. Kosova ishte ajo nëna e mirë që na arsimonte, që prodhonte kuadro arsimore për shqiptarët në Maqedoni. Ne pothuajse edhe sot e kësaj dite profesorët më të mirë i kemi ata që na i prodhoi Prishtina… Kjo është nëna që kujdeset mirë për fëmijët e vet”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se shqiptaria nuk mbrohet në Tiranë, por pikërisht në skajet më periferike ku jetojnë shqiptarët.
Ai ka nënvizuar rolin kyç të arsimit në iluminizimin e një populli apo shoqërie.
“Një popull mund ta shkatërrosh pa përdorur asnjë plumb. Vetëm nëse ia ndalon arsimimin, ose ia shkatërron arsimimin. Dhe sipas meje, më e rrezikshme është t’ia shkatërrosh arsimin sesa t’ia ndalosh, sepse nga të diplomuarit e paditur krijon njerëz të dëmshëm për shoqëri, ndërsa nga njeriu i mirë, i pashkolluar, ai nuk ta dëmton shqiptarinë sa doktori i shkencave që e ka blerë doktoraturën dhe është bërë profesor, i shkatërron gjeneratat, krijon gjenerata që nesër janë inferiorë ndaj kolegëve të vet serbë etj.”, ka thënë Mehmeti.
Për të ilustruar mendimin e tij, ai ka përmendur periudhën e ndritur kur Kosova krijoi elitat e veta kulturore, shkencore etj. që ditën të shpërfaqin të vërtetën shqiptare.
“Pse ne u faktorizuam në ato vite dhe shqiptarët u faktorizuan? Sepse i kompletoi shqiptaria në njëfarë mënyre elitat e veta. A sot ndodh, sipas meje, diçka që është e rrezikshme. Por ne ato elita dalëngadalë i shkatërruam. Dhe te ne, nëse ka ndonjë elitë që nga dita në ditë forcohet, është elita e tenderokratëve, hajdutokratëve, e politikanëve që vetëm njëzet ditë në katër vite u kujtohet çfarë duan shqiptarët, gjatë fushatës parazgjedhore. Që duhen shkolla të mira, duhen biblioteka, duhen librari”, ka thënë Mehmeti.
Shkrimtari dhe analisti nga Maqedonia e Veriut ka thënë se e ka pranuar me kënaqësi ftesën për të ardhur në Ulqin, sepse këtë e ndien një lloj obligimi moral dhe kombëtar.
“E kam kuptuar një gjë. Një popull vlen vetëm aq sa është i kujdesshëm ndaj periferisë së vet, sa investon atje, edhe sa i përket arsimit”, ka thënë Mehmeti.
Në vijim të takimit, ai është përgjigjur në pyetjet e pjesëmarrësve në takim.
Udhëheqësi i takimit, Bledar Doda, ka thënë se pasi që është fillimi i vitit shkollor, janë përcaktuar për një temë të tillë (arsimin) e cila na prek të gjithëve.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”.
Përpos takimit në Librarinë “Ulqini”, shkrimtari ka zhvilluar të hënën një takim me nxënësit e Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në mjediset e kësaj shkolle.
i. k.
