Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar

Në një bisedë në 65-vjetorin e meshtarisë së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali shqiptar Ernest Simoni përshëndeti mbarë kombin shqiptar duke thenë: “Si popull me bujari, me dinjitet kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të mundohemi që të gjithë të bashkohemi në një harmonizim fjale, mendimi e veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije, për paqë, buzqeshje e lumturi për të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në forcën e Tij hyjnore që ka me kenë dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë diellin që do shëndrit të gjithë popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin Zot e lutemi…”.

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Me ketët rast, Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar shqiptarëve kudo që janë, duke thenë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë Shqipënia!”
Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se Kardinali shqiptar Ernest Simoni, i mbijetuari i burgjeve dhe internimeve të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës, festoi, javën që kaloi 65-vjetorin e meshtarisë. Ka qenë 7 prilli i vitit 1956 atëherë kur Don Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba, ish-Arkipeshkvi i Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe ai vet nën tortura mizore në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës në janar të vitit 1980.
Fatin e Imzot Çobës dhe të qindra klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist dhe më vonë e pësoi edhe prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i parë shqiptar, i cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e internimit komunist të regjimit të Enver Hoxhës. Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prag të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurëve, për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas vetëm disa muaj më parë. Si përfundim, Don Ernest Simoni arrestohet, burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara, përfshirë handrakët e Shkodrës dhe në miniera. Besoj se Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë i cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe në përgjithësi barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi klerikët shqiptarë të tre feve në përgjithësi, një barbarizëm që ishte veçanërisht brutal ndaj Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesve të saj, siç ishte Don Ernest Simoni, në veçanti. Kardinal shqiptar, mund të jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i cili “Rrnon ende për të tregue”.
Jo se nuk dihej kjo e vërtetë, por u bë edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me lirimin e disa prej klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende gjallë “për të tregue”. Klerikë si Kardinal Simoni dhe At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me Tregue”, rrëfimet rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe shumë të tjerëve. 30 e ca vjet më parë dhe me ndryshimet historike anembanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshirë Shqipërinë enveriste, këto tregime u bënë të mundura dhe u botuan, pasi diktaturat dhe diktatorët, përfshirë monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po groposeshin, anembanë Shqipërinë.
Don Ernest Simoni lirohet në vitin 1990, kur njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë. Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, sipas Kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 “diktaturës kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke justifikuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur diktatura komuniste ishte e interesuar të zbatonte Kushtetutën. Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë i lirë përsëri, u hapen kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga regjimi komunist i pa Zot dhe i pabesë. Don Ernest Simoni rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u ishte mohuar e drejta e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë shqiptarë të guximshëm që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë komunizmit, edhe pse mund ta pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga regjimi komunist.
Ndërkaq, pas vizitës historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill 1993, në shtator të vitit 2014 Papa Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri që ishte edhe e vizita e parë e tij në një shtet të kontinetit evropian. Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me Don Ernest Simonin dhe dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tij nën regjimin komunist. Nga takimi me priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet deri me lotë dhe emocionohet dukshëm nga tregimi i vuajtjeve të Don Ernestit në burgjet komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë u transmetua anembanë botës nga mediat ndërkombëtare. Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i akordon Don Ernest Simonit titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të Kardinalit të Kishës Katolike – një titull nderi ky, pasi Don Ernest Simoni e kishte treguar me vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij si dhe për lirinë dhe paqën e popullit të vet.
Kardinali Ernest Simoni megjithëse i shkuar në moshë (93 vjeç) edhe në këtë 65-vjetor të meshtarisë vazhdon të jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve, për të mirën e popullit të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjen e bashkëkombasve të tij në Shqipëri dhe kudo që janë ata. Në këtë frymë vëllazërore dhe baritore, Kardinali shqiptar Ernest Simoni me rastin e 65-vjetorit të meshtarisë së tij, përcolli nepërmjet Radio Vatikanit në gjuhën shqipe këtë porosi të gjithë atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke thenë:
“Po afrohen zgjedhjet. Zgjedhjet janë (shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një populli të pjekur që kërkon dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të gjithë. Secili mendon që me hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që janë vërtetë, gëzimi i popullit. Çdo deputet që do të zgjedhet do të konsiderohet prej popullit në rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirësitë që ka në anën jetësore dhe ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për edukatën e tyre, me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot vëllazënim dhe nji buzëqeshje në zemër e në sytë e tyne, ashtu që kur të shohin deputetët, të jetë si me pa njeriun më të dashur të tyre. Kjo ashtë fjala e Zotit dhe u shkoftë në vesh të gjithëve”, porositi votuesit shqiptarë, Kardinali Ernest Simoni.
Kardinalit shqiptar Ernest Simonit i urojmë 65-vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë në shërbim të fesë dhe të Atdheut. Komunizmi dhe komunistët shqiptarë atëherë dhe sot mund t’i kenë konsideruar si fitore të përhershme të komunizmit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, shtypjet dhe shfarosjen e klerikëve katolikë dhe të feve të tjera, në përgjithësi. Atyre nostalgjikëve të komunizmit shqiptar dhe mbështetsëve të tyre, të cilët janë prononcuar kohët e fundit se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” dhe se “komunizmi kishte më shumë të mira se këqija”, dua tu them që të gjejnë rastin e të flasin me Kardinal Ernest Simonin sa është gjallë e ndoshta mund të marrin një përspektivë tjetër për të “mirat e komunizmit”, për të cilat ata flasin. Mbrojtja ose heshtja ndaj krimeve të shqiptarit kundër shqiptarit gjatë periudhës komuniste, mbetet një njollë kombëtare e cila nuk do të zhduket përderisa personalitete të larta të politikës shqiptare nuk përfillin zërin e brendshëm të ndërgjegjes së vet dhe as interesat kombëtare.
Por, e keqja kurrë nuk mbizotëron mbi të mirën, përjetësisht. Siç është shprehur me një rast kolegu dhe bashkëvendasi im i nderuari Prof. Sami Repishti, edhe ky vet e familja e tij viktima të komunizmit dhe të fashizmit – se: “Njeriu i përket Zotit dhe si i tillë është përgjegjës ndaj ndërgjegjes së vet, atij zëri të fuqishëm brenda vetes tonë i cili na lavdëron dhe na qorton, por që është një zë që nuk mund të shuhet. Natyra e tij shpirtërore dhe fuqia e tij e pamposhtur janë baza e bindjeve tona se ekziston vetëm një fitore, e vërteta, se e mira fiton gjithmonë mbi të keqën”.
Jeta dhe vepra e Kardinal Ernest Simonit, megjithë vuajtjet e tmerrshme të tij dhe vrasjet e qindra bashkëvëllezërve të tij të pafajshëm klerikë, vetëm e vetëm, se kishin një mendim ndryshe ndaj imponimit me forcë të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik mbi shqiptarët – na tregon sot se ndonëse pak me vonesë dhe pas humbjeve të mëdha, më në fund e mira gjithmonë fiton mbi të keqen. Lavdi viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar – këtyre rrezeve të qytetërimit shqiptar!

Të fundit

më të lexuarat