Kapedani

Asllan Bisha

Pas vjeshtës së parë kapedan Davidi nga Ulqini hodhi spirancën në molin e Barit. Ishte i stërlodhur nga lundrimi me velore. E kishte marrë këtë vendim në det.
“Nëse e bën Zoti të vë këmbën në tokë, kurrë më në det”.
Dhe atë mbrëmje, para mesnatës vonë e zuri gjumi. Fjeti si guri në ujë derisa Muçoja, detari më i ri, me ndrojtje trokiti lehtë në kabinën e anijes së tij, të velores “Gjerana” që ishte kastuar në mol pa një direk.

  • Ç’kemi? – foli qetë kapedani.
    Detari i ri, Muço, me zë të butë e respekt i tha se “një agjent tregtar barez kërkon të të takojë, ty kapedan”.
  • Mirë, le të presë dhjetë minuta.
  • Si urdhëron kapedan! – tha Muço Mehmeti.
    “Nëse do fati ta blej veloren, do t’ia jap. Jam betuar se kurrë kapedan Xhavidi nuk lundron më deteve. Do ta marr hakun e anijes dhe asnjë liretë më shumë. Do të kthehem në shtëpi. U bëra bardhë e shëllirë në det. Mbeta me një direk”.
    Ashtu fliste kapedani, ishte i vendosur. I kujtohej koha kur kishte filluar si detar i ri, Muço dhe kishte arritur gradën e kapedanit. Kishte më shumë shkollë lundrimi, shkollë jete. Kishte qenë autodidakt i përbetuar. E fliste italishten për mrekulli, saqë një zonjë, kur kapedani me një rast në bankë i kishte thënë:
  • Më falni zotëri, e folmja juaj është bareze, por disa shprehje i keni kalabreze. Nga jeni?
    Kapedani kishte qeshur me të madhe:
  • As s’ jam barez, as kalabrez.
    Zonja kishte mbetur e stepur, fytyra e saj ishte bërë ngërç, s’i kishte ndodhur të gabojë në përcaktime të tilla saqë ishte zënë ngushtë. S’po u besonte fjalëve, derisa kapedani i pashëm, mjekërbardhë, po depononte një shumë të madhe të parave në Bankën italo-angleze.
  • Jam shqiptar, albanese.
  • Skutari, o, kuptoj.
    Në atë bankë do t’i fus të hollat. Aty janë të sigurta. I sillej ndër mend kapedanit, të cilit sikur intuita i thoshte se agjenti do ta blejë anijen. Ajo ishte me një direk, një tjetër kishte mbetur në ujërat e grykës së Otrantos. Dhe ashtu me mendime që i ishin qepur pa dashje, pa njeriun, agjentin tregtar që në pamje vërehej se është tregtar me të gjitha tiparet.
  • Mirëmëngjesi! – përshëndeti ai.
    Kapedani i shtriu dorën.
  • Jam Davidi, kapedan nga Ulqini.
  • Të pimë kafe kapedan, – foli tregtari dhe shtoi.
  • Jam i interesuar për ta blerë veloren. E shoh se keni pasur fat në fatkeqësi. Sa mirë që ju shpëtoi i madhi Zot.
  • Po, shpëtuam! Furtuna na zuri në Grykë të Otrantos, – tha qetë kapedani, pa dhënë sqarime më shumë, duke dashur të paralajmëronte tregtarin se donte t’ia niste bisedës për atë që e kishte ftuar. Kapedani i dha shenjë kamerieres, e cila me elegancë dhe buzëqeshje mori porosinë dhe solli kafetë.
    Dhe pas diku gjysmë ore, tregtari dhe David kapedani u morën vesh. Agjenti tregtar nxori kontratën nga çanta për ta nënshkruar. Ia dha gjysmën e shumës në dorë. Pjesën tjetër e deponoi në bankë.
    U përshëndetën, shtrënguan duart, duke i uruar fat njëri-tjetrit.
    Kapedani sikur dukej i qetë, thuajse e kishte harruar ferrin, stuhinë në Grykën e Otrantos. Atë natë kishte parë pak, terr, errësirë, ushtimë, furtunë, trumë, valë të mëdha që shndërroheshin në uragan. Ai në një çast dëgjoi një krisje, shkëputje, një krikëllimë. Furtuna shkëputi velin dhe direkun. Mori me vete Muço Skenderin që ishte ngjitur për të ulur velin.
    “Të më kishte marrë mua. Do të ishte më mirë, më e drejtë. Ashtu jam plakur. Tash unë s’meritoj të lundroj, të jem kapedan. Do të kthehem në Ulqin, në Gjerana, t’ia kthej shpinën detit”, – fliste kapedani i thelluar në botën e tij dhe donte të gjejë shpëtim nga nata me furtunë, e cila i kishte marrë shpresat dhe e kishte shkëputur nga lundrimi. Ai fajësonte veten e tij pse s’e kishte lënë më herët lundrimin. Iu afrua anijes, e cila ishte e qetë në molin barez, pa një direk, si një pulëbardhë e plagosur. Iu afrua detarëve. Dhe pa detarët që e prisnin me droje dhe kureshtje. Ai urdhëroi ekuipazhin të lëshonte veloren, se për dy orë vinte pronari i ri. Ata, pa pyetur, e kishin kuptuar vendimin e kapedanit.
    Ishte lundrimi i fundit me veloren e cila kishte mbetur si zog i plagosur në mol. Detarët i bënë gati plaçkat sa çel e mbyll sytë. Kapedani i mblodhi të tijat. Ishte i vrenjtur në fytyrë, zemërthyer. Mezi urdhëroi:
  • Plaçkat e Skenderit do të m’i jepni mua.
    Ca lot i rrodhën në fytyrën e ftohtë e të akullt të kapedanit. Ato s’ndaleshin.
    “Më fal Muço, të desha sa djalin. Më fal, ti ishe në të drejtë, të mori furtuna. S’kisha kohë për të menduar, frika, paniku, terri. Si të ndihmoja, s’dija ç’të bëja? Një instinkt detari më nxiti, më detyroi se ekuipazhi në velore vlen më shumë se një njeri. Bashi nuk kthehej. Asnjë mundësi në furtunë deti – mal. Manovrimi, kthimi prapa i pamundur. Ne shpëtuam, ty të lashë. Kërkoje ndihmë. O Zot, më fal, të desha si djalin. Fat i keq, furtuna” – fliste kapedani me unin e tij në portin e Barit duke pritur anijen për të kaluar detin.
    Dhe anija, pas katër orë pritjeje, u kastua në mol. Detarët ishin të pikëlluar, ktheheshin pa Muço Skenderin. Ishte hera e parë që kishin përjetuar avari, një tërmet deti kaluar atij të tokës. Asnjëherë vdekjen s’e kishin pasur aq afër. Por, shpresa vdes e fundit. Dhe vdekja e jeta ishin afër Skenderit. Kishte pasur fatin e zi dhe kishte mbetur në ujërat e shkumuara të Otrantos. Asnjë mundësi shpëtimi dhe manovrimi. Asnjë faj i kapedanit, por vendosmëria e gjakftohtësia e kapedanit kishte shpëtuar detarët e tjerë dhe veloren. Ekuipazhi i bashkuar në heshtje.
    (vijon)

(vijon nga numri i kaluar)
I trishtuar lundronte drejt vendlindjes me mot të mirë, pa asnjë pikë det. Furtuna me trumë kishte shfryer mllefin. Në zemrat rinore të detarëve pikëlonte një çikë ngazëllimi; takimi me të afërmit, me të vetët, baba, nënë, vëlla e motër, edhe nuset i pritnin me shpresë dhe me frikë.
Nënat kishin bërë rite në mol të Ulqinit, kishin hedhur vaj ulliri për të qetësuar përbindëshin e detit, për të zbutur furtunën, për t’u bërë deti i qetë. Por lutja s’kishte shkuar në veshë të Bindit, Zotit të detit ilir. Ai i kishte marrë një detar ulqinak, Skenderin, djalë i vetëm.
Dhe pasdite, pas një lundrimi të qetë nga Bari, anija preku ujërat e vendlindjes. Ulqini ishte një pëllëmbë. Kapedani mblodhi ekuipazhin, iu ndau pagat. Ato ishin më të mëdha se asnjëherë. Kapedani mezi foli:

  • Më falni, ma bëni hallall, se ndoshta ndonjëherë e kam kaluar kufirin. Unë do të lë detin. Ky është vendim i prerë. Ju vazhdoni, lundroni me velore e anije të tjera. Paçi fat e det të mbarë!
    Derisa fliste kapedani, bashi i anijes preku molin. Litari u hodh në breg. U lidh në kalu. Muçot lëshuan shkallët. Udhëtarët lëshonin anijen. Moli ishte mbushur përplot. Nga Kalaja të parët zbritën shkallinave. Lajmi u përhap në Ranë, Përrua, por edhe në Mera. Askush nuk po kuptonte se kapedan Xhavidi kthehej në vendlindje pa velore. Detarëve u printe kapedani. Sa preku tokën, ai qetë u foli detarëve:
  • Duhet të shkojmë tek nëna e Skenderit. E di se kam detyrën më të vështirë në jetën time, të cilën e keni edhe ju – tha kapedani.
  • Humba detar Skënderin. Prandaj s’do të lundroj më. Unë s’meritoj të jem kapedan, as detar…
    Arritën hamejtë. Ata ngarkuan sëndukët, arkat me rrobat e kapedanit dhe sëndukun e Skenderit.
    Pas nja një çerek ore, arritën te shtëpia e Skenderit. Dera u çel pas ca trokitjeve të lehta të frikshme, disi të dhimbshme. Plaka e hapi derën. Njohu kapedanin dhe syri i kërkoi të birin. U dridh si thupër. Dikur, ashtu e habitur me sy të zgurdulluar. S’e shihte të birin. Mezi pyeti, sikur zemra i ndjente frikë dhe një ndjenjë të ankthshme. Dhe me një zë të vendosur, pyeti:
  • Kapedan, ku e kam Skenderin?
    Kapedani dridhej si veli në maistral, si fëmijë. Buzët i lëviznin, por asgjë nuk fliste. Lotët i rridhnin si currila. Detarët qanin. Askush, asnjë fjalë. Dikur mezi shtoi:
  • Furtuna, furtuna, truma na zuri në det. Truma me direk e mori Skenderin.
    Kaq tha dhe s’foli dot.
    Ajo me sy të hapur mezi qëndronte në këmbë. E mori ngrykë plakën. U shkreh në vaj si fëmijë.
  • Qofshi vetë! Paç çka ke, djalin tjetër!
    U shkreh në vaj.
    Plaka s’po u besonte fjalëve. Ishte ngrirë.
  • U mbyt në det, qyqja unë!
    Lotët i njomnin fytyrën e rrudhur, e cila skuqej, nxihej.
    Njerëzit e shtëpisë, komshinjtë, u mblodhën në oborr. Detarët me kapedan Xhavidin nuk luajtën vendit. Ata sqaronin ngjarjen e tmerrshme në det. Nëna e detarit, me lot në sy, më shumë dridhej, qante, por qëndronte dhe mbahej fort. Një gjë të tillë s’e kishte menduar kurrë. Në oborr qëndronte sënduku i rrobave të Skenderit. E ëma e puthte, s’lejonte ta largonin. Ishte kujtimi më i hidhur, por edhe më i dashur i djalit.
    Kapedani s’luajti vendit me detarët nga shtëpia e Skenderit. Tri ditë e net. Ai u fliste njerëzve se e kishte shitur anijen, e kishte lënë detin.
  • Do të shkoj në Gjerana. Do ta lë detin pas shpine. Do të ndërtoj shtëpinë të re në truallin e vjetër në Gjerana!
    Ashtu edhe veproi, u vendos në Gjerana. Njëzet e tre muaj punuan mjeshtrit për ndërtimin e shtëpisë. Punuan natë e ditë. Vetëm të premteve, menjëherë sa falej xhumaja, mjeshtri vazhdonte punën. Të krishterët ishin dy veta, ata vinin menjëherë pas meshës. Ndërsa kopshtarët kujdeseshin për të rregulluar kopshtet, mbillnin pemët e ndryshme, fiq të të gjitha llojeve. Porositnin nga Ana e Malit, Bregu i Bunës, Mërkoti dhe Tivari. Po ashtu, ullinjtë i merrnin nga ullishta e Bashbylykut, Qafa e Malit dhe Valdanosi. Kapedani s’i kurseu paratë, shtëpia ngrehu kokën në Gjerana. Nga larg dukej si nuse bukuroshe. Bënte hije në kodrinat e Gjeranave. Pemët nxorën pinjollat e reja dhe bahçja e kapedanit u binte në sy të gjithëve.
    Para afatit, kulla e kapedanit, bahçja dhe shtëpia në Gjerana pritën mysafirët nga të katër anët. Gëzimi dhe hareja, gostia, sarajlija dhe gjellët e ndryshme iu shtruan mysafirëve.
    Pas gostisë të madhe, pikërisht një javë pas Shëngjergjit, Agimi, djali i kapedanit u sëmur. Kapedani u përkujdes dhe trokiti në dyert e doktorëve më të mirë. Arriti edhe në Trieste të Italisë. Nga Banka Italo-Angleze i tërhoqi paratë. S’iu dhimbsën. “Paraja derman, për ditë të vështirë”. Agimi! Doktorët e atjeshëm bënë çdo gjë për të shpëtuar Agimin, por sëmundja e keqe ia mori shpirtin. Dhe, pas një muaji, kapedan Xhavidi u kthye në shtëpi, me djalë në arkivol.
    Në mol e pritnin të afërmit, dashamirët. I gjithë Ulqini ishte trazuar. Nga minaret kumtohej lajmi se vdiq djali i kapedanit.
    Të nesërmen, në oborrin e kapedanit shkeli edhe nëna e detar Skenderit. Ajo e mori ngrykë.
  • Qëndro, kapedan. Të ra rëndë.
  • Po qëndroj, por më zor e pata në det atë natë kur dëgjoja Skenderin kur më thoshte:
    “Mos më lë, kapedan! Të lutem, mos me lë! Mos me lësho!” (Fund)

(Tregim i shtjelluar sipas gojëdhënës detare për kapedanin më të madh ulqinak të Gjeranave…)

Të fundit

më të lexuarat