
Gotulla, zavallja e mrekullueshme, nën atë masivin madhështor, në jug të Kalasë, është mikrotoponimi me tre emra: Jallija, Njallija – Kacemja.
JALLI, -JA f. fushë në breg, mu në buzë të detit. Kalalitë i thonë Njalli.
(Glosar – fjalor i detarisë i të folmes së Ulqinit: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2003, fq. 62).
KACEM/E, -JA f. mikrotoponim, një shkëmb, gur, (në Jalli, nën Kala) prej nga fëmijët, duke mësuar notin, kacenin (kërcenin, hidheshin) në ujë; e ka kuptimin: kërcimore; tash është marinë (mendreq).
(Glosar – fjalor i detarisë i të folmes së Ulqinit: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2003, fq. 67).
Pse kalalia i thotë Njalli? Duhet ta ketë këtë shpjegim.
Njalli është sinonim i emrit Jalli, është emër i ri, epitet, thënë në miloratuv – Jallia – njallia, thënë nga kënaqësia e përjetuar në atë plazh, duke bërë banjë deti, dielli dhe duke kërcyer nga shkëmbi në det. Me atë përjetim të gëzueshëm, fëmija, njeriu njallet, ngjallet.
E folmja e Ulqinit nuk e ka grupin konsonant ngj, e shqipton nj, pra, vend që njall – ngjall. Andaj – Njalli.
Pra, shkurt: mikrotoponimi kaceme: vend nga kërcehet në det, është neologjizëm, fjalë e re, dalë nga e folmja e Ulqinit, kërcimore. Ky gji – mendreq, tash marinë, emrin zyrtar e ka Kaceme.
Po i referohemi një reportazhi të Gani Karamanagës, nga po e transmetojmë një fragment:
JALLIJA – KACEMJA
Jallija vjen nga turqishtja: fushë në bregdet. Është në pjesën juglindore, nën Kalanë e Ulqinit. Në anën e majtë është Moli i vogël, kurse në anë të djathtë – Moli i Madh.
Plazhi i Jallisë ka qenë në breg me rërë, në fund me zhavorr. Bregu ka qenë me cekëtinë ranore.
Jallia ka qenë (është) 50 m e gjatë, kurse e gjerë 7 m.
Në pjesën e majtë të bregut ishte Guri i Zi.
Shkëmbi i madh, Kacemja, ishte i lartë nja 3 m mbi sipërfaqen e detit.
Sipër Jallisë – Kacemes ishte Bedeni i Kanunes, Tabja. Tash është hoteli “Pallati i Venedikut”.
Në fund të Jallisë është rrugica që të çon lart te porta jugore e Kalasë.
Në Jalli janë ndalur sanalla, flluga dhe anije të vogla turistike.
Në Jalli jemi larë në det. Aty kemi bërë notin e parë. Edhe katër fëmijët e mi, si dhe tre nipat e mbesat e para, aty e kanë mësuar notin. Më të vegjlit kanë notuar deri te Guri i Zi, më të rriturit kanë hipur në të dhe kanë kërcyer në ujë, prej Kacemes.
Jallia – Kacemja bëhet marinë.
Para disa viteve, Jallia u ndërtua marinë e vogël. Lidhen sanalla, por marina është jofunksionale. Dhe nuk i mbron sanallat e vegjël kur deti është me dallgë më të mëdha.
Detari i moçëm thotë me keqardhje: – Deti na ka dhënë çdo gjë që kemi tash, e ne detit s’i kemi kthyer kurrgjë.
(“Aroma e detit”, Koha javore, e enjte, 13 qershor, 2024, fq. 25).
Kuriozitet
Kur ishte jalli, lëndinë, në atë fushë janë varrosur dy trimat e detit, dy vëllezërit ulqinakë, Jahjaja dhe Ludi, për të cilët thonin se kanë pasur aftësinë e profetizimit të trazimit të detit. Ranë në dyluftimin me anijet franceze.
Pastaj janë zhvarrosur e rivarrosur në bregun e majtë të Ranës dhe është ndërtuar tyrbja që sot është monument historik që ngjall interesin e shumë turistëve.
Tyrbja në Ranë
Gjergj Gjokaj i jep këto të dhëna për legjendën (historikun) e tyrbes.
Në vitin 1718, oficeri venedikas, majori Shulenberg, e rrethoi me ushtri Ulqinin. Qyteti ishte në gjendje të vështirë për ujë dhe ushqim. Numri i të vdekurve ishte i madh. Qytetit i kanosej rreziku i një epidemie të përgjithshme. Qytetarët patën vendosur që të dorëzoheshin, por dervishët – Hyseni dhe Lutfiu, të cilët konsideroheshin si njerëzit më të mençur, ftuan një ditë popullin gjoja për t’u lutur Perëndisë që t’i çlironte nga armiku. Dervishët ishin njohës të mirë të kushteve atmosferike dhe pasi e panë se së shpejti do të ndryshonte moti, këshilluan disa nga luftëtarët më të njohur që të merrnin shkopinjtë dhe të rrihnin detin, gjoja që ai të tërbohet dhe kështu armiku të largohej.
Pasi ceremoniali u krye, dervishët hynë në xhami gjoja për të dëgjuar dëshirën e Allahut. Ata në të vërtetë prisnin momentin se kur do të fillonte shtrëngata dhe deti të turbullohej. Nuk kaloi shumë kohë e deti u trazua.
Venedikasit u tërhoqën. Jo për shkak të shtrëngatës, por për shkak se majori Shulenberg dëgjoi për Paqen që u lidh në Pozharevac ndërmjet Turqisë dhe Austro-Hungarisë dhe e pa që është e kotë që ta mbante Ulqinin të rrethuar.
(Hajro Ulqinaku, “DET I MIRË+” (impresione & glosa), dorëshkrim, 2024)
