Jeta e përditshme përmes artit pamor

Tuz – Në prani të një numri të konsiderueshëm të admiruesve të artit pamor, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit dhe të nëpunësve të QKI “Malësia” në Tuz, të premten mbrëma, më 11 shkurt 2022, u hap ekspozita personale “Spektër”, e piktores nga Malësia, Monika Dukaj.
Në mbi dyzetë piktura dhe vizatime të punuara me teknika të ndryshme, autorja e kësaj ekspozite shpalos përditshmërinë përmes kreativitetit artistik, me motiv kryesor natyrën e qetë e cila në vete bart më shumë se një dimension.
Për kreativitetin e saj artistik, u shpreh vetë autorja, Monika Dukaj, e cila tha se jeta e përditshme është inspirimi i saj artistik, duke sjell në art copëza të bukura të përditshmërisë, por edhe ato më pak të bukura.
“Ngjyra e verdhë që i karakterizon punimet e mia, tregon dritën dhe ngjyrat e jetës që ne i jetojmë. Ditët tona janë të mbushura përplot me motive të ndryshme e me emocione ku ne i shpalosim në punimet tona. Pra, pavarësisht se si ndjehemi në ato momente në brendësi, ne mundohemi që përmes veprave artistike të paraqitura, të tregojmë ditën dhe shumë motive të tjera”, u shpreh Dukaj.
Ajo njëkohësisht falënderoi Komunën e Tuzit për mbështetje në organizimin e kësaj ekspozite si dhe Qendrën Kulturore- Informative “Malësia” e cila mundësoi ekspozimin e këtyre veprave të artit.
Ndërkaq, në emër të sekretariatit për vetëqeverisje lokale përshëndeti Marina Ujkaj e cila mbi këtë ngjarje kulturore tregoi një ndjenjë të veçantë, për faktin se siç tha, është hera e parë që Komuna e Tuzit është nikoqir dhe organizator i një ekspozite të një piktoreje nga vendi i vet.
“Unë shpresojë që piktorja e re Monika që iu përgjigj ftesës tonë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen sikurse ka filluar. Piktorja ka ku të mbështetet dhe të ketë idole, sepse Komuna e Tuzit ka dhënë emra për të cilët ka dëgjuar krejt bota. Shpresoj se edhe në të ardhmen ne si komunë do të përkrahim të gjithë ata që punojnë dhe që kanë talent në sfera të ndryshme”, u shpreh Ujkaj.
Ekspozita “Spektër” do të qëndrojë e hapur deri më 18 shkurt 2022, ndërsa është ekspozita e tretë e piktores Monika Dukaj, pas asaj të organizuar në qytetin e Shkodrës dhe të Ulqinit.
Ekspozita u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore- Informative “Malësia”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat