
Duke përcjellë këto ditë mediat botërore se çfarë po ndodh!, si po zhvillohen ngjarjet në botë, fillon dhe mendon se njeriun e ka okupuar egoja e madhe dhe urrejtja ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë dhe nuk besojnë njëjtë, siç po shihet e ka futur qenien njerëzore në një rrugë pa dalje!.
Patjetër që vëmendja të sjell te vendi yt, aty ku më së shumti ndihet frika dhe dhimbja.
Mundohesh të gjesh përgjigje për ato që ndodhin sot në vende të ndryshme!.
Dhe përsëri mendja më lidhet me ngjarjet e fundit, te sulmi i Serbisë ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, në mëngjesin e 24 shtatorit, na konfirmoi edhe një herë, se Serbia nuk po u hiqet qafe shqiptarëve, nuk po i le të lirë dhe se atyre nuk iu intereson paqja, ata mundohen të mashtrojnë ndërkombëtarët në vazhdimësi, duke zvarritur çdo njohje të Kosovës. Bindja ime është se paqja nuk do të arrihet asnjëherë, përderisa nuk do të mposhtet Rusia, e cila po mundohet të hapë konflikte të reja kudo që mundet, me qëllim që ShBA-së dhe NATO-s të iu shkaktojë kokëçarje, të iu kthejë përqendrimin dhe vëmendjen diku tjetër, për këtë po bindemi çdo ditë!
Sipas opinionit tim: në këto momente dramatike për kombin, kërkohet: maturi, zgjuarsi, strategji dhe bashkëpunim i të gjithë partive politike.
Me atë se çfarë shohim sot, nuk kemi kohë për ndarje të faktorit tonë, qofshin ato rrafshe politike apo ndarje të tjera.
Jemi para një vendimi historik të kombit dhe nëse kjo nuk kuptohet drejt, ne do të pësojmë, do të mbetemi në mëshirën e të ”fortit” gjithë jetën, do të jemi shënjestër e dëbimit dhe asimilimit nga trojet tona gjithë jetën, gjersa të fikemi si qiriu.
“Strategjia e vetme” që të vendosim ”qershitë në një shportë”, mund të na bëjë të varur gjithë jetën nga faktori ndërkombëtar.
Kuptohet se me aleatët duhet të koordinohemi dhe ndihma e tyre për momentin është më se e nevojshme, por për një të ardhme më të largët ne duhet të kuptojmë se “një fëmijë i porsalindur duhet të ngritët dhe të mësojë të eci me këmbët e veta”.
Në këto momente krizash, krerët e shteteve tona shqiptare duhet të mobilizojnë popullin për t’u mbrojtur eventualisht nga një agresion serb, kështu që populli nuk guxon të lihet i papërgatitur, sepse kushdo që mendon që Serbia do të heq dorë nga ideologjia e saj, gabohet rëndë.
Ata vetëm atëherë do të zmbrapsen nëse kuptojnë që shqiptarët janë të gatshëm dhe të përgatitur mirë për vetëmbrojtje.
Duhet të ju vihet në dijeni, se ne jemi të zotë t’i mbrojmë shtëpitë tona, derisa ata se kanë të qartë këtë, ata do vazhdojnë me bullizime dhe sulme siç e pamë në Banjskë të Mitrovicës në Kosovë.
Dashtë Zoti kurrë më mos të kemi luftëra, sepse i urrej luftërat, ato janë shkatërruese, por duhet të jemi të përgatitur, nëse ata na imponohen, ashtu sikurse na janë imponuar në të kaluarën.
Shqiptarët gjatë historisë së tyre nuk kanë sulmuar asnjëherë fqinjët e tyre, por ja që fqinjët tanë ende kanë pretendime territoriale ndaj nesh.
Andaj, Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen për një mobilizim ushtarak. Se çfarë duhet të bëjnë, ato e dinë këtë më së miri! Sot kemi specialistë të këtyre fushave.
Nuk e di a e kemi të qartë dhe mbase nuk e kemi mësuar asnjëherë gjatë historisë tonë se: nëse një gjarpër të sulmon, nuk mund ta thërrasësh çdo herë një dorë të huaj për ta neutralizuar, sepse nga një dorë e huaj ai mbetet i gjallë, rikthehet përsëri edhe më i fuqishëm të kafshon, derisa të helmon të gjithë trupin!
