
Libri “Ulqini, florini – Portrete, In memoriame” është i treti nga ky cikël kushtuar disa figurave që kanë lënë gjurmë në jetën e këtij qyteti (Ulqinit). Autori ka përzgjedhur disa figura, qofshin ato fetare (klerikë), arsimore (mësues), kulturore, kuzhinierë, këngëtarë, muzikantë, ekologë, aktivistë, muratorë etj. Shumica e tyre janë njerëz të thjeshtë, por që kanë bërë diçka të veçantë në jetën e tyre.
Përzgjedhja e tyre nuk është bërë as mbi baza të përkatësisë kombëtare, as fetare etj., sepse për autorin ka dy kategori njerëzish: të mirë dhe të tjerë (nuk po them jo të mirë). Dhe autori portretizon disa prej atyre që i përkasin kategorisë së parë. Renditja e portreteve në libër është bërë sipas kriterit alfabetik, gjë që mendoj se është një zgjidhje (apo zgjedhje) e duhur.
Ky është një libër i shkruar me (shumë) dashuri. Përshkrimi që autori u bën këtyre figurave është mbresëlënës. Ka prej tyre që nuk janë nga Ulqini, si muratori Spartak Kurtolli, “një mjeshtër i cili flet me gurë”. “Spartaku ka punuar 14 vjet mësues në shkollën fillore. Ka mbetur pa punë dhe i është rikthyer dashurisë së tij më të madhe – gurit”. Karamanaga e krahason atë me mjeshtrit e dikurshëm, ata që kanë ndërtuar bedenat e Kalasë. I duket sikur çdo gur i vendosur në Kala, qoftë edhe në rrugicat e saj, e bën atë më të bukur dhe më të lavdishme.
Pjesa më e madhe e portreteve dhe in memoriameve janë shkruar gjatë periudhës së koronavirusit. Pandemia nuk e ka ndaluar autorin në punën e tij të përditshme. Por koronavirusi ka marrë shumë jetë njerëzish, apo edhe të tjerë kanë vdekur gjatë kësaj periudhe. Si besimtar, ai është i vetëdijshëm se vdekja është diçka e natyrshme, por atij i dhimbet çdo vdekje, sepse i duket një humbje e madhe për qytetin, i duket sikur ka ikur një pjesë e tij. Ismetit i dhimben, sepse nuk do t’i shohë më në vendet ku është mësuar t’i shohë… rrugëve të Kalasë, në Ranë, kafenetë ku ata pinin kafen etj. Ato vende i duken tashmë bosh! Është i sigurt se vendin e tyre nuk mund ta zëjë askush! Prandaj edhe s’e honeps dot dhe (shpesh) sikur ofshan me vete: “Na iku (ose “Na la”) edhe nje kalali”
Pjesa më e madhe e portreteve dhe in memoriameve janë shkruar gjatë periudhës së koronavirusit. Pandemia nuk e ka ndaluar autorin në punën e tij të përditshme. Por koronavirusi ka marrë shumë jetë njerëzish, apo edhe të tjerë kanë vdekur gjatë kësaj periudhe. Si besimtar, ai është i vetëdijshëm se vdekja është diçka e natyrshme, por atij i dhimbet çdo vdekje, sepse i duket një humbje e madhe për qytetin, i duket sikur ka ikur një pjesë e tij. Ismetit i dhimben, sepse nuk do t’i shohë më në vendet ku është mësuar t’i shohë… rrugëve të Kalasë, në Ranë, kafenetë ku ata pinin kafen etj. Ato vende i duken tashmë bosh! Është i sigurt se vendin e tyre nuk mund ta zëjë askush! Prandaj edhe s’e honeps dot dhe (shpesh) sikur ofshan me vete: “Na iku (ose “Na la”) edhe nje kalali”.
Ja çfarë shkruan, ndër të tjera, në përkujtimin për udhëheqësen shumëvjeçare të Muzeut të Ulqinit, Mileva Nikolaidis – Vojvodiq:
„Të gjitha shikimet kur hyn në Qytetin e Vjetër edhe sot përqendrohen në dritaren e sipërme të godinës administrative të Muzeut, e cila ndodhet në të famshmin Shesh të Robërve, përballë portës kryesore të qytetit, pas grilave të së cilës ishte tavolina e punës e tashmë të ndjerës Mileva Nikolaidis. Silueta dhe karakteri i saj do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e të gjithë neve që e njohëm, e vlerësuam, e respektuam dhe e donim. Kjo vlen veçanërisht për mua, si shoku i saj i shkollës, por edhe si një njeri që bashkëpunoi ngushtë me të për afirmimin e qytetit tonë të vjetër dhe kulturës sonë”.
Kalaja është dashuri e përjetshme por dhe burim frymëzimi për autorin. Të shkruaj portrete dhe in memoriame për figura të veçanta, njerëz të cilët ai i ka njohur apo me të cilët ka punuar, ka ndarë të mirën dhe të keqen, ai e ndien si një obligim moral dhe borxh. Në këtë mision që i ka përcaktuar vetes, Ismet Karamanaga më duket sikur ai mohikani i fundit.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit/librave në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, më 28 gusht 2022)
