Ironia si ideologji eqasjes postmoderniste

Ajo që është magjepsëse në poezinë e Basri Çapriqit është se askush si ai nuk mundi dhe nuk pati guxim të zbresë aq thellë, pikërisht në atë errësirën e ironisë dhe mu në atë errësirë me aq shkëlqim të ndriçojë poezinë e tij. Kjo mënyrë e depërtimit lirik, do thosha të qetë, të mëndafshtë, mbase edhe finok nga errësira dhe terri përmes vetë ironisë, nuk ekziston në poezinë shqipe

Qazim Muja

Duke sjellë në letërsinë shqipe tema të reja, një kuptim të ri të jetës dhe botës autentike, një kuptim të ri të funksionit të artit në përgjithësi dhe të letërsisë në veçanti, me veprën e tij letrare e studimore, me poetikën, me angazhimin e tij intelektual e njerëzor, Basri Çapriqi na shfaqet si një ndër shkrimtarët më origjinalë shqiptarë nga fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21.
Në fakt, si krijues i botëve unike estetike, ai na çon mu në qendër të qytetërimit evropian, në qendrat e kulturave të shumta, në rrymat e letërsisë bashkëkohore, evropiane e botërore, veçanërisht në modernizmin dhe postmodernizmin, si një poet, si një studiues i palodhur, si një erudit, si një krijues, por jo si një shkencëtar, apo një alkimist që e shndërron dijen në një pëlhurë ontologjike, në një qenie estetike. Ai është një lirik i jashtëzakonshëm me një zë të veçantë ironiko-kritik, një poet i vetëlindur, një poet i lirizmit sublim, një krijues origjinal si në poezi ashtu edhe në studimet letraro-estetike dhe teoriko-letrare, pa harruar edhe kontributin e tij në topologjinë gjuhësore. Është kjo magjia e gjuhës së një poeti dhe studiuesi që ndërtoi shprehjen magjike të tij origjinale artistike si në poezi ashtu edhe në studimet estetike.
Krijimtaria letrare e gjithmbarshme e Basri Çapriqit, tanimë e përmbledhur brenda këtyre katër vëllimeve, nga PEN Qendra e Kosovës, gjegjësisht nga miqtë e tij dhe tanët, letrarë të shquar – Saliu, Ibrahimi, Milazimi, Avniu, Binaku, Osmani e shumë të tjerë, që në ndejat tona me bisedat e tij gjithmonë i sillte mes nesh, këtu pranë Ujit të Madh, meriton një qasje serioze shkencore letrare-historike, letrare-teorike dhe letrare-kritike, kërkon një qasje serioze shkencore nga shumë aspekte. Andaj dhe botimi i këtij kompleti e lehtëson punën e studiuesve për një qasje shkencore ndaj gjithë veprës së tij letrare-studimore, shumë të rëndësishme për njohjen e jetës dhe veprës së tij letrare, veprave të tij të veçanta, poetikës, angazhimit intelektual dhe çështjeve të hapura në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Vepra e Çapriqit është një arkë me një thesar të shumëçmuar.
Krijimtaria e tij është njëkohësisht një manufakturë origjinale e mendimit dhe meditimit filozofik, një punëtori e veçantë letrare e një demiurgu. Në procesin e tij krijues, Basri Çapriqi e zgjidh marrëdhënien mes artit dhe realitetit në një mënyrë kreative, krijuese postmoderniste, duke lënë mënjanë historinë, mitin, legjendën, pikërisht sipas teorisë së Epshtejn-it, duke kuptuar se postmodernizmi fillon mu aty ku përfundojnë historia, miti dhe legjenda. Mjafton të përmendet vetëm poezia “Liria”, dhe asgjë më tepër. Dhe çdo gjë tjetër që merr jetë e transponon në veprën e tij artistike, duke dokumentuar më së miri atë thënien e Hegelit se “arti është një ide në formë sensuale” ose, mbase “sensualitet i frymëzuar”.
Ose thënë ndryshe me terma aristoteliane, Çapriqi kap entelekitë, gjegjësisht mundësitë që prore kanë qenë të fshehura, të fjetura, ose të pathëna në letërsinë shqipe nga mungesa e guximit intelektual, dhe me ironinë e tij të famshme i shndërron ato në një ind lirik, estetik. Elementet e modernitetit, postmodernitetit, por dhe arkaizmit, traditës reale dhe imagjinare, përfshihen në kombinime të paparashikueshme që bën, mbi ato urat e një përvoje të re pragmatike të realitetit. Megjithatë, identiteti dhe rebelimi i subjektit poetik që vë në dyshim mendimet e tij, është kompleks. Nuk është vetëm se Çapriqi po vë në pikëpyetje botën që e rrethon, ai është shpesh një vëzhgues ngurrues, por dhe kritikues i ashpër i krijimit të asaj bote, që thuajse në mënyrë Brehtiane vë në dukje fiksionin e poezisë.
Në letërsinë e shekullit 20-21, sidomos tek autorët avantgardë dhe postmodernistët, ironia ndërthuret me mekanizmat groteske dhe parodike të paraqitjes së realitetit, prandaj është e vështirë të arrihet teorikisht në mënyrë të qartë semantika e saj.
Por në poezinë e Çapriqit domosdoshmërisht formësohet pikërisht ajo fusha ironike e strukturës figurative. Ironia, si një strukturë figurative themelore, shtrihet në gjithë hapësirën e saj diskursive, dhe kjo në formën e një ironie ndërtekstuale, që përfshin të gjitha realitet ndërtekstuale dhe ku qëllimisht zhytet subjekti i kësaj poezie që realizohet nga autori duke marrë njëkohësisht kodet e moralizmit dhe të letërsisë iluministe me ironinë si mjet sublimimi i subjekteve të përjetimit traumatik të dukurive jashtëletrare, jo vetëm në shoqërinë tonë, por në të gjitha shoqëritë njerëzore në përgjithësi. Dhe pikërisht ironia te Çapriqi jo vetëm që na paraqitet si e tillë, por ajo përnjëmend bëhet ideologji e qasjes postmoderniste.
Ajo që është magjepsëse për mua në poezinë e Basri Çapriqit është se askush si ai nuk mundi dhe nuk pati guxim të zbresë aq thellë pikërisht në atë errësirën e ironisë dhe mu në atë errësirë me aq shkëlqim të ndriçojë poezinë e tij. Kjo mënyrë e depërtimit lirik, do thosha të qetë, të mëndafshtë, mbase edhe finok nga errësira dhe terri përmes vetë ironisë, nuk ekziston në poezinë shqipe. Kjo është ajo që magjeps.
Andaj dhe poezia e Çapriqit është një veçanti, një përjashtim, një hapësirë më vete në letrat shqipe të fundshekullit të kaluar dhe të këtij fillimshekulli. Ka poetë që i përkasin poetikës së caktuar, vazhdojnë tradita të caktuara poetike dhe e bëjnë atë me sukses. Ndërsa Çapriqi krijoi një dhomë më vete, botën e tij të poezisë, e riformësoi autenticitetin në një simulakrum që vargjet të mos zbeheshin kurrë në realitetin e krijuar, banal… Ai arriti të riformësojë njohuritë e tij letrare dhe të krijojë diçka vërtet të re. Na la një botë të veçantë të zbuluar në mënyrën e tij, na la së bashku edhe fjalën e bukur, edhe gjuhën brilante të poezisë që sipas Hajdegerit gjithmonë janë më të thella, më të pasura dhe më afër së vërtetës.
Në fund, jo për t’i bërë elozh vetes si përkthyes, por me këtë dua të tregoj se sa lart vlerësohet poezia e Basri Çapriqit edhe në rrafshin gjuhësor malazez me botimin e poezisë së tij në vëllimin “Otvaranje shkolke” (Hapja e guaskës) në kolanën më prestigjioze “Nova lluça” (Pishtari i Ri) dhe “Savrshenstvo kishe” (Përkryerja e shiut) nga institucionet më në zë në Malin e Zi siç janë: OKF – Cetinë, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Biblioteka Kombëtare e Malit të Zi, Fakulteti për Gjuhë dhe Letërsi Malazeze dhe Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi.
Dhe krejt në fund do them, jam i bindur se historia e letërsisë shqipe prore do të mbajë në krye emrin e personalitetit të shquar Basri Çapriqit, ndërsa poezia shqipe shpirtin e tij.

(Vështrimi është lexuar në përurimin e kompletit të veprave të poetit, studiuesit të letërsisë dhe profesorit universitar Basri Çapriqi, në Ulqin, më 20 janar 2024)

Të fundit

më të lexuarat