E kanë kritikuar, më vonë edhe larguar nga puna, por nuk kanë mundur ta zbusin, as ta thyejnë shpirtin, intelektin dhe trimërinë e këtij intelektuali. Gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur i rrallë dhe ”i fortë”, më së pari si intelektual, hulumtues, studiues dhe si një njeri me virtyte të veçanta
Ismet Karamanaga
Që në fillim të këtij shkrimi dua të citoj një mikun tonë të përbashkët, i cili ka dhënë një mendim për dr. Nail Dragën, me të cilin unë pajtohem plotësisht.
“Nail Draga është ndër intelektualët e rrallë që iu bëri sfidë stereotipeve të sajuara politike, kulturore e arsimore për shqiptarët në Mal të Zi, ku me një këmbëngulje dhe pasion të veçantë iu kundërvu dukurive negative, duke demaskuar prapavijën e tyre. I pajisur me dijet e duhura në shkencat humane dhe shoqërore, Draga bëri interpretimin më analitik dhe më të plotë të identitetit kombëtar dhe çështjes shqiptare në Mal të Zi. Pikëpamjet e tij për këto probleme nisin me librin ‘Shqiptarët në Mal të Zi’, ku me fakte dhe argumente shpjegon kufizimin dhe asgjësimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, për të vazhduar me të njëjtin pasion me librin ‘Komente dhe opinione’ dhe për ta përfunduar me librin ‘Meditime për identitetin’, me të cilin autori krijon trilogjinë më të fuqishme mbi pozitën dhe gjendjen e shqiptarëve gjatë një harku kohor prej më se dy dekadash”.
Më duket se do të ishte e tepërt çdo gjë tjetër t’i shtoj këtij mendimi.
Nga ky konstatim kanë kaluar afër shtatë vite, por mua më duket se në kuptimin e jetës dhe të shkencës, te personaliteti i Nail Dragës nuk ka ndryshuar asgjë. Ai ka mbetur i njëjtë, ende hulumton dhe shkruan për avancimin e popullit shqiptar. Asgjë nuk mund ta ndalë, as problemet të cilat i ka pasur – shëndetësore, politike etj. Gjithmonë ka mbetur “i fortë” dhe pena e tij nuk pushon kurrë. Shkruan në gazetën “Koha javore” artikuj që kanë një peshë të veçantë, ku trajton gjërat që nuk duhet të mbesin në errësirë. Kohën e fundit është duke publikuar artikullin për “Luftën e Tivarit” sipas S. Gopçeviqit, të vitit 1878.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “788” të revistës Koha Javore
