Institucion me vlerë për gjuhën dhe veprën shqipe

Luljeta Avdiu-Cura

Dëshira për ta vizituar Korçën nis më së shumti nga fakti për të vizituar Mësonjëtoren e parë që në fakt është shkolla e parë kombëtare e gjuhës shqipe.
Ky institucion kaq me vlerë është bërë qendra e shumë vizitorëve nga krejt hapësira shqiptare dhe jo vetëm. Ky vend është shenjë e idealizmit, përkushtimit dhe vullnetit për fjalën, gjuhën dhe veprën shqipe.
Siç e dijmë Mësonjëtorja kombëtare shqipe e Korçës u hap më 7 mars 1887.E kush mund të ishte ideatori i kësaj shkolle përveç shkrimtarit të madh Naim Frashërit i cili në bashkëpunim me të vëllaun Sami Frashëri dhe rilindës të tjerë shqiptarë, ia dolën të marrin leje nga Porta e Lartë në emër të Pandeli Sotirit për ta hapur një shkollë shqipe në Korçë.Mësues dhe drejtor i kësaj shkolle u caktua Pandeli Sotiri.Por, kjo shkollë kishte veçantinë e vet sepse ishte shtëpi dhe nga dashuria e flaktë për vend dhe gjuhë këtë shtëpi e dhuroi me qëllim të shëndrrimit në shkollë, atdhetari Diamant Terpo.
Mësimin në gjuhën shqipe fillimisht e ndoqën 35 nxënës .Në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave.Kishte një klasë përgaditore si edhe katër klasa të rregullta.Në këta klasa mësoheshin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.
Në periudha të ndryshme kohore kjo shkollë ishte mbyllur dhe hapur.Në tetor 1891 Gjerasim Qiriazi sëbashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën në këtë shkollë edhe Mësonjëtorën e vajzave.Mësonjëtorja e vajzave sigurisht do të kishte për bazë mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare.
Ne patëm fatin e mirë që ditën e mbërritjes në Korçë ishte edhe dita e fillimit të Karnevaleve të Korçës.Korça njihet edhe për festivalin e karnevaleve që këtë qytet e bën të njohur përtej hapësirës etno-gjeografiko shqiptare.Pazari është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Karakterizohet nga ndërtesa përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia.
Ai ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku ia vlen të veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit të cilët shërbenin si fjetore për njerëzit që vinin nga jashtë qytetit. Tregu me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete.
Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish.
Duke shëtitur në Korçë të bjen në sy me madhështinë e saj Xhamia Iljaz Bej Mihrahori e ndërtuar në 1494 (sipas E. Vlorës që më 1465) nga Iljaz bej Mirahori në vakëfin e tij, tregues ky i të parit vakëf në trojet shqiptare. Është xhamia e pare me kube e ndërtuar në Shqipëri. Xhamia është ngritur mbi themelet e kishës së vjetër të Shënapremtes. Së bashku me një numër ndërtimesh përreth saj si imareti, banja, furra etj., Xhamia e Mirahorit formonte në mesjetë një qendër urbane pranë tregut të qytetit. Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati I hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin veriperëndimor të sallës ngrihej minareja. Mori statusin monument kulture në vitin 1948.
Katedralja e Korçës është ndërtuar në vitin 1992, dhe i përket besimit ortodoks. Nga përmasat e saj cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë dhe më e madhja në Shqipëri. Dikur në të njëjtën vend ekzistonte një tjetër katedrale e quajtur Katedralja e Shën Gjergjit, ndërtesë me rëndësi historike, e cila gjatë fushatave antifetare të vitit 1968 u shkatërrua totalisht së ekzistuari.
Kjo katedrale ka nje vleresim jashtzakonisht të madh nga qytetarët korçarë, dhe është kthyer në një simbol, një mjet identifikimi për Korçën.
Të nesërmen autobusi mori drejtimin për në katundin piktoresk të Voskopojës.
E meriton plotësisht atë ç’ka thotë Kadareja për Voskopojën “Jeruzalemi i Ballkanit”! Për Voskopojën, është folur e shkruar shumë. Janë shkruar mbi 200 libra nga autorë vendas dhe të huaj si një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike,tregtare kulturore dhe shoqërore.
Zhvillimin më të madh ekonomik, shoqëror, kulturor e tregtar, e arriti në shekullin e XVIII-të duke vendosur lidhje të ngushta e me preferenca të veçanta me shumë qytete si Manastirin, Korçën, Kosturin, Janinën etj. etj. Banorët e parë ishin arumunët, të cilët e zgjodhën këtë vend të bekuar nga natyra rreth vitit 1330. Kishin bredhur shumë vende të tjera vllahët nga familjet e pasura të familjeve Muzaka, por kur ata panë majat e maleve me rrobull e pishe, luginën nën këmbët e tyre, të gjatë e të gjerë të mbushur me bar e me lule kundërmuese, të njomur nga uji i kulluar i lumenjve, të ëmbël e të qetë, plot diell e freski, sytë i mbetën këtu. Si askund tjetër mushkëritë e tyre të lodhura nga udhëtimet e shumta nuk u mbushën me ajër të pastër si në këtë vend të bekuar ku mbetën të mahnitur. E kapën me syrin e tyre të regjur dhe ndjenë instinktivisht vlerën, bukurinë e saj, por nuk e shprehën atë me stilin tonë të sotëm “Ç’bukuri përrallore”, “Ç’panoramë madhështore”, “Çfarë vendi i begatë për jetesë, për kullota”, por e shprehën në praktikë. Nuk e bënë dysh vendimin e tyre, ndaluan karvanin, ndalën kopetë e bagëtive, vendosën stanin e ngritën kolibet e tyre, për të mos lëvizur për shekuj me radhë. Behari kaloi dhe shirat e vjeshtës zunë vendin e ditëve me diell. Vllahët nomadë, mblodhën stanin dhe ngarkuan mushkat. Gratë lidhën në kurriz djepat dhe fëmijët e vegjël dhe nisën kopetë për tatëpjetë. Ishin këto lëvizje për disa kohë rreth viteve 1330, kur në dimër largoheshin e në verë ktheheshin përsëri (Sipas Pandeli Bardhi).
Në njërën nga kishat në Voskopojë ishte edhe ikona e Gjon Vlladimirit.
Në kohën e betejave sllave për Dioklen, krahas monastireve (kuvende) ekzistuese, funksiononte edhe një monastir që i ishte kushtuar “Shën Mërisë Virgjër” dhe gjendej rrëze liqenit të Shkodrës në krahinën e Krajës, në fshatin Ostros i vogël, apo Kranj, në zonën e Arbneshit. Ky monastir i “Marisë Virgjer”, sipas Shufflay, dhe disa autorëve të tjerë është ngritur në shek. X, dhe është ndërtuar nga princi i Diokles, Shën Gjon Vlladimiri (970-1016).
Princi i Dioklës, Shën Gjon Vlladimiri, në vitin 997, më gjithë qenien e tij luftoi në mbrojtjen e Dioklës nga Bullgarët, dhe jeta e Vlladimirit kishte përfunduar nga një tradhti e kurdisur, në mënyrë tragjike duke iu pre koka nga mbreti Jovan Vlladislav, me 20 maj, në vitin 1016 në Prespa të Bullgarisë. Kronika vazhdon, së trupi i tij, më vonë qe sjell në manastirin e Shën Marisë në krahinën e Krajës, për tu rivarrosur nga e bashkëshortja Kosara, ku më vonë edhe ajo në vitin 1018, qe varrosur në të njëjtin vend me bashkëshotin e saj Vlladimirin.
Në kronikat dhe legjendat e më vonshme të shek. XVI e në vazhdime, ku pas tre shekujve heshtje përgojohet Gjon Vlladmiri, mësohet se trupi i tij qe marr në vitin 1215 nga Kraja nga princi Epirot despoti, Mihail Engjelli Komnena (1204-1216) dhe që dërguar në Durrës në ruajtje. Dhe në vitin 1381, sipas burimeve studimore, eshtrat e shenjtorit janë sistemuar në Elbasan në Shqipëri, në monastirin e rindërtuar, nga princi i Shqipërisë, nga Karlo Topia, (1359-1383), kushtuar në emrin e Shën Gjon Vlladimirit.
Pas përfundimit të vizitës në Voskopojë autobusi mori drejtimin drejt qytetit të Pogradecit. Përshkruar magjishëm nga poezitë e shkrimtarit Lasgush Poradeci (Llazar Gusho) qyteti i Pogradecit dhe liqeni krah tij kanë një peizazh si për kartolina.Ky qytet juglindor buzë liqenit të Ohrit – 40 kilometra në veri të Korçës të mahnit me bukurinë e tij.
Pogradeci njihej në lashtësi me emrin Enkelana dhe ishte kryeqendra e fisit ilir të enkelejve. Zbulime të ndryshme arkeologjike tregojnë se rrethinat e Pogradecit janë banuar që në periudhën e neolitit, ndërsa në fshatin Lin – 20 kilometra në veri të qytetit – janë zbuluar gjurmë vendbanimesh ilire dhe një bazilikë paleokristiane e cila mendohet të jetë e shekullit të V-VI para Krishtit.

Të fundit

më të lexuarat