
Në teorinë bashkëkohore të kulturës pranohet gjerësisht se institucionet më të qëndrueshme nuk janë gjithmonë ato që krijohen me dekret administrativ, por ato që lindin nga nevoja e një bashkësie të caktuar për ta strukturuar kujtesën dhe për ta legjitimuar diskursin e vet. Pikërisht në këtë prizëm duhet parë edhe themelimi i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, e cila këtë vit shënon 35 vjet nga themelimi i saj, si një institucion real i mendimit, i librit dhe përgjegjësisë kulturore. Vepra dhe qëndrueshmëria e kësaj shoqate e bëjnë të lehtë vlerësimin për të – sepse aty ku puna intelektuale është autentike, fjala thjesht duhet ta ndjekë me ndershmëri veprimtarinë e saj.
Duhet vënë në dukje edhe botimet monografike si thelbësore, sepse ato përfaqësojnë një trajtim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të temave, ofrojnë një kontribut origjinal shkencor, dhe shërbejnë si burime referimi, si një burim i rëndësishëm i të dhënave për hulumtimet e ardhshme historike dhe kulturore, më se të nevojshme për shqiptarët në Malin e Zi
Të flasësh sot për Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nuk do të thotë thjesht të përmbledhësh një histori veprimtarish kulturore, as të ngjarjeve të rëndësishme, data apo tituj librash. Të flasësh për “Art Club”-in do të thotë të reflektosh mbi një ide, mbi një projekt shpirtëror dhe intelektual, mbi një përpjekje të qëndrueshme për ta bërë kulturën shqiptare në Malin e Zi të dukshme, të artikuluar dhe të qëndrueshme në kohë.
Në këtë kuptim, veprimtaritë kulturore, letrare, shkencore dhe artistike të shoqatës mund të lexohen si forma të institucionalizimit të dialogut publik, në kuptimin habermasian (veprimit komunikues) të fjalës, për mënyrën se si njerëzit, përmes gjuhës dhe dialogut, mund të arrijnë marrëveshje duke marrë mbi vete funksione thelbësore institucionale – artikulimin e vlerave, ruajtjen e kujtesës dhe ndërmjetësimin e dijes, sepse shoqata nuk është thjesht organizatore aktivitetesh, por hapësirë diskursive, ku krijuesit dhe studiuesit tanimë janë shndërruar në subjekte aktive të prodhimit kulturor.
Një dimension kyç i kësaj shoqate është edhe veprimtaria botuese që e shndërron “Art Club”-in në një institucion të kujtesës së shkruar, si botuesi më i madh dhe më serioz te shqiptarët në Malin e Zi dhe jo vetëm. Dhe pikërisht ashtu siç pohon Jan Asman, se shoqëritë mbijetojnë jo vetëm përmes kujtesës komunikative, por përmes teksteve të fiksuara që e tejkalojnë kohën e brezit, apo të shumë brezave, pikërisht këtë funksion e ka përmbushur edhe “Art Club”-i që nga botimi i librit të parë në fillim të viteve ’90, të shekullit të kaluar, me librin e Prof. dr. Ruzhdi Ushakut “Ulqini në gjurmët e shekujve” – një akt themelor i fiksimit shkencor të identitetit historik, jo vetëm lokal. Sepse me rreth 200 tituj të botuar deri më tani, shoqata ka ndërtuar një korpus tekstesh që përbën një arkiv kuptimplotë kulturor dhe shkencor të shqiptarëve në Malin e Zi. Ky arkiv nuk është thjesht një grumbull librash, por një strukturë e menduar e dijes, ku bashkëjetojnë letërsia, historia, eseistika, arti pamor, apo edhe medial, studimi shkencor, reflektimi kritik etj.
Me rreth 200 tituj të botuar deri më tani, shoqata ka ndërtuar një korpus tekstesh që përbën një arkiv kuptimplotë kulturor dhe shkencor të shqiptarëve në Malin e Zi. Ky arkiv nuk është thjesht një grumbull librash, por një strukturë e menduar e dijes, ku bashkëjetojnë letërsia, historia, eseistika, arti pamor, apo edhe medial, studimi shkencor, reflektimi kritik etj.
Ka shumë autorë të botuar, por, duke kërkuar ndjesë për të tjerët, do të përmendi vetëm disa – si Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Hajro Ulqinaku, Haxhi Shabani, Ibrahim Berjashi, Anton Gojçaj, Asllan Bisha, Hajredin Kovaçi, Ali Gjeçbritaj, Ruzhdi Ushaku, Riza Rexha, Ismail Doda, Nail Draga, Hajrullah Koliqi, Gjekë Gjonaj e shumë të tjerë – që për mjedisin ku u krijuan, përfaqësojnë atë që Pjer Burdje (Pierre Bourdieu) do ta quante një kapital-simbol, pra, vlera kulturore që nuk maten me treg, por me ndikim, autoritet dhe legjitimitet në fushën kulturore, shkencore, letrare, artistike, disa nga të cilët kanë prekur dhe qëndrojnë fuqishëm në kulmin e letrave shqipe, ose edhe të shkencës. Përmes botimit të tyre, “Art Club”-i ka vepruar si instancë e legjitimimit kulturor, duke ndërtuar një kanon të qëndrueshëm dhe të dallueshëm. Gjithashtu duhet vënë në dukje edhe botimet monografike si thelbësore, sepse ato përfaqësojnë një trajtim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të temave, ofrojnë një kontribut origjinal shkencor, dhe shërbejnë si burime referimi, si një burim i rëndësishëm i të dhënave për hulumtimet e ardhshme historike dhe kulturore, më se të nevojshme për shqiptarët në Malin e Zi. Do të përmendi këtu monografinë gjithëpërfshirëse “Në një cep të Ilirisë”, dy monografi për dy piktorë të shquar nga kjo hapësirë (Gjergj Ndoc Martini dhe Rudi Goga), botimet monografike për baladat, për folklorin, etnografinë, pastaj monografi për arsimin shqip, monografi për Krajën, Anën e Malit e ndonjë tjetër.
Në kuadër të kësaj, një dimension tjetër me rëndësi të veçantë akademike është edhe politika e përkthimit apo e ndërmjetësimit gjuhësor, veprimtari që “Art Club”-i ka filluar ta bëjë në kohët e fundit, dhe, mund të themi lirisht se përkthimi i veprave në gjuhët e hapësirës sllavofolëse dhe botimi i tyre nuk është vetëm një transferim gjuhësor, por akt ndërmjetësimi kulturor, pikërisht në kuptimin që Lorens Venuti i jep përkthimit si proces të dukshmërisë kulturore. Në këtë mënyrë, “Art Club”-i ka kontribuar në dekontekstualizimin e stereotipeve dhe në afirmimin e kulturës së shqiptarëve në Malin e Zi si pjesë integrale e mozaikut kulturor rajonal, si subjekt dialogu dhe bashkëbisedimi intelektual.
Prandaj, vlerësimi i përsëritur disa herë, se “Art Club”-i i ngjan një akademie kulturore, edhe pse simbolik, është funksionalisht i saktë. Shoqata ka ushtruar role që zakonisht u përkasin akademive – prodhimin e dijes, seleksionimin kritik të veprave, arkivimin e kujtesës dhe transmetimin e traditës intelektuale. Veprimtaria e saj ka qenë, është dhe mbetet një fushë kulturore autonome, e mbështetur në etikën e përgjegjësisë ndaj kulturës kombëtare dhe jo në atë oportunizmin institucional, siç ndodh shpesh të jetë në shoqërinë tonë.
Në kontekstin e digjitalizimit global, insistimi i “Art Club”-it për librin e botuar merr një domethënie epistemologjike të veçantë. Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi por pa sedimentim, thënë simbolikisht – “pa zbritur në tokë”, libri mbetet forma më e qëndrueshme e mendimit të thelluar dhe të strukturuar. Ta bësh librin të prekshëm sot do të thotë të mbrosh kushtet e vetë dijes.
Andaj, në 35-vjetorin e saj, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” përfaqëson jo vetëm një histori veprimtarish të suksesshme, por një model të qëndrueshmërisë kulturore në kushte, do thosha periferike, duke dëshmuar se kultura ndërtohet si proces afatgjatë, mbi bazën e vizionit, etikës dhe përgjegjësisë intelektuale.
Duke përfunduar them se sot, “Art Club”-i vërtet është një trashëgimi, por edhe një detyrë e hapur për brezat, gjeneratat që vijnë pas nesh, ta ruajnë standardin e veprimit të saj, ta thellojnë dialogun dhe ta vazhdojnë prodhimin e dijes kulturore. Sepse, aty ku ekziston libri, ekziston kujtesa, dhe aty ku kujtesa është e artikuluar, identiteti nuk shuhet, por reziston fuqishëm.
(Vështrimi është lexuar me rastin e shënimit të 35-vjetorit të SHAI “Art Club” dhe hapjes së ekspozitës “Botimet e ‘Art Club’-it 1991-2025”, në Librarinë “Ulqini”, më 26 dhjetor 2025)
