Inagurohet shtatorja e Nënë Terezës në Panama

Këtu në Shtetet e Bashkuara, këtë vit po shënohet 25-vjetori i kalimit në amshim të Nënë Terezës (5 shtator, 1997) në moshën 87-vjeçare. Duket se janë në plan një mori aktivitetesh, anembanë botës, për të shënuar këtë përvjetor, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, duke filluar nga Detroiti, Bostoni dhe Nju Jorku

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe në Detroit, si dhe Universiteti Xhorxhtaun në Uashington dhe Universiteti Harvard në Boston, ditët e fundit kanë organizuar aktivitete në nderim të Shën (Nënë) Terezës e deri në Panamanë e largët, ku u inaugurua shtatorja e Shenjtëreshës shqiptare, Shën Nenë Tereza, me një ceremoni ku mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Për këtë aktivitet mësova nga faqja zyrtare e Presidentes Vjosa Osmani, e cila njofton nga Panamaja, një shtet transkontinental që lidhë Amerikës Qendrore me Amerikën Jugore, për inaugurimin e shtatores së murgeshës shqiptare.
“Sot në Panama, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Erika Mouynes dhe Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa, zbuluam shtatoren e shëenjtores shqiptare Nënë Terezës, e punuar nga skulptori kosovar Bashkim Beqiri”, njofton lajmin zonja Osmani nga Panamaja. “Me humanizmin e saj”, komenton me këtë rast udhëheqë sja e Kosovës në portalin e saj, “Nënë Tereza i shpalosi mbarë njerëzimit vlerat morale të saj, por edhe traditën e mirë të kombit tonë shqiptar, nga e cila ishte frymëzuar për t’u shërbyer nevojtarëve. Ndihemi tepër të lumtur që sot Panamaja po e monumentalizon kujtesën për të. Si bashkëkombës të saj, jemi shumë krenarë me shëmbëlltyrën e Shën Terezës. Ajo i dha botës shembullin nga i cili do të mësojnë breza të tërë”, mbyll komentin e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Panama.
Presidentja Osmani gjendet në Panama për një vizitë zyrtare në atë vend, për të shkuar pastaj edhe në Kosta Rika, gjithashtu për vizitë zyrtare. Kosta Rika ishte ndër vendet më të para që njohu pavarësinë e Kosovës. Në Panama, yzonja Osmani u takua me Presidentin Laurentino Kortizo Kohen, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të atij vendi. (Fotot nga portali i Presidencës së Republikës së Kosovës).
Ndërkaq, këtu në Shtetet e Bashkuara, këtë vit po shënohet 25-vjetori i kalimit në amshim të Nënë Terezës (5 shtator, 1997) në moshën 87-vjeçare. Duket se janë në plan një mori aktivitetesh, anembanë botës, për të shënuar këtë përvjetor, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, duke filluar nga Detroiti, Bostoni dhe Nju Jorku. Disa prej veprimtarive në kujtim të Nënë Terezës kanë filluar këto ditë këtu në Amerikë. Unë jam munduar t’i pasqyroj sadopak këto aktivitete për lexuesit e interesuar. Aktiviteti më i fundit u organizua më 3 maj, 2022. “Shën Tereza” bashkoi shqiptarët, pa dallim feje a krahine, në Kishën Zoja e Shkodrës – tubim ky i organizuar nga Qendra Nëna Tereze e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, në bashkëpunim me Federatën Pan-Shqiptare Vatra dhe me Gazetën shqiptaro-amerikane, Illyria, me rastin e 25-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Shën Nënë Terezës, që shënohet sivjet. Këtu morën pjesë organizata të ndryshme të komunitetit, diçka për të cilën Nënë Tereza do ishte krenare, por që na bën krenar edhe të gjithë neve që morëm pjesë në atë aktivitet, shqiptarë-mërgimtarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe përfaqësues të feve kryesore të shqiptarëve – të gjithë pa dallim, të bashkuar rreth Shën Nënë Terezës shqiptare.

Të fundit

më të lexuarat