Pjesëmarrësit në debat, studiues të fushave të ndryshme nga Tirana dhe Ulqini, shprehën shqetësimin lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, duke arritur në përfundimin se identiteti kombëtar i tyre ndodhet në rrezik nëse vazhdojnë fenomenet negative si emigrimi, asimilimi etj
Instituti i Komunikimit “Medius” nga Tirana në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe gazetën “Koha javore” organizuan të dielën në hotelin “Albatros” në Ulqin debatin publik me temë “Identiteti shqiptar në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”.
Pjesëmarrësit në debat, studiues të fushave të ndryshme nga Tirana dhe Ulqini, shprehën shqetësimin lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, duke arritur në përfundimin se identiteti kombëtar i tyre ndodhet në rrezik nëse vazhdojnë fenomenet negative si emigrimi, asimilimi etj.
Për studiuesin dr. Nail Draga, njërin prej panelistëve të debatit, defekti i i Malit të Zi ekziston tek integrimi i tij i brendshëm.
Ai ka thënë se nga vendet e Evropës Juglindore, Mali i Zi është i vetmi mjedis me popullsi heterogjene ku asnjë pjesëtar i një populli nuk përbën shumicën absolute.
“Nga miratimi i pluralizmit, nga zgjedhjet e para pluraliste të cilat janë mbajtur më 9 dhjetor 1990 e deri më tash, në Mal të Zi kemi një polarizim të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërshoqërore, në kuadër të popujve që jetojnë në Mal të Zi”, ka theksuar ai.
Draga ka konstatuar se shqiptarët janë i vetmi popull etnikisht josllav në Mal të Zi, që dallojnë prej të tjerëve.
“Shqiptarët kanë probleme kyçe të identitetit të tyre, të cilat nuk janë të pranuara në aspektin e komunikimit për arsye se në Mal të Zi ende ekziston mentaliteti unitar dhe mentaliteti i kohës së monizmit, me ndryshime kozmetike që ka ofruar pluralizmi”, është shprehur ai. i.k.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “806” të revistës Koha Javore
