Ulqin – “Rreziku i identiteteve fluide” ka qenë tema e takimit të hapur me studiuesin dhe analistin Redi Shehu, drejtor i Institutit të Komunikimit “Medius” – Tiranë, që është mbajtur të shtunën në Librarinë “Ulqini”.
Ai ka thënë se derisa për identitetet është diskutuar pafundësisht, për identitetin fluid ose të lëngshëm, si një fenomen modern, është diskutuar pak ose aspak.
Në ligjëratën e tij, Shehu ka folur për konceptin e identitetit në përgjithësi, përpjekjet për ta përkufizuar atë, duke u përqendruar tek identiteti i lëngshëm si një fenomen i rrezikshëm për sa i përket strukturave të ndryshme identitare, qoftë personale, komunitare apo kombëtare.
Ai ka thënë se në diskutimet e përgjithshme mbi identitetin ka pasur pikëpamje të natyrave të ndryshme. Njëra prej tyre e trajton identitetin si një strukturë monolite, një strukturë të qëndrueshme, të vetme dhe të pazbërthyeshme.
“Në fakt, identiteti i njeriut është i përbërë nga shtresa të ndryshme identitare, të cilat shtresëzohen brenda qenies së tij. Identiteti është i përbërë nga mbiemri i personit, nga familja, nga komuniteti ku rrin ai në një lagje, nga një qytet, nga një minoritet, nga një shtet, nga një kontinent. Pra, njeriu përveç të qenurit identitet personal, ka disa identitete të shtresëzuara brenda tij, të cilët përbëjnë atë proporcionalen unike të tij. Pra, jemi unikë në identitetin si shqiptarë, si shqipfolës, por brenda nesh kemi identitete që fillojnë nga emri, mbiemri, komuniteti e kështu me radhë”, ka thënë Shehu.
Sipas tij, “duke qenë se identiteti nuk është monolit, por është i përbërë nga shtresa të ndryshme, e bën përballjen e tij me realitetin, me modernitetin, me të ashtuquajturin postmodernizmin e sotëm, shumë vulnerabël, shumë të ekspozueshëm ndaj agjentëve të ndryshëm të cilët pikërisht sulmojnë këto shtresa të ndryshme identitare që ka secili prej nesh”.
Sipas studiuesit, nëse në periudhën tradicionale, ku zotëronte thelbi dhe koncepti për familjen, për fenë, për shoqërinë, për pronën, kur lokaliteti ishte i njëjti, kur njerëzit ishin të njëjtë, vlerat morale ishin të njëjta, konceptet për të qenë në një bashkësi ishin të njëjta, përgjigjja në pyetjen “Kush jam unë?” ishte shumë e thjeshtë, në periudhën e modernizmit përgjigjja në këtë pyetje është bërë akoma më e vështirë dhe më komplekse
Duke krahasuar shoqërinë e dikurshme tradicionale me shoqërinë e sotme moderne, Shehu ka thënë se nëse në periudhën tradicionale, ku zotëronte thelbi dhe koncepti për familjen, për fenë, për shoqërinë, për pronën, kur lokaliteti ishte i njëjti, kur njerëzit ishin të njëjtë, vlerat morale ishin të njëjta, konceptet për të qenë në një bashkësi ishin të njëjta, përgjigjja në pyetjen “Kush jam unë?” ishte shumë e thjeshtë, në periudhën e modernizmit përgjigjja në këtë pyetje është bërë akoma më e vështirë dhe më komplekse.
“Pse? Për shkak se në situatën ku ndodhemi globalja dhe lokalja tashmë janë interaktive me njëra-tjetrën. Ne kemi globalen që na penetron në skajet më të larta të lokales, pra futet në vrimat e secilit prej neve, në shtëpitë e secilit prej nesh. Një ngjarje në një cep të botës, për shkak të medias kuptohet, dhe një ngjarje lokale e cila papritmas globalizohet në gjithë globin, po për shkak të medias. Domethënë, koncepti ynë i të qenit në një lokalitet, në një komunitet, siç ishte në tradicionalizëm, tashmë është shpërbërë. Tashmë ne jemi në të njëjtin vend, por edhe kudo…, gjë që e bën individin e sotëm modern të përballet me problematika të ekzistencës dhe përgjigjja e pyetjes ‘Kush jam unë?’ në këtë epokë bëhet akoma më e vështirë, edhe për faktin se mënyra se si individi e ka konceptuar kohën dhe hapësirën”, ka thënë ai.
Studiuesi nga Tirana ka folur për përpjekjet e përkufizimit të identitetit duke iu referuar teoricienëve të ndryshëm botërorë, për të konkluduar se thelbi i identitetit të njeriut të sotëm ka filluar të pësojë tronditje.
Ai ka thënë se identiteti është një strukturë e përbërë e njeriut, i cili përbëhet nga shtresat sociale dhe shtresat individuale të identitetit.
“Tek ne herë del përpara identiteti personal që kemi (emri, mbiemri, rrethi, familja), dhe herë identiteti politik. Shpeshherë jemi dëshmitarë ku identietitet politike dalin mbi identitetet personale”, ka thënë Shehu, duke shtuar se “kjo gjendje e dyfishtë e identitetit të personit fillon dhe e destabilizon individin nga brenda”.
Shehu ka theksuar se thelbi i identitetit është i përbërë nga memorja dhe narrativa, pra nga kujtesa dhe aftësia për ta treguar historinë apo këtë kujtesë, të cilat sot janë më të sulmuarat, në nivel individual, por edhe në nivel komunitar.
“Nëse këto dy elemente i heqim, atëherë identiteti i njeriut nuk ka kuptim. Pra, ç’identitet mund të ketë një person kur nuk e ka këtë memorje, apo një komunitet, apo një kombësi nëse nuk ka memorje dhe çfarë identiteti do të ketë nëse ia heqim narrativën, pra aftësinë për të treguar?”, ka thënë ai.
Shehu ka theksuar se sot jetojmë në kohën kur mbizotëron imazhi, i cili paraqet thelbin e shoqërisë, dhe ky imazh fillon automatikisht dhe dyzohet.
“Problemi është se imazhi, duke qenë se është në qendër të shoqërisë, fillon dhe na ndërmjetëson marrëdhënien që ne kemi me njëri-tjetrin. Pra, ne nuk ndërtojmë marrëdhënie me njëri-tjetrin nisur me linjë direkte… Ne kur lidhemi me njëri-tjetrin sot, ndërmjetës mes nesh është imazhi që kemi në kokë për idealet. Imazhi na është dhënë, na është injektuar përmes formave të ndryshme të rrjetit apo të televizioneve, apo të mediave në përgjithësi. Dhe ne kur fillojmë të diskutojmë me njëri-tjetrin apo ndërtojmë marrëdhënie sociale me njëri-tjetrin, nuk e bëjmë bazuar në lidhje direkte, por bazuar në atë se si jemi ne dy me imazhin”, ka theksuar ai.
Studiuesi nga Tirana ka nënvizuar se njeriu i sotëm është i ekspozuar ndaj rrezikut ndaj identitetit të tij si pasojë e shumë faktorëve në nivel global, të cilët përpiqen ta tjetërsojnë njeriun dhe identitetin e tij. Në këtë kuadër, më e rrezikuar është pjesa e identititit fluid apo të lëngshëm të njeriut, i cili është i ndryshueshëm dhe jorezistent ndaj agjentëve të jashtëm.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”, si pjesë e takimeve të hapura me personalitete të botës shqiptare, në të cilat diskutohet për tema dhe çështje aktuale të shoqërisë së sotme.
i. k.
