
Studiuesi dhe publicist i njohur z. Dr. Nail Draga, ditë më parë i dhuroi lexuesit librin e tij të radhës “Koha e mediokërve”. Ky libër me përmbajtjen dhe temën që trajton transmeton te lexuesi ndjenjën e brengës, jo vetëm të tij, për popullin e vuajtur shqiptar, padrejtësitë që vite e vite me radhë po i përjetojnë dhe si rrjedhojë demokracia e brishtë për shqiptarët në Mal të Zi ka lënë pasoja zhvillimore në të gjitha fushat e jetës, për të cilat autori me kujdes dhe profesionalizëm të veçantë i evidenton dhe jep propozime për tejkalimin dhe përmirësimin e gjendjes dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në shoqëri në përgjithësi e në veçanti në shoqërinë malazeze.
- Egoja e sëmurë e individit interesxhi është shkurtëpamësi
Jetojmë në një kohë kur kemi çdo gjë dhe s’kemi asgjë! Do të kemi çdo gjë nëse jemi luajalë ndaj pushtetit, pushtetarëve apo ndonjërit nga ata vetëm për interesa personale, duke lënë mënjanë interesat e përbashkëta, dhe s’do të kemi asgjë nëse veprojmë ndryshe nga ata që imponojnë ose përfitojnë. Nënvlerësimi dhe mungesa e vëmendjes ndaj problemeve të theksuara të jetës shoqëroro-ekonomike dhe politike, vetëm sa e forcojnë pushtetin, për të vazhduar me shpërfilljen e të drejtave që na takojnë, e asgjë më shumë! Është e dhimbshme për shqiptarët, kur përkundër pakënaqësive dhe mangësive të theksuara për statusin e tyre, individë të caktuar apo grup individësh mundohen të jenë luajalë ndaj pushtetit vetëm për përfitime personale. Ndonjëri edhe mund të ketë nevojë apo arsye për lojalitet, ndërsa tjetri e bën për të përfituar. Në të dy rastet nuk kemi të bëjmë me kultivimin e vlerave dhe nevojave të shoqërisë shqiptare. por për egon e sëmurë të individit interesxhi. Autori më të drejtë, i brengosur për veprime të tilla i quan ata shkurtëpamës, ndaj edhe librin e fillon më një thëne të poetit të mirënjohur Azem Shkrelit: ”Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e mediokërve bëhet shpejt, vërshuese dhe pastaj sunduese”. Barrën e përgjegjësisë për veprimet e pamatura autori e shkarkon tek intelektualët të cilët duhet të luftojnë për fjalën e lirë, për mendimin ndryshe dhe rrjedhimisht për demokracinë pluraliste.
Autori librin e ndan në tetë pjesë të lidhura aq ngushtë me njëra-tjetrën, saqë lexuesi në fund mund të krijojë bindjen se kemi të bëjmë me një tërësi të pandarë. Në të vërtetë, duke filluar nga pjesa e parë – diskursi politik e deri në pjesën e shtatë – diskursi kulturor, lexuesi do të vërejë se autori është i preokupuar kryesisht me veprimet dhe mosveprimet e individëve, pasivizimin qoftë i imponuar apo jo, identitetin dhe rrezikun nga asimilimi, depolitizimin e pushtetit si mision i
demokracisë pluraliste, rënien e natalitetit dhe pasojat nga murtaja e bardhë apo kontributin për ndriçimin e disa personaliteteve më rëndësi. Në fokusin e tij janë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi, ndonëse ka përmendur edhe Kosovën dhe Shqipërinë dhe politikat që po ndiqen atje. - Mungesa e guximit të intelektualëve për trajtimin e çështjeve të ndryshme shoqërore
Ndonëse kemi më shumë se asnjëherë individë me diploma të fakulteteve të ndryshme, numri i intelektualëve në kuptimin e plotë të fjalës, sipas autorit, është shumë i vogël, nga del se mungon guximi për të trajtuar çështjet e ndryshme shoqërore. Ky pasivitet nuk ndërron individët, por as mjedisin ku jetojnë e punojnë, përveç se interesat e tyre personale apo klaneve të ndryshme, konkludon autori, duke u shprehur se pluralizmi ende vuan nga mentaliteti i monizmit, e duke konstatuar se koncepti i shoqërisë partiake është i pranishëm gjithnjë, ndonëse në një modalitet tjetër legjislativ.
Shoqëria ndërtohet mbi vlerat reale të politikave dhe atyre që e bëjnë politikën. Në të bërit politikë, gjithmonë kemi dalluar dhe po dallojmë edhe sot, politikanë që “aminojnë” çdo vendim të pushtetit, sidoqoftë ai, vetëm nëse ai përfiton, por fatmirësisht, ndonëse shumë pak, kemi edhe të tillë që veprojnë ndryshe, sidomos kur janë në opozitë. Kjo, sipas autorit dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime me interesa të rastit dhe si të tillë janë të politizuar. Autori duke qenë pjesë e politikës sadopak, i ka përjetuar qasjet e tilla të individëve në politikë dhe besojmë të ketë nxjerrë konkludimet e duhura. Autori vëren se për dukuritë e ndryshme shoqërore dhe politike te ky lloj individësh mungon mendimi kritik dhe si rrjedhojë angazhimi, përkushtimi, përgjegjësia për të kontribuar për të mirën e shoqërisë mbetet për të dëshiruar. - Votimi i imponuar apo për interesa personale – rrezikon identitetin kombëtar
Kujdes të veçantë autori i kushton votimit të lirë e pa presion, pra sipas bindjes e jo sipas imponimit. Ai e kritikon votim e shqiptarëve për partitë e ashtuquajtura qytetare. Nuk ka dilemë, shton autori, se një veprim i tillë nuk është i rastit e as demagogji, por strategji e pushtetit për dobësimin e ndikimit politik të subjekteve politike nacionale të shqiptarëve me pasoja për identitetin politik të tyre. Të gjithë ne, pra edhe lexuesi, e dimë se shqiptarët në këto parti qytetare, duke qenë në pushtet, janë ndier rehatshëm, të painteresuar për ndonjë kërkesë që do të ishte në favor të avancimit të drejtave të shqiptarëve, kanë heshtur sepse aty ishin për interesat e tyre personale! Në lidhje me problematikën zgjedhore të partive politike shqiptare, autori vë në pah mosarrijtjen e kompromisit për të dalë në votime me një listë zgjedhore, për arsye të dominimit të interesave personale, egoizmit dhe liderizmit të rrejshëm politik. Sidoqoftë, autori pretendon se partitë politike shqiptare po humbasin fushën politike të zgjedhësit e tyre shqiptarë. Si rrjedhojë ko mund të rrezikojë identitetin politik me pasoja të asimilimit politik në mjediset shqiptare në Mal të Zi. Në këtë drejtim autori vlerëson formimin e listës së përbashkët zgjedhore në Malësi, ndihmën e diasporës për fitoren historike në zgjedhjet e para për pushtetin lokalë të komunës së pavarur të Malësisë me qendër në Tuz (2018). Ligjin zgjedhor për këshilltarë e deputetë në Mal të Zi, autori me të drejtë e quan diskriminues për shqiptarët. - Retorika klerofashiste serbe
Në këtë libër autori na rikujton ballafaqimin e shqiptarëve me aspiratat uzurpuese e asimiluese të Kishës Ortodokse Serbe dhe liturgjitë e mbajtura në Krajë, Shas, vendosjen e kishës së sherrit në Rumi, uzurpimin e goricave në liqenin e Shkodrës, tentimin e ndërtimit të kishës në fshatin Martinaj të Gucisë dhe retorikën klerofashiste të politikës serbomadhe.
Duke folur për pjesëmarrjen e partive politike shqiptare në Qeveri, autori mendon se parësore duhet të jenë jo interesat personale, por pozita dhe statusi i shqiptarëve në Mal të Zi. Ai po ashtu konstaton se pozita e shqiptarëve duhet të rregullohet me kushtetutë e jo me Ministrinë e pakicave duke shtuar se pakicat, pra edhe shqiptarët duhet të konsiderohen nga qeveria si partnerë e jo si dekor i saj. - Pjesëmarrja në Qeveri dhe platforma politike e partive shqiptare
Qasjen e ndryshme të partive politike shqiptare për pjesëmarrjen apo mënyrën e pjesëmarrjes në Qeveri, autori e arsyeton me mungesën e një platforme politike e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë spektrin politik të shqiptarëve në Mal të Zi. Autori në këtë libër paraqet idenë e depolitizimit të pushtetit si mision i demokracisë pluraliste, duke venë në vend të parë profesionalizmin. Thënë të drejtën, ide interesante, por në rrethanat e tanishme politike dhe praktikën administrative-politike , jo vetëm në rajon, vështirë se mund të arrihet.
Çështja e zvogëlimit të numrit të popullsisë dhe boshatisja e trojeve shqiptare po ashtu zë vend të veçantë në këtë libër. Autori vëren se shqiptarët edhe në këtë aspekt janë të rrezikuar si pasojë e mungesës së masave parandaluese. - Personazhi kryesor i librit – shqiptarët
Në pjesën e tetë dhe të fundit të librit – Vështrime, autori na sjell personalitetin me dinjitet profesional dhe kombëtar të dr. Simë Dobrecit dhe librit të Pashko Vasës – Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare.
Autori është i njohur për fjalorin e pasur e të rrjedhshëm dhe kjo e karakterizon edhe në këtë libër. Ai përdor një stil të lehtë shkrimi, të kuptueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve dhe si i tillë mundëson t’i kuptojmë më mirë qasjet e autorit rreth tematikave të trajtuara në libër. Personazhi kryesor i këtij libri është populli shqiptar në përgjithësi, e në veçanti në Mal të Zi. Për këtë arsye e shumë të tjera ia vlen të lexohet ky libër. Ndonëse tematikat e trajtuara janë publikuar edhe më parë nga autori, kjo përmbledhje na mundëson që në cilëndo mënyrë, edhe qytetari i thjeshtë, politikani, studiuesi, lexuesi e kushdo tjetër të ndikojmë e të japim kontributin tonë në përmirësimin e kushteve dhe pozitës së personazhit kryesor – shqiptarëve.
