Ulqin – Përurimi i librit “Ars longa, vita brevis – në kujtim të shkrimtarit të humorit Paulin Selimi”, i përgatitur nga Donika Selimi dhe Jani Malo, është bërë të mërkurën mbrëma (22 nëntor 2023) në Librarinë “Ulqini”. Bashkëshortja e shkrimtarit të njohur shkodran, Donika Selimi, ka treguar se pasi Paulin Selimi është ndarë herët nga jeta, detyra e saj ka qenë që të linte një kujtim që njerëzit do të kenë mundësi ta shikonin në mënyrë të vazhdueshme. “Unë kam bërë dokumentarin për Paulinin dhe botimin e librit pas dhjetë vjetësh”, ka thënë ajo, duke treguar se kishte në plan të bënte një studim për veprën e tij, sepse Paulin Selimi i ka lëvruar të gjitha gjinitë humoristike, por askush nuk e ka marrë përsipër të bëjë një studim kritik për veprën e tij, “sepse është një punë e jashtëzakonshme studimore, që kërkon edhe kohë, por kërkon edhe aftësi. Jo gjithkush mund ta bëjë, të hyjë thellë në mendimin e tij, sepse ai ka pasur një humor shumë të hollë”. Nisur nga kjo, ajo ka thënë se bashkë me Jani Malon janë marrë vesh që të bëjnë një libër me kujtime për Paulin Selimin, “që kush e ka në dorë mund të kthehet dhe rikthehet sa herë të dojë, për të ditur për jetën e tij dhe për të marrë kënaqësi”. Donika Selimi ka folur edhe për lidhjet e posaçme që Paulin Selimi kishte me Ulqinin, ku kishte shumë miq, qysh nga viti 1992 kur u hap kufiri, duke kaluar në këtë qytet bregdetar për çdo vit pushimet verore. “Ai u ndje kaq mirë sa për 15 vjet apo më shumë, i kaloi pushimet vetëm në Ulqin, sepse Ulqini e donte shumë Paulinin”, ka theksuar ajo. Shkrimtari dhe publicisti Jani Malo, drejtues i Shtëpisë Botuese “Neraida” e cila e ka botuar librin kushtuar Paulin Selimit, ka thënë se ka pasur fatin të jetë disa vite mik i afërt me Paulinin për shkak të rrethanave të krijuara dhe ardhjes së tij në Shkodër, prandaj “bërja e këtij libri në njëfarë mënyre ishte një detyrim për shtëpinë botuese dhe mua që e drejtoj atë”. Megjithatë, sipas tij, “ishte Donika ajo që e nxiti botimin e librit dhe ma solli këtë në formën e një propozimi për ta bërë këtë libër”. “Natyrisht diskutuam gjatë për formën, për mënyrën si do ta bënim, çfarë do bënim, renditëm miq, shokë të përbashkët, kolegë, me të cilët Paulini kishte punuar, por edhe e njihnin si njeri, e cila për mendimin tim është edhe më e rëndësishmja. E vërteta është që të gjithë ata të cilëve ne u drejtuam, u përgjigjën me dashamirësi, madje shkruan për Paulinin me një ngrohtësi”, është shprehur ai, duke nënvizuar se të gjithë miqtë dhe shkrimtarët e përfshirë në libër kanë dhënë vlerësime për Paulinin dhe krijimtarinë e tij. Malo ka thënë se e vërteta është se humori i Paulin Selimit ishte krejt i veçantë. “Paulini nuk të bënte thjesht për të qeshur, sepse në fund të fundit misioni i humorit është ta bëjë njeriun të mendojë… Por humori i Paulinit ishte humor i mendimit”, ka theksuar ai. Sipas tij, në kohën kur Paulini ka shkruar ka qenë tepër vështirë për të shkruar dhe për të thënë të vërtetën, qoftë përmes humorit apo formave të tjera krijuese, por nëpërmjet humorit ishte edhe më e vështirë sepse në humor duhej të ishe edhe i maskuar, por edhe i deklaruar. Malo ka thënë se edhe në kohën kur Paulin Selimi u ndëshkua, ai nuk u tërhoq nga jeta shoqërore duke u mbyllur brenda guaskës së vet, familjes së tij dhe të mos shkruante. “Ai bëri të kundërtën. Pikërisht në atë kohë gjeti forcë për të shkruar gjërat më të bukura të tij… Pra, ai gjeti forcë për të dalë mbi këto vështirësi”, ka thënë ai. Dr. Nail Draga e ka cilësuar Paulin Selimin “shkrimtar emblematik të humorit shkodran”. Sipas tij, Selimi i ka mbetur besnik gjinisë së humorit gjatë katër dekadave që dëshmohet nga shtatë librat e tij të botuar. Ai ka thënë se formimi i Selimit prej eruditi dhe kultura e gjerë letrare kanë qenë parakushte të një procesi krijues kulturor model, larg vulgaritetit dhe shijeve të ulëta, që janë të pranishme fatkeqësisht në kohën tonë. “Mjeshtëria e Selimit në krijimin e portreteve ka bërë që të mbetet në kujtesën e gjithkujt një galeri e tërë personazhesh. Ishte mjeshtëri artistike dhe guxim intelektual për të trajtuar tema të tilla shoqërore në kohën e monizmit, kur ishte e kufizuar liria e fjalës dhe e shprehjes”, ka theksuar Draga. Studiuesja nga Shkodra, Zenepe Dibra, ka thënë se Paulin Selimi ishte pjesë e gjenetikës së humorit shkodran dhe një nga shkrimtarët më brilant, jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri. Dibra ka thënë se veprat e Selimit kanë qenë të një niveli shumë të lartë, ndër të cilat ajo ka veçuar komedinë “Kunati i shokut Xhemal”, që sipas saj është kryevepra e tij. Ajo ka thënë se përmes humorit të tij Selimi “ka prekur problemin themelor të shoqërisë, natyrisht brenda kornizave ideologjike, sepse ka qenë një censurë e jashtëzakonshme”. Sipas Dibrës, te “Kunati i shokut Xhemal” ajo ka vërejtur dy karakteristika: nepotizmin dhe servilizmin, që kanë ekzistuar në atë kohë, por janë edhe sot dhe do të jenë edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, ajo ka thënë se vepra e Selimit “ka vlerë në të gjitha kohët”. Për personalitetin e Paulin Selimit dhe librin kushtuar atij kanë folur dhe evokuar kujtime edhe Dr. Haxhi Shabani, Gazmend Çitaku dhe Fadil Kovaçi, ndërsa Shefqet Luca ka lexuar një fragment nga libri. Në program ka marrë pjesë edhe Rona Kurti, nxënëse e Shkollës së Muzikës në Ulqin, e cila ka luajtur në violinë dy pjesë muzikore. Përurimi është udhëhequr nga Luljeta Avdiu – Cura, ndërsa të pranishmit i ka përshëndetur udhëheqësja e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmanoviq. Paulin Selimi ka lindur në Shkodër, në vitin 1947. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në vitin 1969. Për vite me radhë ka punuar mësues i letërsisë, ndërsa në vitin 2002 është emëruar drejtor i shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër. Në periudhën 1991-2002 ka qenë kryetar i Lidhjes së Artistëve të Shkodrës. Ka qenë bashkëpunëtor i radiove, televizioneve, shtypit dhe i estradave. Me qindra pjesë të ndryshme humoristike mbajnë autorësinë e tij. Për krijimtarinë e tij ka fituar shumë çmime kombëtare dhe vepra e tij është përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Në vitin 2002 është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për krijimtarinë letrare. Ka vdekur në vitin 2013. Përurimi i librit “Ars longa, vita brevis – në kujtim të shkrimtarit të humorit Paulin Selimi” është organizuar nga Shoqata “Labeatët”.
i. k.
