Humanistët arbërorë si themel i mendimit kombëtar shqiptar

“Nuk dëshiroj të them se ky libër është një shkëputje nga identiteti mesjetar, por një vazhdimësi që reflekton me periudha historike kohore, ashtu siç kemi gjatë Rilindjes identitetin tipik - diskursin fetaro-kombëtar, e kemi më pas edhe gjatë Rilindjes kombëtare ose iluminizmit identitetin sekular shqiptar”, u shpreh autori Albert Bikaj

“Zanafilla e mendimit kombëtar: diskursi i humanistëve arbën përgjatë renesansës” titullohet libri i autorit nga Malësia, Albert Bikaj, i promovuar të dielën mbrëma (1 mars 2026) në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, në prani të dashamirësve të fjalës së shkruar.
Mbi këtë vepër letrare kumtuan historiani Mark Junçaj, gazetari Ismet Kallaba dhe përkthyesi e shkrimtari Nikollë Berishaj, të cilët e vlerësuan veprën e autorit si një kontribut i çmuar në historiografinë shqiptare.
Historiani Mark Junçaj prezantoi përmbajtjen e kapitujve dhe objektin e studimit të autorit, duke përfshirë kapitullin mbi humanistët arbër në Venedik, ku analizohet veprimtaria e tyre brenda Republikës dhe biografia, si e Dhimitër Frangut (meshtar nga Drishti), i cili e njihte personalisht Skënderbeun, dhe më pas e humanistëve shkodranë Marin Biçikemi dhe Marin Barleti (prift katolik).
“Barleti për historinë kombëtare ka shumë rëndësi për arsye se ai la dy vepra të shkëlqyeshme të shek XV: ‘Rethimin e Shkodrës’ dhe veprën për Gjergj Kastriotin -Skënderbeun”, u shpreh ai.
Duke analizuar kapitullin e parafundit, “Kombi në veprat e humanistëve arbën”, Junçaj tha se autori analizon imazhin e kombit sipas këtyre humanistëve, duke përfshirë përshkrimin e qyteteve të Shkodrës dhe Durrësit.
“Shkodra cilësohet nga humanistët arbënorë si qytet shumë i rëndësishëm që bëri edhe rezistencën heroike. Përveç Shkodrës, qytet tjetër i rëndësishëm është Kruja si qendër e Lidhjes së Lezhës dhe selia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Barleti këtu shkruan se u thyen dy sulltanë dhe se nuk kishin mundësi ta thyejnë Skënderbeun për së gjalli”, u shpreh Junçaj.
Nga ana tjetër, historiani vuri në dukje mungesën në këtë libër të trajtimit të krahasimit mes diskursit të humanistëve dhe atij të rilindësve kombëtarë, duke sugjeruar që në të ardhmen, kur të bëhet ribotimi i librit, të shqyrtohet mundësia e punimit të një kapitulli të ri, çka do ta pasuronte më tej librin. Megjithatë, Junçaj theksoi se kemi të bëjmë me një libër serioz që ia vlen të përdoret si referencë për punimet mbi humanistët arbërorë.
Në vështrimin e tij për librin, të titulluar “Humanistët arbënorë si frymëzues dhe formësues të mendimit kombëtar”, gazetari Ismet Kallaba tha se në fokus të studimit të Albert Bikajt është një periudhë e rëndësishme e historisë së njerëzimit: mesjeta e vonshme dhe periudha e hershme moderne, pra shekujt XIV–XVI kur lindi dhe u zhvillua humanizmi dhe renesansa, e njohur si një lëvizje evropiane e reformimit intelektual, kulturor dhe arsimor.
Ai më tej theksoi se autori përqendrohet në ligjërimin kombëtar të humanistëve arbërorë dhe ndikimin e tyre në formësimin e mendimit kombëtar.
Kallaba ka shtuar se edhe përkundër faktit se humanistët arbërorë ishin të detyruar të largohen, për shkak të pushtimeve të vazhdueshme të trevave arbërore, ata nuk i kanë shkëputur asnjëherë lidhjet me atdheun e tyre.
“Duke jetuar në qendrat evropiane të zhvillimit të humanizmit, ata patën mundësinë të njihen me zhvillimet arsimore, kulturore, politike etj., të përvetësojnë idetë përparimtare të kohës dhe të bëhen vetë bartës apo përçues të këtyre ideve iluministe. Kësisoj, ata do të bëhen urë lidhëse të atdheut të tyre dhe vendeve evropiane duke transmetuar te shqiptarët traditën më të mirë të mendimit evropian”, u shpreh gazetari Ismet Kallaba.
Kallaba theksoi se, ashtu si në gazetari ku gazetari i mirë di të përzgjedhë se çfarë është më e rëndësishme dhe çfarë jo, edhe në shkencë studiuesi i mirë (siç është rasti i autorit) di të përzgjedhë faktet dhe dokumentet më relevante për temën që shtjellon, nga moria e të dhënave të grumbulluara.
Në vështrimin e tij, përkthyesi dhe shkrimtari Nikollë Berishaj tha se autori me këtë libër sjell një mendim ndryshe nga ato që jemi mësuar të hasim në historiografinë tonë kombëtare.
“Deri më tani në historiografinë tonë ka mbisunduar mendimi se vetëm rilindësit, autorë të shek. XVIII-XIX, vunë themelet e mendimit kombëtar shqiptar, duke anashkaluar kështu parardhësit e tyre të denjë, treshin intelektual: Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti, të cilët i analizon autori”, tha ai.
Sipas Berishajt, vlera më e madhe e kësaj vepre qëndron në faktin se diskursi kombëtar i këtyre autorëve e shtyn kufirin e mendimit kombëtar ndër shqiptarët rreth 300 vjet më mbrapa, pra jo më në shekujt XVIII dhe XIX, por në shekullin XV, duke i renditur shqiptarët krah kombeve të zhvilluara evropiane.
Berishaj u shpreh ndër të tjera se autori në këtë vepër paraqet se, vetëm në kuadër organizimit të pakicave të Venedikut, arbërit shqiptarë janë të parët ballkanas që krijojnë vëllazëritë, përkatësisht shkollën e vet më 1442.
“Dhe vetëm pas arbërorëve, i krijuan shkollat në Venedik edhe kroatët dhe grekët”, theksoi Berishaj.
Autori i librit Albert Bikaj, duke shpalosur idetë, motivimin dhe përvojën e tij gjatë procesit për nxjerrjen në dritë të kësaj vepre studimore, theksoi se çështja e identiteteve është përherë aktuale, interesante dhe e debatueshme.
Ai tha se kemi historiografinë, e cila është vazhdimisht e ndryshueshme dhe e korrigjuar nëpërmjet historianëve dhe autorëve të ndryshëm.
“Duke njohur historinë tonë dhe të kaluarën kombëtare, edhe atë jo të largët, e dimë se historiografia ka qenë shpeshherë një produkt politik dhe ka pasur qëllim të paraqesë të kaluarën sipas interesave të ndryshme politike, sidomos mesjetën në këtë rast”, u shpreh Bikaj.
Libri, sipas autorit, ka pasur për qëllim të tregojë pikërisht identitetin mesjetar arbëror, ku, siç tha ai, gjenden disa elemente të ndryshme nga ai aktual-modern.
“Nuk dëshiroj të them se ky libër është një shkëputje nga identiteti mesjetar, por një vazhdimësi që reflekton me periudha historike kohore ashtu siç kemi gjatë Rilindjes identitetin tipik – diskursin fetaro-kombëtar, e kemi më pas edhe gjatë Rilindjes Kombëtare ose iluminizmit, identitetin sekular shqiptar”, u shpreh autori i librit Albert Bikaj.
Botimin e librit “Zanafilla e mendimit kombëtar” e mbështeti Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
Albert Bikaj është studies i historisë së mendimit politik dhe përkthyes. Ka përfunduar studimet për marrëdhënie ndërkombetare dhe diplomaci në Universitetin Donja Gorica, ndërsa ka magjistruar për historinë mesjetare në Universitetin e Zagrebit.
Së fundmi ka përkthyer në shqip librin “Nevoja për kombe” të Roger Scruton-it dhe “Iriqi dhe dhelpra: Ese mbi pikëpamjen e Tolstoit për historinë” të Isaiah Berlin.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat