
Veprimtari Taulant Shahmani, hyrjen në shpalosjen kronologjike të shënimit të vet e fillon që nga koha që kur Perandoria Osmane u dobësua dhe filloi të lëshojë territoret e saj në Ballkan. Vendeve fqinje iu shtua lakmia për ndarjen e territoreve shqiptare mes tyre.
Ai thekson se pas Traktatit të Shën Stefanit, u mbajt Kongresi i Berlinit, më 13 qershor 1878, ku ndër të tjera u vendos që Malit të Zi t’i jepej Podgorica, Tivari, Plava, Gucia, Hoti, Gruda, etj. Gjithashtu, në vitin 1913 Konferenca e ambasadorëve në Londër vendosi kufijtë e Shqipërisë, të cilët ashtu janë edhe sot.
Veprimtari Taulant Shahmani, në shënimin e vet “Historiku i fshatit Guci e Re, Shkodër”, shkruan se ka më shumë se 100 vjet që kombi shqiptar lëngon pasojat e kësaj pabesie, duke u përpjekur vazhdimisht të ndreqë diçka nga vendimet tinëzare të asaj masakre. E gjithë kjo panoramë, thekson ai, solli ndër të tjera edhe spastrimin etnik të shqiptarëve, shumë prej të cilëve ju drejtuan edhe qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të saj, si Bushat, Dobraç, Kullaj, Vrakë, Zadrime, etj., ku kaluan disa vite, por duke mbajtur gjithmonë lidhje mes njëri tjetrit dhe duke synuar që të qëndrojnë të bashkuar përsëri kudo që të vendosen.
Krijimi i Gucisë së Re
Gjendur në këtë situatë, shkruan në shënimin e vet veprimtari Shahmani, një nga shqiptarët e Vuthajve të trevës së Plavë-Gucisë, të ardhur në Shkodër, ishte edhe Alush Mem Bruçaj (i biri i Mem Shabanit, i pushkatuar nga serbët ngaqë nuk pranoi të kthehej në fenë Ortodokse). Alushi, një djalë i mençur dhe trim, ishte emëruar si anëtar i Këshillit të komunës Qendër në vitin 1928. Në këtë kohë, ai bën një kërkesë drejtuar Mbretërisë shqiptare (Prefetura Shkodër), ku kërkon që të gjithë të ardhurit nga trojet e Plavë-Gucisë dhe Vuthajve të vendosen në një vend të tyre të ri. Kërkesa aprovohet dhe vendoset që ky fshat të krijohet në fushën e Shtojit, krahas disa fshatrave të tjera (të cilat kishin karakteristika të përbashkëta) dhe të quhej Guci e Re.
Veprimtari Taulant Shahmani, në shënimin e vet gjenealogjik shkruan se disa nga familjet e para që u vendosën në fshat ishin: familja Plava, Zharaj, Bruçaj, Mekulaj, Çekaj, Shahmani, Llukaj, Bekteshi, Trepshi, Goçaj, Nikshiqi, Ahmetaj, Hakaj, Jahukaj. Pas disa vitesh nga krijimi i fshatit në fjalë, popullsia ishte në rritje me ardhjen e familjeve të tjera, si familja Gjonbalaj, Piri, Dedushaj, etj.
Shtrirja dhe popullsia e fshatit Guci e Re
Veprimtari Shahmani, në shënimin e vet “Historiku i fshatit Guci e Re, Shkodër”, shkruan se fshati në fjalë shtrihet në Veriun e qytetit Shkodër dhe ndodhet rreth 5 km në largësi të tij dhe ka reliev fushor. Ai kufizohet në Veri me përroin e Vrrakës, i cili është si vijë ndarëse mes Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, në Jug me fshatin Grudë e Re, në Lindje me fshatin Postribë dhe në Perëndim me fshatin Shtoj i Vjetër.
Popullsia e Gucisë së Re fillimisht ka numëruar 263 banorë, ndër të cilët 45 ishin kryefamiljarë, gjashtë kunorë dhe 206 frymë.
Gjatë kësaj kohe, shkruan Shahmani, në periudhën kohore 1930-1932 u bë edhe ndarja e tokave të gjithë familjarëve të fshatit, ku rezulton se fshati ka një sipërfaqe rreth 189,8 hektarë.
Pas sistemimit të banorëve, dhe mbi të gjitha, vendosjes në një fshat ku do të jenë përsëri së bashku, ashtu siç ishin më parë në trojet e paraardhësve të tyre, lindi nevoja për arsimim të fëmijëve. Kështu, banorët marrin lejen për ndërtimin e shkollës, kurse truallin e dhuroi xhamia e fshatit. Kështu të gjithë banorët u mobilizuan dhe ndërtuan shkollën e fshatit Guci e Re. Ajo sot mban emrin e Heroit të punës, mësuesit, birit të saj “Ismet Sali Bruçaj”, i cili dha jetën në krye të detyrës, duke vënë të parin interesin e fëmijëve, arsimimin e tyre me çdo kusht dhe zhdukjen e analfabetizmit edhe në zonat më të thella të Shqipërisë.
Kontributin e vet edukativo-arsimor në këtë shkollë e dha edhe vetë autori i shënimit në fjalë, Taulant Shahmani, si mësimdhënës dhe drejtor i saj.
Njerëz që lanë gjurmë dhe vazhdojë të kontribuojnë në fshatin Guci e Re
Në fillimet e fshatit Guci e Re, në fushën e artit njihej Nasuf Husko Shahmani, i cili kishte ardhur në moshë shumë të re nga Plava dhe artin e nisi si një mënyrë për të jetuar. Ai pikturonte ajete kuranore në qelq, si dhe ndërtonte vegla muzikore si çifteli dhe fyej, po ashtu bënte punime të ndryshme druri dhe ndërtimtarie.
Gjatë viteve në vazhdim, fshati Guci e Re nxori shumë patriotë dhe intelektualë në fusha të ndryshme, shkruan veprimtari Shahmani në shënimin e vet. Kështu mund të përmendim Sadik Bekteshin si komandant i Çetës Perlat Rexhepi, Rexhep dhe Hava Hakaj (bashkëshortë), partizanë, Hysen Delia, partizan i cili kishte kthyer shtëpinë e tij në bazë partizanësh të Luftës Nacional-Çlirimtare. Në fushën e arsimit familjen Bruçaj e cila përveç mësues Ismetit, ka edhe tre mësues, me mësues të tjerë që vazhdojnë të punojnë. Familja Shahmani e cila nxori shumë mësues dhe vazhdon të kontribuojë në arsim me gjashtë arsimtarë. Vlen të përmendet mësuesi i ndjerë Shaqir Shahmani, i cili kishte mbaruar dy fakultete, atë të Teologjisë si dhe fakultetin e Gjuhë-Letërsisë. Gjithashtu në arsim dhe arte ka dhënë dhe vazhdon të jep kontribut edhe familja Mekulaj. Në fushën e mjekësisë kontribuon familja Plava me doktorë, veterinarë dhe infermierë. Po ashtu, të suksesshëm në fushën e ekonomisë dhe biznesit ishte dhe është edhe familja Llukaj, e cila kontribuon duke punësuar shumë të rinj të fshatit.
Duke pasur parasysh të gjitha të dhënat që u prezantuan më lart, pa ngurrim dhe me plot gojë mund të konstatohet, por edhe të konfirmohet se shënimi “Historiku i fshatit Guci e Re, Shkodër”, i veprimtarit Taulant Shahmani, padyshim është event vërtetë me vlerë dhe peshë të madhe në identifikimin e entitetit kombëtar shqiptar jashtë trojeve të trevës së Plavë-Gucisë, shënim ky i cili pa mëdyshje do t’u kontribuojë studiuesve dhe hulumtuesve në shpalosjen, ndriçimin dhe reflektimin e identitetit kombëtar në trojet etnike shqiptare.
