Histori e dokumentuar përmes fotografive

Tuz – “Na ishte njëherë Shqipëria / Shqipëria sipas Marubëve”, titullohet filmi dokumentar me autor, regjisor dhe skenar të Prof. Dr. Stefan Çapalikut i cili u shfaq të enjten mbrëma (4 maj 2023) në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut.
Filmi dokumentar i cili zgjati një orë, paraqiti në tre pjesë të ndara Shqipërinë sipas Marubëve: Pjetër Marubit, Kel Marubit dhe Geg Marubit. Aty u shfaq Shqipëria dhe Shkodra e fundshekullit të XIX, e deri në mesin e shekullit të XX. Dokumentari hedh dritë mbi ngjarjet dhe rrethanat historiko-politike e shoqërore, kulturore e arsimore të asaj periudhe kohore.
“Na ishte njëherë Shqipëria / Shqipëria sipas Marubëve”, prezanton më së bukuri bashkëjetesën në Shkodër, duke gërshetuar simbole fetare, por edhe klerikë të të dy besimeve, të cilët në disa raste na shfaqen si luftëtarë malesh me kostume popullore e me armë si në rastin e Dom Ndoc Nikaj, apo edhe Shaban Efendinë, komisarin e policisë së qytetit, të cilit nuk i qesh kurrë mustaku. Por kjo nuk mbaron me kaq, sepse më pas kemi pamje të ndërtimit të Katedrales së Shkodrës më 1858, por që ishte firmosur nga ana e Sulltanit më 1851”, thuhet në sinopsisin e këtij dokumentari.
Para shfaqjes së filmit dokumentar bisedën me autorin, regjisorin dhe skenaristin Stefan Çapaliku e zhvilloi Idriz Gjokaj i cili e pyeti atë mbi dokumentarin dhe historinë e fototekës kombëtare “Marubi” në Shkodër.
Ndërkohë, Çapaliku fillimisht bëri një njohje të figurës së Pjetër Marubit, italianit, para dhe pas ardhjes së tij në Shkodër më 1858-tën, historinë e ardhjes së tij në Shqipëri, përkatësisht në Shkodër, ndërsa vazhdoi duke shpalosur veprimtarinë e tij si fotograf i parë në Shqipëri.
“Marubi ishte si vizatues shumë i mirë, pra piktor dhe arkitekt. Fillimisht i tillë prezantohet në qytet, si vizatues dhe si projektues. E shoqja e Marubit është ajo që fillon me të të grumbulloj të hollat, duke punuar infermiere dhe pa vonuar shumë blenë një shtëpi në qendër të Shkodrës e cila nuk ekziston më, në oborrin e së cilës Pjetër Marubi ndërton vetë kamera obskura, ajo që duhet, dhoma e errët, pra aparatin e parë fotografik”, shprehet Çapaliku.
Ai tregon se në vitin 1856, Marubi shkrep fotografinë e parë, që tregon një burrë të veshur malësor, “që për çudi deri në kohë të komunizmit është thënë se kjo fotografi është fotografia e Hamëz Kazazit, një kryengritësit shqiptar të atyre kohërave. Mirëpo, pas viteve 90-ta filluan kërkimet e tjera, tashmë në kushte lirie dhe studiuesit thonë që ky nuk është Hamëz Kazazi, por konsulli italian në Shkodër i veshur me kostume kombëtare”, tregon Çapaliku.
Ai vijoj me tregimin e trashëgimtarëve të Pjetër Marubit i cili, siç tha, nga martesa e tij nuk kishte fëmijë, por që i kishte adoptuar dy djem nga një fshatar i fshatit Kodhel, që quheshin Mati dhe Kel Kodheli.
“Ai i adopton këta dy fëmijë dhe Matia bëhet fotografi i dytë, të cilin Pjetri e çon në Trieste gjashtë muaj tek mjeshtri i tij dhe pasi kthehet në Shkodër, 20 vjeçar, fillon dhe bën fotografitë e para, por sëmuret nga tuberkulozi dhe vdes. Pra Mati Kodheli, fotografi i dytë shqiptar vdes. Atëherë Pjetri e adopton djalin e dytë që është Keli që e çon sërish të specializohet për fotografi në Trieste. Ai kthehet dhe pas pak vdes Pjetri (1903). Më pas, gjithë pasuria e Pjetrit i kalon Kelit i cili në respekt të mjeshtrit vendos të ndërrojë mbiemrin, duke mos e quajt më veten Kel Kodheli, por Kel Marubi”, shprehet Çapaliku.
Ndërkaq, ai tha se Kel Marubi kishte një jetë të gjatë, duke jetuar deri më 1940-tën, një aktivist i jashtëzakonshëm i çështjes kombëtare, por siç tha edhe i pushkës, dhe mjeshtër i fotografisë.
“Keli përveç personazheve që fotografon në Shkodër, ftohet që të bëjë fotografi edhe në Mal të Zi. Ka një grumbull fotografish që bën në Tivar, Ulqin, Cetinë dhe ajo që mbërrinë kulmin e kontributit të tij si fotograf në Mal të Zi, është dasma e vajzës së Kral Nikollës me Viktor Emanuelin e Tretë, dhe është fotografi zyrtar i dasmës, siç do të jetë më vonë fotografi zyrtar i dasmës së Ahmet Zogut me Geraldina Apony”, u shpreh Çapaliku, duke shtuar se Kel Marubi është personazhi absolut i fotografisë shqiptare.
Në të njëjtën kohë, Çapaliku rrëfeu edhe njërin nga djemtë e Kel Marubit, Gegën, i cili më vonë do të bëhej edhe ai fotograf i shquar dhe në zë.
“Në të parën shkollë në botë që e kishin hapur në Paris shpikësit e kinemasë më 1906-tën, pra shkollë e fotografisë dhe kinematografisë, ndër studentët nga vise të ndryshme të botës ishte Gegë Marubi, i cili pas studimeve kur kthehet në Shkodër, kthehet me një mentalitet krejt tjetër dhe sjell një teknologji krejt tjetër të të pamit të fotografisë”, shprehet shkrimtari dhe studiuesi, Stefan Çapaliku.
Ai duke folur për historinë e fotografisë shqiptare, theksoi momentin kur Pjetër Marubi filloi të mendonte për disa persona që nuk duhen fshirë, por ruajtur mënjanë, duke gjykuar se janë të rëndësishëm.
“Ai krijon në arkivin e tij një sirtar që e quan: “sende të rëndësishme dhe njerëz me za”. Me sende të rëndësishme ai kuptonte jo vetëm sendet si objekte, por edhe njerëzit të cilët nuk i kishte fotografuar pse ishin të rëndësishëm për kontributin që kishin dhënë, por i kishte fotografuar për shembull vetëm për kostumin që mbanin veshur. Pra, kostumi në fakt ishte send i rëndësishëm. Nuk ishte personi vetë”, shprehet Çapaliku.
Ai vazhdoi bashkëbisedimin me moderatorin e mbrëmjes, duke treguar edhe për fotografët e tjerë shqiptarë përtej dinastisë së Marubëve. “I dyti fotograf përjet dinastisë së Marubëve është Kolë Idromeno nga i cili trashëgojmë një fond prej 4 mijë negativash. I treti fotograf i rëndësishëm është Shën Pici. I katërti fotograf i rëndësishëm është Dedë Jakova. I pesti fotograf është Pjetër Rraboshta dhe i gjashti fotograf është Angjelin Nenshati”, thotë Çapaliku.
Ndërkaq, ai tregoi se tre gjenaratat e Marubëve së bashku me fotografët e tjerë shqiptarë të sipërpërmendur, kanë lënë një fond prej një milionë negativash.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat