Histori dashurie midis një djali shqiptar dhe një vajze serbe

Premiera e filmi me metrazh të gjatë i titulluar “Sofia”, me regji nga Eduart Grishaj, është shfaqur mbrëmjen e 2 nëntorit në Tiranë, në prani të një numri të madh të publikut dhe personaliteteve nga të gjitha fushat, për të vazhduar shfaqjet në shumë qytete në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut.
Filmi “Sofia” ndahet në dy epoka, të asaj gjatë luftës së 1941-shit dhe në kohën moderne. Historia e një grueje fisnike me një zemër të madhe, ndërthur më së miri vlerat e shqiptarit, shoqëruar me një ngjarje tragjike. Në qendër është historia e dashurisë së një djali shqiptar me një vajzë serbe.
Regjisori i këtij filmi, Eduard Grishaj në një prononcim ekskluziv për gazetën “Koha Javore”, duke u pyetur për idenë rreth realizimit të këtij filmi, shprehet se frymëzimi lindi pasi ai lexoi veprën e At Zef Pëllumbit, me një histori të shkurtër, por që sipas tij, në lexim të parë vepra u shndërrua në dashuri.
“Premiera e filmit ka qenë sukses. Nuk dua të flas për punën time, por mendoj se ka qenë event ku janë bërë bashkë artistë dhe profesionistë për të vlerësuar një punë të gjatë dhe të palodhur”, shprehet Grishaj.
Ai rrëfen se qëllimi i jetësimit të këtij filmi ka qenë që përmes tregimit dhe rrëfimit, të realizohet një film artistik dhe cilësor në këtë kohë të epokës së filmave komercial.
“Sofia është shumë e famshme tani. Rrugëtimi i saj ka qenë në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Shkup, Prishtinë, Greqi, Londër, Nju Jork dhe kudo ku ka shqiptarë e flitet shqip, por jo vetëm”, thotë regjisori Eduart Grishaj.
Realizimi i filmit Sofia është realizuar nga një këstë aktorësh të njohur si: Rita Gjeka, Tinka Kurti, Rozafa , Alfred Trebicka, Adem Karaga, etj.
Shfaqja e filmit “Sofia” është vlerësuar gjerësisht nga profesionistë të fushës së kinematografisë por edhe nga publiku.
“Vlerësimi im parësor kanë qenë sallat e kinemave të mbushura plot, që nga Vërmoshi në Konispol. Mesazhe, vlerësime dhe dashamirësia e njerëzve ma ka mbushur zemrën plot”, shprehet Grishaj.
Ai shton se ky film përcjell mesazhin që dashuria është më e fortë se lufta e së shkuarës dhe urrejtja. “Dashuria është e vetmja mundësi që të ecim para”, thekshon Grishaj.
I pyetur nëse ky film do të shfaqet në Ulqin apo në Tuz, Grishaj tha se filmi së shpejti do të shfaqet në Tuz, “pasi që ky vend është veçanti për këtë film, sepse në ngjarjet që rrëfehen si pjesë e skenarit të filmit lidhen bukur dhe ngushtë me Malësinë dhe malësorët. Ne po mbyllim çështjet logjistike dhe pastaj do të takohemi shumë shpejtë me publikun e dashur të Tuzit”, përfundon Grishaj.
Filmi “Sofia” është i pari me metrazh të gjatë që ka realizuar regjisori Eduart Grishaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat