Tuz – Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq” ka hapur zyrtarisht në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, dy kabinete të informatikës, ku të pranishëm qenë nxënës, arsimtarë, miq të shkollës, donatorë dhe media.
Në hapjen zyrtare të këtyre kabineteve, drejtori i këtij institucioni edukativo-arsimor, Luigj Dedvukaj shprehu falënderim të përzemërt ndaj të gjithë personave që dhanë kontributin e tyre për realizimin, siç tha ai, të dëshirës së kamotshme të nxënësve dhe të kërkesës së tyre si institucion, që këto dy kabinete të informatikës të pajisen me tridhjetekatër kompjuterë të rinj, me vlerë totale prej 13 mijë e 300 eurosh.
“Të nderuar afaristë e miq të shkollës, të dijes dhe përparimit, ky kontribut ka hapur një horizont të ri në fushën e informatikës dhe të mësimit më të suksesshëm. Prandaj, ndihma juaj duhet vlerësuar dhe respektuar, pasi na jep shpresë që suksesi ynë do të rritet dhe do të barazohet me shkollat e tjera të cilat përcjellin zhvillimin e kohës. Mund të themi se edhe një sfidë e tejkaluam së bashku, me ju miq” u shpreh drejtori i shkollës, Luigj Dedvukaj.
Ai ka falënderuar për këtë donacion Komunën e Tuzit dhe afaristët e tjerë vendas për këtë përkrahje të parezervë ndaj shkollës që ai drejton.
“Nuk kemi më asnjë justifikim për të mos qenë më të mirët në informatikë, një lëndë që përfshihen dhe ndihmon të gjithë të tjerët”, u shpreh drejtori i shkollës, Luigj Dedvukaj.
Të gjithë kompjuterët janë vendosur në vendet përkatëse, me instalim softuerik të fundit- Windows 11, pasuar nga monitorë të mëdhenj, me mouse, tastierë, altoparlant, dy projektorë dhe dy pëlhura për projektorë.
Ndarja në dy kabinete është bërë sipas programit që kanë paraparë nga Ministria e Arsimit dhe Entit për Shkollim, sepse kur një klasë ka 21 nxënës mund të ndahet në dy grupe për shkak të mësimit më efikas dhe qasjes së arsimtarit në punën e nxënësve.
t. u.
