Ekspozita “Arka e pajës (martesës) dhe pasqyra” e Vildana Tuzoviq Killian, e sjellë për herë të parë në Mal të Zi nga Londra, Britania e Madhe dhe Skocia, hap një kapitull të ri në skenën artistike të vendit.
Hapja solemne e ekspozitës në Lushtica Bay shënon fillimin e një epoke të re për artin bashkëkohor në Mal të Zi. Ekspozita u hap me praninë e veçantë të mentores së Vildanës, Amber Khokhar, dizajnere në Shkollën e Arteve Tradicionale të Fondacionit Mbretëror në Londër, e cila erdhi posaçërisht nga Britania për të qenë pjesë e këtij momenti historik.
Koncepti i ekspozitës së Vildanës pasqyron në mënyrë autentike vlerat që kultivohen në Mal të Zi: multikulturalizmin, dialogun mes traditës dhe kohës moderne, si dhe afirmimin e fuqisë krijuese femërore. Përmes drurit të gdhendur, filigranit, gjeometrisë dhe qëndisjes së simboleve, Vildana ndërton një hapësirë të veçantë uniteti, e frymëzuar nga libri i Virxhinia Vulfit (Virginia Woolf) “Një dhomë për vete”, një libër që frymëzoi gjenerata të tëra grash që të kapërcejnë vështirësitë për ta bërë botën një vend më të mirë, më të dashur dhe më të bukur.
Vepra artistike “Arka e pajës (martesës) dhe pasqyra” risjell simbole nga tradita malazeze, malësore dhe më gjerë mesdhetare – si druri i pishës, lisit, zogjtë, shega dhe gjarpri si rojtar i shtëpisë – duke i lidhur me trashëgiminë kulturore nga ilirët deri te gojëdhënat e ditëve të sotme. Kështu, përmes artit të saj të thellë dhe të përkushtuar, Vildana Killian jo vetëm që e ruan trashëgiminë, por e udhëheq atë me guxim drejt së tashmes – duke e kthyer rrugëtimin e traditës në një gjuhë të re, të gjallë dhe thellësisht bashkëkohore.
Kjo është ekspozita e saj e parë personale në Mal të Zi pas përfundimit të studimeve master në King’s Foundation School of Traditional Arts në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishte një nga dhjetë studentët e përzgjedhur nga e gjithë bota dhe u përkrah nga vetë Mbreti Çarls (Charles).
Si shoqe e Vildanës, ndihem krenare që kam ndarë me të dashurinë për simbolet e qëndisura në xhubletë. Bashkë kemi vizituar gjyshen Tole në Tuz, ku ajo i ka treguar disa modele të qëndisjes që më vonë Vildana i ekspozoi në Londër. E kam parë me sytë e mi se si kjo dashuri ndaj xhubletës ka ndikuar tek ajo. Vildana ka mësuar të qëndisë që kur ishte e vogël në Tuz, në një vend të vogël të quajtur Shipçanik, ku ka e kaluar fëmijërinë – e rrethuar nga kujdesi dhe frymëzimi i nënës së saj, Havaja Tuzoviq, një figurë e rëndësishme në komunitetin e Tuzit, arsimtare e gjuhës që ka edukuar breza të tërë dhe për të cilën të gjithë flasin me dashuri të veçantë.
Kjo lidhje e hershme me qëndisjen dhe trashëgiminë e ka udhëhequr drejt një rrugëtimi artistik të jashtëzakonshëm, ku ajo jo vetëm që ruan, por edhe risjell me mjeshtëri simbolet e xhubletës në forma të reja – përmes drurit të gdhendur, vizatimeve gjeometrike, filigranit, punës me fije dhe pasqyrës si simbol i reflektimit dhe kujtesës.
Në zemër të ekspozitës qëndrojnë dy objekte: arka e martesës dhe pasqyra. Arka, e frymëzuar nga trashëgimia kulturore e Malit të Zi, përmban motive të lidhura me hyjneshat Junë, Herë dhe Anahitë – simbole të dashurisë, pjellorisë dhe martesës. Ndërsa pasqyra shërben si portal për të parë brenda vetes dhe për të reflektuar mbi trashëgiminë shpirtërore.
Vildana ka shpjeguar se pasqyra, që tradicionalisht vendoset brenda kapakut të arkës, në veprën e saj është zhvendosur jashtë – duke krijuar një hapësirë të përbashkët ku ruhen vlerat e çmuara. Dizajni i gjarprit, i cili rrethon pasqyrën si ouroboros (simbol i ciklit të përjetshëm), vazhdon në dru dhe përmban katër rombe nga sedefi që simbolizojnë ekuilibrin dhe lidhjen reciproke. Dizajni i pasqyrës është ndërtuar mbi konceptin e Quadrature Circuli, që përfaqëson përpjekjen për harmoni mes dimensioneve materiale dhe shpirtërore. Motivi i gjarprit del jashtë drurit në filigran argjendi, duke theksuar lidhjen mes tokësores dhe shpirtërores. Ndërsa motivin e zogut, të frymëzuar nga qëndisja në veshjen kombëtare malazeze, ajo e ka shndërruar në skulpturë prej druri të artë, duke ndjekur metoda tradicionale.
Vildana vazhdon të ndërtojë “pyllin e pishave” në pllaka qeramike të formuara me kallëpe druri të gdhendur, Somnia a Deo missa, duke e ndarë në tri segmente: Koka – vizatimet dhe skicat gjeometrike, Dora – fijet dhe pikturat, dhe Zemra – arka dhe pasqyra. Kjo njësi e shndërron hapësirën në strehë, në ekuilibër material dhe shpirtëror, si manifestim i odës së gruas, ku ajo gjen inspirimin dhe fuqinë.
Vildana është si Virxhinia Vulf (Virginia Woolf) e Malit të Zi – një zë i fuqishëm femëror që frymëzon vajzat dhe gratë të krijojnë me guxim, duke i bërë krenare për trashëgiminë e tyre kulturore dhe duke e kthyer artin në një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes.
Enisa Murseli – Gjokaj
