Gratë kelmendase me veshje shumëngjyrëshe

Studiuesi Karl Gottlieb Von Windisch, përmes artikullit të tij “Rreth kelmendasve të Sremit”, pa dyshim ka dhënë një kontribut vërtetë të madh në prezantimin, ndriçimin dhe shpalosjen e gjenealogjisë së fisit kelmendas i cili ka një rëndësi shumë të madhe për studiuesit, por edhe për mbarë kombin shqiptar, e në radhë të parë për popullatën e këtij fisi, për të cilin shumë pak është shkruar

Shaban Hasangjekaj

(Vijon nga numri i kaluar)
Janë veshje tepër interesante, sidomos ato të grave. Burrat veshin kapele të vogla të kuqe që me përjashtim të xhufkës, janë identike me ato që përdorin priftërinjtë laik mbi çaçkën e qethur. Mbajnë flokë të shkurtra me një copë të zezë rreth qafës. Mbi këmishë përdorin një veshje pa mëngë që zgjatet pothuaj deri të gjunjët, në ngjyrë të kuqe, e cila është e hapur te gjoksi, me qëllim që të lidhet mbi supe sa më lehtë. Mbi këtë veshje hedhin një xhaketë që zgjatë deri në fund të belit me një palë të mbushur me një numër të vogël pullash dhe një varg me nyje pak a shumë si pelerinat me gëzof të Hussarëve. Përreth belit mbështjellin një rryp, i cili sillet disa herë përreth, dhe përreth kyçeve të këmbëve lidhin një copë shumë të bukur, qëndisur me ngjyra të ndryshme, saqë dikush fare lehtë mund t’i marrë për çorape grash. Kurse në këmbë veshin opinga (openki) me cilësi të mirë, të shtrënguara me lidhëse të holla.
Për armë përdorin të ashtuquajturën Pushtovan (Pusztovan), përdorin plumb bronzi ose hekuri që futet brenda tytës, pothuaj gjysmë metri e gjatë. E mbajnë në dorën e djathtë dhe janë tepër të aftë në përdorimin e saj. Në brez mbajnë një kamë – thikë turke dhe një pistoletë. Në anën e majtë të brezit varin një shpatë hungareze, dhe mbi supe mbajnë një lloj pushke të vjetër Çark (pushkë me strall), me të cilën mund të qëllojnë në shenjë nga një distancë prej 100 metrash. Ushtarët, që zakonisht veshin uniformën e gardës mbretërore, mund të vishen në këtë mënyrë vetëm gjatë festave, dasmave, kërcimeve e festimeve të ndryshme. Megjithatë, si me këto armë apo me çfarëdo arme tjetër, ata njihen si luftëtarë të palëkundur, se nuk e njohin se ç’është frika. Ata përbëjnë kompaninë këmbësore në qarkun e Petrovaradit, dhe po ashtu edhe gjysmën e kompanisë së Hussarëve.
Veshjet e grave të kësaj krahine janë shumë interesante. Palloi, ose më mirë ylberi, do t’i kishte zili gratë kelmendase kur vishen me rrobat e tyre shumëngjyrëshe. Vajzat mbulojnë kokën me një shami mëndafshi (rubë) me shtufa të verdha dhe të kuqe që u varen deri tek qafa. I ndajnë flokët nga maja e kokës deri tek qafa, dhe në secilën anë kanë tre gërsheta që u derdhen mbi supe. Në pjesën e sipërme të kokës, thurin me flokët copa të vogla letre varaku (fletë metalike ngjyrë argjendi), lule me zbukurime të ndryshme. Gratë e martuara veshin kapele si ato të burrave, pothuaj identike me ato që veshim “ne” me përjashtim se kapelet e tyre pjesën e kthyer e zbukurojnë me fjongo të bardha. Varëset janë të bëra me fije koralesh dhe rruaza qelqi. Kurse përpara janë të mbuluara me monedha, nga qafa deri tek beli, dhe mënyra e zbukurimit të tyre të jep përshtypjen sikur mundohen të krijojnë një lloj simetrie të veçantë. Xhaketat e kuqe të bëra me material të mirë, zgjaten deri tek beli dhe e mbërthejnë me një pullë të vetme afër kërthizës. Këto xhaketa kanë fije gjithandej dhe mëngët zakonisht nuk kalojnë përtej bërrylit. Pra, nga bërryli e deri te duart, njësoj si dhe këmbët, i kanë të mbuluara me një lloj veshje leshi shumëngjyrëshe. Edhe fijet që u varen nga xhaketa janë të zbukuruara me guaska të vockla, njësoj si ato që ne përdorim në Hungari për të zbukuruar mjetet e udhëtimit. Nga supet e deri te bërrylat vendosin aq shumë guaska saqë kur dy gra Kelmendase dalin në shëtitje tringëllimi i tyre ngjan me “sleigh ride” (sh.im: “sleigh ride” slita që rrëshqet mbi borë). Ndoshta ky është një veprim për të tërhequr vëmendjen e burrave, veç kësaj e gjithë pjesa tjetër e xhaketës është e zbukuruar me rruaza të verdha, të kuqe dhe të gjelbra, dhe në mes ka disa rruaza të bardha të vendosura në një mënyrë të veçantë që krijojnë një rreth të vogël. Mëngët në veçanti janë të zbukuruara me kësi rrotash dhe gërsheta argjendi të mbushura me xhufka mëndafshi. Rreth belit veshin dy breza njëri mbi tjetrin: Poshtë, një brez të gjerë i punuar me copë të kuqe dhe mbi të një të ngushtë prej lëkure me shumë pulla metalike, nga brezi i sipërm varet një zinxhir i hollë metali. Në vend të fundit veshin një përparëse të qëndisur me rreshta leshi të trashë ngjyrë të verdhë e të kuqe që shkon deri te pulpa e këmbës. Në anën tjetër veshin një rrobë mëndafshi që varet mbas shpinës. Këmbët i mbështjellin me copa lecke njësoj si burrat dhe veshin opinga. Këmsishat që u zgjasin deri te pulpa e këmbës janë të ngjitura mbas trupit, dhe poshtë veshin një këmishë të brendshme të trashë prej leshi Gjithashtu edhe vallëzimet i kanë tejet të veçanta. Fillimisht, gratë dhe burrat rreshtohen përballë njëri­tjetrit, dhe secila grua në rresht vendos krahun e majtë mbi supin e djathtë të asaj që i qëndron përkrah, dhe kështu fillojnë të kërcejnë duke nxjerrë një tingull të lartë, me një zë dredhës dhe çjerrës, mjaft monoton. Mbas pak kohe dalin dy burra me shpata të zhveshura në dorë dhe dy pistoleta në brez. Dhe kështu me lëvizje paksa komike hidhen derisa një nga gratë përparon në mes duke i ndarë nga përballja. Gruaja, mban një shami mëndafshi në secilën dorë dhe me lëvizje të përcaktuara dhe gjeste interesante kthehet përballë secilit burrë për ta përshëndetur duke mos lëvizur fare nga vendi, ndërsa burrat vazhdojnë e hidhen rreth saj pa asnjë lloj rregulli, si të ishin të çmendur. I gjithi ky vallëzim bëhet pa praninë asnjë instrumenti tjetër veç pipëzave dhe fyejve, sepse të tjerat ata nuk i njohin. Në këtë mënyrë ata u këndojnë heronjve, bëmave për mbrojtjen e vendit të tyre të vjetër, e në veçanti akteve heroike të princit Gjergj Kastrioti, që njihet ndryshe edhe me emrin Skënderbeu. Gjuha e tyre është Shqipja e cila s’ka asnjë lidhje as me gjuhët e tjera të Lindjes dhe me ato të Perëndimit.
Studiuesi Karl Gottlieb Von Windisch, përmes artikullit të tij “Rreth Kelmendasve të Sremit”, padyshim ka dhënë një kontribut vërtetë të madh në prezantimin, ndriçimin dhe shpalosjen e gjenealogjisë së fisit Kelmendas i cili ka një rëndësi shumë të madhe për studiuesit, por edhe për mbarë kombin shqiptar, e në radhë të parë për popullatën e këtij fisi, për të cilin shumë pak është shkruar.
Fund

Të fundit

më të lexuarat