Gjurmëte Ali Gjeçbritajt

Gazmend Çitaku

Fundi i dhjetorit të vitit 2023 Ulqinit i solli një botim shumë interesant. Kemi të bëjmë për librin publicistik me titull shumë domethënës “Gjurmë” të autorit Ali Gjeçbritaj.
Libri fillon me një thënie të Franc Kafkës: “Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato” mirëpo hiç më pak kafkiane s’janë as vështrimet dhe esetë të cilat na i sjell Aliu përmes “Gjurmëve”. Gjurmët në këtë botim janë më se të qarta, kuptimplote dhe përmes tyre autori na risjell në kujtesë jetën e dikurshme dhe veprimtaritë jetësore të banorëve të Krajës.
Duke mos dëshiruar të bëj ndonjë ndarje mes titujve unë dëshiroj të veçoj vetëm ato që më kanë bërë më së shumti përshtypje dhe besoj se kushdo që do ta lexojë nuk do mbetet indiferent. Ata janë: “Vani i Arbneshit”, “Imeri i suleve” dhe “Heshtja e një porti”. Këta tre tituj së bashku përbëjnë një trilogji dëshmuese për një veprimtari jetësore të banorëve të Krajës. Vani i Arbneshit që dikur ka simbolizuar kantierin për ndërtimin e suleve dhe lundrave krajane, Imeri i suleve i cili na vjen këtu si rifreskim nga viti i largët 1996 e që atëbotë ishte i fundit prej atyre që ndërtonin sule e lundra dhe titulli i tretë Heshtja e një porti përmbyll veprimtarinë disa shekullore të këtij zanati të krajanëve. Mësojmë se mes morisë të gjithë atyre mjeshtrave dallohej Ahmet Hasani nga Priftajt i cili ndërtonte sule gjatësie deri në 20 metra me kapacitet bartës deri 100 kuintal. Druri i preferuar dihet ishte gështenja. Aliu na sjell edhe bisedën me Imer Ahmetin i cili ishte i fundit i kësaj familje që merrej me ndërtimin e suleve. Sot, shpresojmë që të mos jetë ustai i fundit i anijendërtimtarisë, kësaj veprimtarie jetike për Krajën dhe krajanët. Heshtja e një porti, vetëm i jep vulën përfundimtare veprimtarisë së anijendërtimtarisë krajane. Moli i Hutajve i ndërtuar në vitin 1939, veprimtarinë e vet shërbyese për lundra dhe anije transportuese, e mbyll në dy faza. Të parën lidhja me Shkodër e që ishte shumë jetike për krajanët mbyllet pas Luftës së Dytë Botërore kurse anija e fundit që ka lundruar në relacionin Hutaj-Virpazar ka qenë në funksion deri në vitin 1977. Pas këtij viti transporti i mallërave dhe udhëtarëve përmes Liqenit të Shkodrës u ndërpre dhe kaloi përmes vijës rrugore dhe bëri që Porti i Hutajve të heshtë së bashku me veglat e punës së Imerit dhe Vaun e Arbneshit “e zuri gjumi”.
Për Aliun, në njërin prej recensioneve është një konstatim për Aliun, me të cilin unë plotësisht pajtohem, ku thuhet: Aliu, pra, me punën e deritanishme intelektuale, shoqërore e patriotike ka siguruar për vete një pozitë të lartë shoqërore, nga e cila gjatë viteve nuk e ka përkulur asgjë në synimet e tij dhe sot ndjehet krenar ngaqë, siç thotë ai: “S’kam pse t’i uli sytë në tokë nga askush”.
Libri “Gjurmë” si tërësi është i ndarë në dy kapituj me 24 artikuj dhe 7 recensione. Është botuar nën siglën e Art Club-it me redaktor Ismet Kallabën dhe lektore Aishe Gjeçbritajn. Ky është libri i tij i pesëmbëdhjetë.

Të fundit

më të lexuarat